E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në katër vitet e ardhshme, paga e mësuesve do te jetë 700 dollarë

Kryeministri Berisha inauguroi sot shkollën 9-vjeçare “Adem Krasniqi” në Elbasan. Me një investim me vlerë rreth 17 milionë lekë, shkolla ka tashmë një laborator internet, sistem ngrohjeje dhe pajisje të reja.

Kryeministri Berisha tha se kjo shkollë i shtohet mbi 1300 shkollave të ndërtuara e rindërtuara të vendit gjatë këtyre viteve. Vetëm në qarkun e Elbasanit u ndërtuan dhe u rindërtuan 180 shkolla dhe kopshte.

Arsimi, - u shpreh Kryeministri, - ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të reformave dhe ndryshimit në Shqipërisë, ndërsa theksoi se pas modernizimit të infrastrukturës shkollore e të mësimdhënies, orientim kryesor mbetet fuqizimi i arsimit profesional, rritja e cilësisë, kualifikimi i vazhdueshëm i mësuesve.   

“Është jetike për ne, kualifikimi i vazhdueshëm i juaji. Në një botë që ndryshon me shpejtësi të madhe, në një botë ku dija bëhet gjithnjë e më madhe, edhe ne duhet të ndryshojmë. Ndaj, këtu në Elbasan, ne do të ngremë qendrën më të fuqishme të kualifikimit të mësuesve.”

Kryeministri garantoi se do të vazhdojë rritja e pagave të mësuesve dhe se gjatë mandatit të ardhshëm, paga e tyre do te jetë 700 dollarë.

Kryeministri Berisha i cilësoi absurde e të papranueshme deklaratat e opozitës se mësuesit janë më të padijshëm se 100 vite më parë.

“Ata që ishin 100 vite më parë janë pishtarët e dijes së këtij kombi dhe dritë e vlerë do të kenë gjithmonë, por Kristoforidhi, sikur të vizitonte sot këtë shkollë, do ta kishte shumë të vështirë të orientohej dhe do të gëzohej shumë, do mahnitej me suksesin e madh, me dijen e mësueseve e mësuesve të këtij vendi.”

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, ju përshëndes përzemërsisht të gjithëve këtu, ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të rindërtimit të shkollës së lagjes “Skënderbe”, shndërrimit të saj në një shkollë moderne, me të gjitha pajisjet, ku standardet më të mira europiane janë standardet me të cilat ulen në banka, nxënëset e nxënësit e kësaj lagjeje. Pajisjet, kabineti i informatikës, mësimi i gjuhëve të huaja janë dëshmi e progresit dhe e ndryshimit të madh që mësueset e mësuesit, nxënëset e nxënësit e kësaj shkolle kanë realizuar gjatë këtyre pak viteve. Me këtë shkollë, ne i shtojmë edhe një tjetër shkollë, të rindërtuar apo ndërtuar rishtas, të mbi 1300 shkollave në mbarë vendin. Në qarkun e Elbasanit janë ndërtuar e rindërtuar 180 shkolla, janë bërë investime të mëdha në fushën e arsimit. Vetëm në universitetin e këtij qyteti janë investuar mbi 900 milionë lekë në pajisje dhe godina, të domosdoshme për zhvillimin e mësimit.

Të dashur nxënëse e nxënës,

Ne kemi deklaruar e deklarojmë se arsimi për familjet shqiptare, për qeverinë shqiptare është e mbetet çështja më serioze. Përpjekjet e mëdha dhe investimet që janë bërë janë inkurajuese me rezultatet e marra, por ju garantoj se do të bëjmë çdo përpjekje, do ndërmarrim çdo lloj ndryshimi, do të bëjmë gjithçka për t’u ngjitur lart e më lart në shkallët e dijes, në këtë shkollë e në çdo shkollë në mbarë vendin. 

Para se të vija këtu po lexoja disa raporte ndërkombëtare, të cilat tregonin se në vitin 2000, Shqipëria qëndronte 50 përqind më ulët në cilësinë e arsimit, se republika fqinje e Maqedonisë. Po këto raporte konfirmonin se Shqipëria, me tre milionë banorë, diplomonte gjithsej gjashtë mijë vajza e djem. Ritme këto të një kohe të ndaluar. Po këto raporte konfirmonin se përqindja e nxënësve që kalonin nga klasat e teta e më pas të nënta në shkollat e mesme ishte rreth 68 përqind. Këta ishin treguesit që dëshmonin se mësueset e mësuesit ishin ndër më pak të paguarit në administratën e shtetit dhe se ata, për të përballuar jetën e tyre, bënin çdo përpjekje për të gjetur një punë tjetër, se me misionin e tyre fisnik të arsimtarit nuk përballonin dot jetën e tyre. Kjo ishte gjendja e arsimit.

