E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve në rrugën Perondi – Kuçovë dhe përfundimin e rrugës në fshatin Tapi, komuna Perondi

Kryeministri Berisha në vijim të vizitës që po zhvillon sot në qarkun e Beratit inauguroi fillimisht nisjen e punimeve në rrugën Perondi – Kuçovë, me gjatësi 3.5 kilometër dhe investim me vlerë 45 milionë lekë. Më pas, Kryeministri inauguroi përfundimin e rrugës në fshatin Tapi, komuna Perondi, investim me vlerë 30 milionë lekë. Të dyja këto rrugë ndërtohen nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në kuadër të përmirësimit të rrugëve lokale dhe dytësore.

Në këto vite në komunën Perondi janë investuar mbi 4.5 milionë dollarë. Në të janë ndërtuar mbi 14 kilometra rrugë, investim me vlerë 1.8 milionë dollarë, si rrugët Magjatë - Goraj – Velagosht; Qendër Perondi-Lapardha; Meteor-Kthesa e Tapisë, etj. Gjithashtu, janë ndërtuar 14 ujësjellës, kanalizime të ujërave të zeza dhe kanale vaditëse në fshatrat Magjate, Tapi, në lagjen Bellaj të Perondisë, etj., investime me vlerë 1.4 milion dollarë; janë ndërtuar 3 qendra shëndetësore dhe ambulanca. Afro 700 mijë lekë janë investuar për rikonstruksionin e Kishës së Perondisë. Në këtë komunë janë subvencionuar 350 fermerë, me 50 milionë lekë, ku janë mbjellë 200 hektarë tokë.

Kryetari i komunës së Perondisë, zoti Rexhep Hajderaj, vlerësoi investimet e bëra në këtë komunë, ndërsa theksoi se “këto investime janë realizuar në një periudhë shumë të shkurtër kohore, falë mbështetjes së qeverisë dhe Kryeministrit Sali Berisha”. “Ne, - u shpreh ai, - jemi sot për të treguar se çfarë kemi bërë, por edhe se çfarë do të bëjmë pas 23 qershorit me kontratën e re që do të lidhim me qeverinë e Kryeministrit Berisha, ku do të ndërtohen pritat e lumit Osum, ne fshatin Tapi dhe faza e dytë e rrugës Magjate – Goraj – Velagosht”. Në këta takim, ai paraqiti edhe kërkesën për rindërtimin e shkollës së mesme të komunës Perondi,  e cila mund të profilizohet në shkollë profesionale bujqësore.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje ndaj banorëve të komunës Perondi për mbështetjen e vazhdueshme që ata i kanë dhënë Partisë Demokratike. Kryeministri Berisha u shpreh se në katër vitet që vijnë do të ndërtohet rruga Magjatë – Goraj - Velagosht dhe çdo rrugë tjetër në këtë komunë; do të rindërtohet shkolla e mesme e komunës dhe ajo do të profilizohet në bujqësore, si dhe ndërtimi i çdo shkolle tjetër në këtë komunë, në Berat e kudo; do të ndërtohen pritat mbrojtëse për tokat në fshatin Tapi; do të vendoset një sistemi modern vaditje.

Në fjalën e tij drejtuar banorëve të komunës Perondi, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur banorë të komunës Perondi,

Së pari ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe ju falënderoj me mirënjohje të thellë për këtë pritje të përzemërt, por edhe për mbështetjen që ju i keni dhënë Partisë Demokratike. Unë vij sot tek ju me zotimin tim solemn se do të bëjmë gjithçka që djersa juaj dhe mundi juaj të shpërblehet sa më mirë për ju, për familjet tuaja, të begatoheni sa më shumë, të nxirrni fitime gjithnjë e më të mëdha nga puna juaj, nga fermat tuaja.

Ndaj dhe premtimet e mia janë këto: së pari ndërtimi i rrugës Magjatë- Goraj-Velagosht dhe i çdo rruge tjetër në komunën tuaj; ndërtimi i shkollës së mesme në komunën tuaj, profilizimi i saj në bujqësore dhe ndërtimi i çdo shkolle tjetër në këtë komunë, në Berat dhe kudo; mbrojtja e tokave nga Osumi në fshatin Tapi; vendosja e një sistemi modern vaditje për ju fermerët e Beratit dhe të gjithë Shqipërisë.

Vëllezër e motra,

Në Perondi, Berat dhe në mbarë Shqipërinë ne kemi financuar 42 mijë projekte të fermerëve shqiptarë. Unë jam këtu për t’ju dhënë fjalën ju se në 4 vitet që vijnë do të financojmë 3-fishin e tyre dhe do të rrisim grantin për ju, nga 56 milionë dollarë në 165 milionë dollarë. Unë jam këtu për tu zotuar para jush se do të rimbursojmë me para në dorë akcizën e naftës, plehrat kimike, traktorë, makineri dhe çdo gjë që ju përdorni për prodhimin bujqësor.

Unë jam këtu, gjithashtu, për t’u zotuar para jush se do të vazhdojmë rritjen e madhe të pensioneve dhe rrogave, në fshat edhe qytet. Premtimi im solemn para jush është se do të mbrojmë me forcën e ligjit prodhimet tuaja nga dyndje të prodhimeve të tjera.

Shoku i autobusit mavi premton heqjen e TVSH-së për qumështin, çka do të thotë që qumështi i lopëve tuaja të mbetet pa shitur, sepse po erdhën gjemitë me qumësht pluhur dhe qumësht tjetër pa TVSH-së, atëherë ai do të shitet më një çmim që do të mbysë prodhimin vendas të qumështit. Autobusi mavi premton të heqë TVSH-së për miellin, në mënyrë që në Shqipëri askush të mos ketë më leverdi të mbjellë grurë apo misër. Shoku i autobusit mavi erdhi këtu në Berat dhe deklaroi se vaji i ullirit ka mbetur pa shitur. Ai tani premton të heqë TVSH-në për vajin e ullirit, çka do të thotë që ju të mos shisni dot edhe 1 litër vaj, sepse vajrat e vendeve që kanë 600-700 milionë rrënjë ullinj do të pushtojnë Shqipërinë.

Ndaj dhe ne zotohemi ta mbajmë TVSH-në për këto ushqime, por zotohemi të rrisim rrogat dy herë më shumë se çmimet, të rrisim pensionet dy herë më shumë se çmimet. Ne zotohemi të vendosim rrogën e 13 për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore. Zotohem të heqim për bizneset, këtu dhe kudo, çdo taksë dhe tarifë doganore për makineritë edhe materialet që do të përdoren për prodhim.

Qytetarë dhe qytetarë, banorë të Perondisë,

Për ne integrimi evropian është jetik, sepse ky proces garanton për ju qindra milionë euro fonde për infrastrukturën tuaj, për vaditje, për rrugë, për agrobiznes.

Ndaj dhe ju ftoj që më 23 qershor të bashkoheni me ne për një mbështetje më të madhe për fermat tuaja, për infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve, për rroga dhe pensione më të larta. Bashkohuni me ne për integrimin e Perondisë, të Beratit dhe të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Votoni 44-ën! Votoni Partinë Demokratike!

Përpara! Përpara! Përpara!

Rrofshi ju! Rroftë Berati!

Fitore!”


07/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›