E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha inauguron Qendrën e të Dhënave Qeveritare

-       “Horizonti i ardhshëm do të jetë Shqipëria Mobile, ku qytetarët shqiptarë nga telefoni i tyre celular të mund të marrin të gjitha të dhënat dhe shërbimet e këtij shteti”

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës së të Dhënave Qeveritare, një investim me vlerë 3 milionë dollarë dhe i realizuar në kuadër të projektit “Shqipëria Dixhitale”. Ky investim, i pari i këtij lloji në administratën publike shqiptare, pritet të shërbejë si një pikë kryesore e infrastrukturës së Teknologjisë së Informacionit të institucione të administratës. Aktualisht në këtë qendër të dhënash janë në funksionim mbi 12 shërbime të përqendruara qeveritare, për rreth 60 institucione të administratës publike që përfshijnë kryeministrinë, ministritë dhe institucionet e tyre të linjës.

Kryeministri Berisha e cilësoi ngritjen e kësaj qendre si një ngjarje shumë të rëndësishme dhe një arritje shumë të madhe. “Kam qenë dhe mbetem i bindur se kompjuteri, bota virtuale është leva e Arkimedit për të ndryshuar botën reale, për të ndryshuar jetën e individit”, u shpreh Kryeministri gjatë ceremonisë së inaugurimit të Qendrës së të Dhënave Qeveritare. Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu angazhimin për të bërë gjithçka që qytetarët e këtij vendi të jenë ata që përfitojnë më shumë se qytetarët e çdo vendi tjetër, në rajon dhe më gjerë, nga bota virtuale, ICT-ja.

Kryeministri Berisha, ndërsa renditi disa nga sukseset që ka arritur Shqipëria në këtë fushë, u shpreh se horizonti i ardhshëm do të jetë Shqipëria Mobile, ku qytetarët shqiptarë nga telefoni i tyre celular të mund të marrin të gjitha të dhënat dhe shërbimet e këtij shteti. “Udhëtimi ynë në botën virtuale nuk do të jetë ecje, por vrapim. Ne do të vrapojmë pas horizonteve të saj, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të ekonomisë shqiptare, pasi është faktuar se Teknologjia e Informacionit përbën një mekanizëm të sigurt, të qëndrueshëm dhe shumë të rëndësishëm të rritjes ekonomike të vendeve në zhvillim”, tha Kryeministri.

Qendra e të Dhënave Qeveritare është ngritur pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me një sipërfaqe prej 672 m² dhe përfshin 11 ambiente për infrastrukturën teknike, monitorimin dhe sigurimin e shërbimeve elektronike.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Në përpjekjen, në vendosmërinë dhe në projektin e kësaj qeverie për “Shqipërinë dixhitale” inaugurimi i Qendrës së të Dhënave është një ngjarje kyçe, një ngjarje shumë e rëndësishme dhe një arritje shumë e madhe. Ne inaugurojmë sot një Qendër të Dhënash të standardeve më të avancuara që ekzistojnë. Në memorien time është shumë i freskët momenti kur në një takim me përfaqësuesit e bizneseve të fushës, të ICT-së, unë u shpreha për renë kompjuterike (Cloud Computing). Ata nënqeshën, por sot kjo është një realitet, është vepër e tyre dhe përbën një arritje shumë të madhe. Ne instalojmë një Qendër të Dhënash dhe e instalojmë atë me standardet më të avancuara që ekzistojnë. Gjithnjë, prej shumë dekadash, kam qenë dhe mbetem i bindur se kompjuteri, bota virtuale është leva e Arkimedit për të ndryshuar botën reale, për të ndryshuar jetën e individit. Nga ky parim vjen dhe frymëzimi ynë për “Shqipërinë dixhitale”.

Shqipëria ka bërë këto vite hapa të jashtëzakonshme. Ajo 3 - 4 vite më parë kishte një nga rritjet më të larta në Evropë dhe në botë. Vitin e kaluar ajo renditej e dyta, pas Vietnamit, për gatishmërinë e rrjetit. Tirana këtë vit u klasifikua në 20 qytetet smart të planetit. Të gjitha këto kanë qenë dhe janë jashtë imagjinatës sonë, sepse imagjinata në botën virtuale ka dimensione shumë më të mëdha dhe është shumë më e shpejtë sasa ajo në mendjen tonë. Ndaj dhe mbetemi shumë të vendosur të bëjmë gjithçka që ky vend të shndërrohet në një superfuqi rajonale të ICT-së. Do të bëjmë gjithçka që qytetarët e këtij vendi të jenë ata që përfitojnë më shumë se qytetarët e çdo vendi tjetër, në rajon dhe më gjerë, nga bota virtuale, ICT-ja.

Sot po lexoja në dosjen time një ftesë që i vinte Agjencisë së Prokurimeve Publike. Organizohej konferenca e Prokurimeve Dixhitale në Portugali. Portugalia u bë vendi i parë në Bashkimin Evropian me prokurime dixhitale 100 përqind. Shqipëria këtë e ka një histori të shkuar. Do të shkojmë të raportojmë historinë e suksesit të Shqipërisë. Nuk ka sektorë, në tërë sektorët e tjerë, që të ketë një dinamizëm siç ka ICT-ja. Ndaj dhe është jetike të ndjekësh horizontin e tij. Horizonti i ardhshëm do të jetë m-Albania, Shqipëria Mobile. Ne do të bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë nga telefoni i tyre celular të mund të marrin të gjitha të dhënat dhe shërbimet e këtij shteti. Ky është objektivi. Dhe shumë shpejtë ju do të jeni dëshmitarë të akteve të mëdha në këtë drejtim. Ne do të shqyrtojmë çdo proces dhe do ta shndërrojmë atë jo vetëm dixhital, por mobile. Qytetarët të përdorin telefonat e tyre celularë, të cilët në Shqipëri kanë një nga penetrimet më të larta, 186 përqind. Falë punës së shkëlqyer që ka bërë AKEP-i dhe faktorë të tjerë, çmimet janë ulur 3-5 herë. Natyrisht, çmimi i internetit, pas fillimit këto kohë të furnizimit me internet me bandë super të gjerë dhe super të shpejtë, nga autostrada që inauguruam, do të ketë rëniet më të ndjeshme të merituara.

Investimi që ju shihni sot është një investim prej 3 milionë dollarë dhe një vëllim pune i konsiderueshëm. Për t’u lidhur agjencitë janë shtruar rreth 150 kilometër  fibër optike në kryeqytet. Ka dhënë në kontribut të madh Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila ka kryesuar të gjithë punën për ndërtimin e kësaj qendre më moderne, më të sigurt, truri virtual i shtetit shqiptar. Por një kontribut të madh kanë dhënë edhe një seri kompanish private, të cilat unë dua t’i përshëndes shumë përzemërsisht për punën e shkëlqyer që kanë bërë. Ato janë EnergySolutions, Advance Business Solutions, InfoSoft Systems, “Vllanzia Ndërtim”, Sanitermika. Këto janë kompanitë që kanë derdhur të gjithë mundin, djersën, punën e tyre në ndërtimin dhe vënien në funksion të kësaj qendre të rëndësishme.

Edhe një herë, dua t’ju falënderoj të gjithëve dhe t’ju siguroj se udhëtimi ynë në botën virtuale nuk do të jetë ecje, por vrapim. Ne do të vrapojmë pas horizonteve të saj, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë ekonomisë shqiptare, pasi është faktuar se Teknologjia e Informacionit përbën një mekanizëm të sigurt, të qëndrueshëm, shumë të rëndësishëm, të rritjes ekonomike të vendeve në zhvillim.

Suksese!”


18/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›