Kryeministri Berisha inauguron në Kavajë, Pallatin e ri të Kulturës, një investim me vlerë 236 milionë lekë
Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në inaugurimin e Pallatit të ri të Kulturës në Kavajë, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 236 milionë lekë. Pallati i Kulturës një qendër multifunksionale, mban emrin “Kavaljon”, që është edhe emri më i hershëm i qytetit të Kavajës.
Duke vizituar ambientet e këtij Pallati kryeministri i shprehu drejtuesve vendorë të pranishëm se qeveria do të mbështesë të gjithë përpjekjen e tyre për të shndërruar këtë pallat në një qendër të fuqishme të jetës kulturore artistike, por edhe shkencore të studimeve me të gjitha potencialet e saj.
Kryeministri Berisha ka vizituar ekspozitën e arteve figurative e çelur në ambientet e Pallatit të Kulturës, ku u njoh nga afër me punimet e artistëve kavajas që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Ai vizitoi edhe sallën e bibliotekës si dhe bibliotekën elektronike.
Duke i vlerësuar për punën e bërë, kryeministri u shpreh:
“Ju uroj një fitore të thellë në Kavajë dhe mbarë Shqipërinë. Një fitore dinjitoze për të nderuar Josif Budën dhe të gjithë qytetarët e Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë, në këtë 20 vjetor të përmbysjes së regjimit diktatorial të bllokmenëve hoxhiste, qëllimi është që të shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve me vendosmërinë më të madhe, për një proces zgjedhor më të bukur që ka njohur Shqipëria. Për një proces zgjedhor ku dinjiteti dhe vullneti i çdo qytetari të respektohet dhe të shprehet lirshëm.
Natyrisht që qytetarët nuk e kanë ndërmend të votojnë për ndonjë gjë tjetër, veçse për ato që ju interesojnë atyre, fëmijëve të tyre , fqinjëve të tyre, komuniteteve, bashkive dhe komunave.
Ne duhet ta shndërrojmë këtë fushatë në një fushatë më njerëzore që është zhvilluar ndonjëherë dhe për këtë arsye edhe aleancën ne e quajtëm “Aleanca e Qytetarit”. Për këtë arsye ne, të gjithë programin tonë do ta fokusojmë, do ta boshtëzojmë tek qytetari për qytetarin me qytetarin. Kjo mbetet si rruga më e sigurtë për objektivin tonë madhor, për të ndërtuar gjatë saj mijëra projekte që i duhen këtij vendi për tu shndërruar në një Shqipëri të zhvilluar.
“Kavaljoni” është një dëshmi e kësaj përpjekje e kësaj dëshire dhe ju e parë se çfarë ekspozite, çfarë mundësie u krijua për piktor, për skulptorët, artistët e Kavajës, ne pamë vetëm artet pamore, sepse Kavaja ka potenciale shumë të mëdha krijues kulturore dhe ashtu siç pamë atë ekspozite të mrekullueshme, të veprave do të thosha dhe kryeveprave në pikturën tonë, të talenteve, por edhe të piktorëve më të moshuar.
Pra siç pamë atë ekspoze në hollet e saj jepet garanci nga drejtori që të gjitha mjediset e saj do të shndërrohen në mjedise të këtyre aktiviteteve, pra koncerteve, librarisë, librarisë dixhitale, të shfaqjes së filmave, pra do të jete një epiqendër e fuqishme e nxitjes e zhvillimit të kulturës dhe arteve në këtë qytete të talenteve të mëdha”.
26/03/2011