E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron bibliotekën e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, me vlerë 80 milion lekë

Kryeministri Berisha ishte sot mes studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, në mjediset tërësisht moderne dhe bashkohore të kësaj godine, për të inauguruar së bashku me ta, Bibliotekën e Universitetit, e cila sjell për studentët dhe stafin pedagogjik një gamë të gjerë informacioni e servirur me nivelin më të lartë të teknologjisë dixhitale.

Biblioteka është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 80 milion lekë, i cili i shtohet investimeve të tjera të rëndësishme të bëra gjatë 8 viteve në këtë universitet, duke shënuar të gjitha së bashku vlerën e 9 milion dollarëve.

Kryeministri i shoqëruar edhe nga Ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafaj, si dhe drejtues të universitetit, e pedagogë të tij, pa nga afër mjediset e bibliotekës dhe u njoh me procedurat e studimit në të.

Kryeministri vlerësoi si të jashtëzakonshme mundësinë që ju jepet studentëve dhe stafit pedagogjik për tu lidhur on-line, në 24 orë me bibliotekën e Universitetit të Oksfordit dhe për të shfrytëzuar prej saj rreth 250 tituj shkencorë, publikime të viteve 1996-2013, që ajo ofron në fusha si ekonomi, juridik, mjekësi e shkenca të tjera.

I asistuar nga pedagogu i fushës, kryeministri testoi këtë metodë kërkimi dhe u shpreh se shfrytëzimi i këtij universi informativ ndër më të pasurit dhe të gjithanshëm , është një avantazh i madh për studentët e këtij Universiteti, duke i dhënë atyre të njëjtin akses që ka çdo student universitet të Oksfordit ose çdo student, i universiteteve më të mira në botë.


09/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›