Nga viti 2006 e deri më sot, ne bëmë gjithçka për ta ndryshuar këtë situatë. Ne deklaruam se reformën dhe ndryshimin tonë do ta bëjmë me mësuesin, duke e vendosur atë në piedestalin që meriton. Ne rritëm rrogat e tyre, më shumë se gjithë të tjerëve. Ne i rritëm ato nga 120 deri në 140 përqind, sipas kategorisë. Ju garantoj se kjo rritje do të vazhdojë, se gjatë mandatit të ardhshëm mësuesit e këtij vendi do të marrin një rrogë prej 700 dollarë.

Përdorimi i internetit në shkollat tona ishte pothuaj inekzistent. Kishte vetëm 40 shkolla me internet, ndërsa, sot, çdo shkollë ka internet, janë mbi 24 mijë kompjuter dhe ju jam fjalën se katër vitet që vijnë, ju të dashur nxënëse e nxënës do të keni kompjuter për numër nxënësish njëlloj si vendet e zhvilluara të Europës.

Shpërbërja e arsimit profesional, i cili ishte i orientuar në masën mbi 90 përqind drejt fermave dhe kooperativave, bëri që në Shqipëri të kishte një rënie dramatike të arsimit profesional. Ne e shpallëm arsimin profesional, një përparësi madhore tonën. Bëmë gjithçka për të orientuar arsimin tonë drejt profesioneve. Vetëm nga viti 2009-2013 ka një rritje prej 38 përqind të nxënësve në shkollat profesionale. Këtu në Elbasan dhe në qytete të tjera kemi ngritur shkolla profesionale model, qendra të formimit profesional. Përpjekjet janë të mëdha, por, natyrisht, shumë na mbetet për të bërë, për të realizuar ambiciet tona. Ndaj ne do të bëjmë gjithçka për dijen dhe shkollimin.

Në këtë fushatë elektorale ka shpërthyer një sulm i padenjë ndaj misionarëve tanë të dijes, mësueseve dhe mësuesve tanë. Ata kanë qenë e janë njerëzit më të dashur të fëmijëve tanë, njerëzit që u mëkojnë atyre dijet dhe qytetarinë, me një dashuri e përkushtim të veçantë. Këto kohë është botuar një raport i autoritetit më kryesor në botë për vlerësimin e sistemit shkollor parauniversitar. Ju mësueset e mësuesit e Shqipërisë duhet ta dini se për dashurinë dhe përkushtimin tuaj ndaj nxënësve, në këtë raport, ne renditemi të parët në botë. Natyrisht, në aspekte të ndryshme kemi rrugë të gjatë e të vështirë për të bërë, por dua të them se këtë rrugë që na ka mbetur do të bëjmë gjithçka për të ecur më lart e kjo do realizohet. Më të vështirë e kanë të tjerët të kapin raportin tonë njerëzor midis mësuesve dhe nxënësve. Ky raport është kusht kryesor për mbarëvajtjen, funksionim e performancën e shkollave tona. Në këtë raport, përsëri në meritën tuaj, përkushtimin dhe  vendosmërinë tuaj për të ndryshuar shkollat e sistemit arsimor, Shqipëria renditet e treta në botën e zhvilluar, për shpejtësinë e ndryshimit. Ky raport fton Shqipërinë, mësueset e mësuesit shqiptarë të bëjnë përpjekje shumë më të mëdha, që dijet që ju japin nxënësve të jenë më praktike, më funksionale, më të aplikueshme.

U ndala në këtë raport, sepse me një zemërligësi ekstreme u përdorën dhe u interpretuan kokëposhtë të dhënat e tij. Duke thënë këtë, të dashur mësuese e mësues, është jetike për ne, kualifikimi i vazhdueshëm i juaji. Në një botë që ndryshon me shpejtësi të madhe, në një botë ku dija bëhet gjithnjë e më madhe, edhe ne duhet të ndryshojmë. Ndaj, këtu në Elbasan, ne do të ngremë qendrën më të fuqishme të kualifikimit të mësuesve. Është e papranueshme, është absurde të shpallësh sot mësuesit injorantë dhe të padije, apo të deklarosh se mësuesit  e100 viteve më parë ishin më të dijshëm se të sotmit. Ata që ishin 100 vite më parë janë pishtarët e dijes së këtij kombi dhe dritë e vlerë do të kenë gjithmonë, por Kristoforidhi, sikur të vizitonte sot këtë shkollë, do ta kishte shumë të vështirë të orientohej dhe do të gëzohej shumë, do mahnitej me suksesin e madh, me dijen e mësueseve e mësuesve të këtij vendi. Nuk mund të shpallësh mësuesit të padijshëm apo që dinë më pak se ata 100 vjet më parë, nuk mund të shprehesh për nxënësit se hynë në klasa si dele. Klasat nuk janë vathe, por janë qendra të fuqishme edukimi e qytetarie. Ndaj ju ftoj të ecim përpara, të bëjmë gjithçka që drita e dijes të ndriçojë gjithnjë e më shumë çdo mendje, çdo zemër të qytetarëve shqiptarë, të këtyre fëmijëve që janë arkitektë të shkëlqyer të së ardhmes sonë. Edhe një herë gëzuar shkollën!” 


09/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›