Kryeministri Berisha inauguroi shkollën 9 vjecare “Arif Selimi” – në Vukatanë, Shkodër, me vlerë 33 milion lekë

Kryeministri Berisha u prit sot nga nxënës e mësues të shkollës më te re 9 vjeçare “Arif Selimi” – në Vukatanë, Shkodër, mes të cilëve ishte për të inauguruar këtë institucion të dijes, një investim me vlerë 33 milion lekë, financuar nga buxheti i shtetit.
Në këtë shkollë mësojnë aktualisht 165 nxënës dhe japin mësim 13 mësues. Shkolla mban emrin e patriotit Arif Selimi, figurë popullore në Vukatanë dhe mbarë Shkodrën, i pushkatuar për bindjet e tij nga regjimi komunist në 1945 bashkë me patriotët Prek Cali dhe Dom Ndre Zadeja. Arif Selimi është dekoruar në vitin 1995 me medaljen “Martir i Demokracisë”
Në rrethin e Shkodrës gjatë këtyre 8 viteve janë ndërtuar 29 shkolla të reja dhe 93 të tjera janë rikonstruktuar, investime me vlerë mbi 1.5 miliardë lekë.
“Për ne, arsimi përbën çështjen më serioze të shoqërisë dhe të kombit dhe në këto vite ne kemi bërë gjithçka për të rindërtuar sistemin arsimor në tërësi, për të konsoliduar atë si promotor kryesor të zhvillimit të vendit.” u shpreh kryeministri Berisha për të pranishmit, duke premtuar se 4 vitet që vijnë do të punohet në të gjitha nivelet arsimore për rritjen e cilësisë, konsolidimin e kurrikulave dhe kualifikimin e mëtejshëm të mësuesve.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë e madhe që ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të shkollës së re plotësisht të merituar për nxënësit e kësaj zone.
Shkolla juaj merr emrin e një martir të vërtetë të demokracisë dhe vlerave të saj, i cili u martirizua për të mbrojtur atë çfarë ka më të shtrenjtë njeriu, lirinë dhe vlerat e tij.
Të dashur mësues e mësuese, nxënës e nxënëse,
Për ne, arsimi përbën çështjen më serioze të shoqërisë dhe të kombit dhe në këto vite ne kemi bërë gjithçka për të rindërtuar sistemin arsimor në tërësi, për të konsoliduar atë si promotor kryesor të zhvillimit të vendit. Ndaj dhe gjatë viteve të fundit, si kjo shkollë janë ndërtuar edhe rindërtuar edhe 1300 shkolla të tjera, janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 70 % të të gjitha shkollave të vendit. Po në këtë kontekst në qendër të të gjitha përpjekjeve tona për një sistem modern ne kemi vendosur mësuesin, mbështetjen e tij të vazhdueshëm.
Gjatë këtyre viteve, ne kemi rritur rrogat në sektorin e arsimit më shumë se në çdo sektor tjetër, duke qënë ky sektori më dominues në administratën publike. Sot profesioni i mësuesit nuk është më një profesion që braktiset për shkak të rrogave të ulëta. Sot mësimdhënia po shkon në të gjitha shkollat drejt dixhitalizimit. Sot të gjitha shkollat janë të pajisura me kabinet informatike, të furnizuara me internet dhe të pajisura me të gjitha kabinetet e tjera si kimie, biologjie, etj.
Pra po bëjmë gjithçka për modernizmin e mësimdhënies. Në një përpjekje të madhe ne ia kemi dalë që 92 % e nxënësve që mbarojnë shkollat 9 vjeçare, të ndjekin shkollat e mesme dhe mbi 70 % e atyre të cilët ndjekin shkollat e mesme, të kenë mundësi të ndjekin universitetet. Këto dy tregues janë shumë të rëndësishëm, janë dy tregues të cilët kanë vendet më të zhvilluara. Të mos harrojmë se vetëm pak vite më parë, ndjekjen e shkollave të mesme ne e kishim më të ulët rreth 62 % të atyre që mbaronin shkollat 8 vjeçare, kurse ndjekjen e shkollës së lartë e kishim edhe 3 deri 4 herë më të ulët se sa ce kemi sot.
Faktikisht, Shqipëria vetëm pak vite më parë do të ulte gjithsej në universitet e saj 6 mijë studente e studentë, një shifër kjo, shumë e ulët për një vend prej 3 milionë banorë. Ndërsa vitin që kaloi Shqipëria diplomoi 25 mijë studente dhe studentë.
Investimet në sektorin e arsimit kanë njohur gjithnjë rritje. Vetëm këtë vit është investuar për ndërtim dhe rindërtim shkollash 45 milionë dollarë, 17 % më shumë se në vitin 2006.
Rrogat e arsimtareve janë rritur nga 125 deri në 147 %. Ju garantoj se rritja do të vazhdojë dhe ne jemi të vendosur gjatë katër viteve që vijnë që rrogat e arsimtarëve të jenë 700 dollarë. Këtë vit funksionojnë në të gjithë vendin 400 klasa parapërgatitore të arsimit parashkollor. Pra 85 % e fëmijëve të klasës së parë, kanë ndjekur kopshtin dhe klasën parapërgatitore, pra kjo është një arritje e madhe por që ne jemi ambicioz dhe duam të shkojmë drejt 96 % të kapim shifrat më të larta që ekzistojnë.
Alternativa jonë për zhvillimin e Shqipërisë, ka në themel zhvillimin e dijes, arsimit, vendosjen e Shqipërisë së zhvilluar mbi shoqërinë e dijes, shoqërinë e shkolluar. Ndaj dhe ne në 4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për cilësi të reja në arsimin në të gjitha nivelet. Do të bëjmë gjithçka për konsolidimin e kurrikulave dhe kualifikimin e mëtejshëm të mësuesve.
Mësuese dhe mësues,
Sot ka një debat lidhur me rolin tuaj. Unë jam këtu për të thënë edhe në nderim të atyre që ranë për tu bërë të pavdekshëm për fjalën e lirë siç është edhe martiri, emrin e të cilit mban shkolla juaj, ju jeni misionarë të dijes dhe arsimit, por dhe qytetarë të lirë të një vendit të lirë dhe se ato bindje që i keni demokratë, socialistë dhe parti të tjera, jeni të hapur ti shpallni ato. Askush dhe asgjë nuk do të mund të kufizojë liritë tuaja politike. Ata të cilët, ju konceptojnë ju si robotë apolitikë i përkasin kohërave të shkuara.
Ndaj dhe mbrojtja nga secili i pikëpamjeve që do, që beson është e garantuar njëherë e përgjithmonë.
Dua ti them këtu atij shokut “Stop presionit ndaj mësuesit.” ka ikur koha që mund të behët presion mësuesve apo qytetarëve . Ata janë të lirë të mbrojnë çdo pikëpamje.
Edhe njëherë ju uroj shumë suksese. Garantoj qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë se projekti ynë është në çdo fshat, në çdo vend, ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë shkolla të njëjta me qytet e vendit. Ne do të bëjmë çdo gjë për rritjen e cilësisë së arsimit. Ne kemi dyfishuar buxhetin për arsimin. Ne do ta rrisim atë edhe me 40 % gjatë 4 viteve që vijnë. Edhe njëherë gëzuar shkollën,
Gëzuar festën e Abetares që keni së shpejti!
27/05/2013