E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Konkursit Kombëtar SIFE Albania 2010

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Konkursit Kombëtar SIFE Albania 2010

-Kryeministri u shpreh se veprimtaria e studentëve në fushën e biznesit ka një rëndësi të madhe për vendin, sepse tek biznesi dhe biznesmenët qëndrojnë promotorët dhe vektorët e zhvillimit të këtij vendi.

-Kryeministri garantoi studentët se qeveria do të mbështesë në mënyrë konkrete dhe të fuqishme garën dhe përpjekjen e tyre dhe se do ta inkurajojë këtë garë me të gjitha mundësitë që ka.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në ceremoninë e ndarjes së çmimeve fituese për konkursin Kombëtar SIFE Albania 2010. Në këtë ceremoni, e cila tashmë ëhstë kthyer në traditë merrnin pjesë studentë nga universitete të ndryshme të vendit, pedagogë, si dhe përfaqësues të biznesit dhe drejtues të SIFE.

Në Konkursin Kombëtar SIFE Albania 2010, 11 Universitete do të prezantojnë rezultatet e projekteve të tyre, për të përcaktuar se cili ekip kishte më shumë impakt në komunitetet e tyre.

SIFE (Studentët në sipërmarrjen e lirë) është një organizatë jo-fitimprurëse që mobilizon studentët e universitetit për të krijuar mundësi ekonomike për të tjerët ndërkohë që zbulojnë potencialin e tyre. Studentët e SIFE krijojnë ekipe në universitete dhe zhvillojnë projekte edukative që i drejtohen publikut dhe i mësojnë të tjerët mbi sipërmarrjen, ekonominë e tregut, etikën në biznes dhe financat në komunitetet e tyre.

Kryeministri Berisha i cili u ftua nga organizatorët të shpallte fituesin e cmimit të parë të këtij konkursi u shpreh se ndihej i nderuar që merrte pjesë në një ngjarje kaq të rëndësishme për universitetet dhe biznesin shqiptar.

Kryeministri tha se SIFE Albania është shndërruar në një nga garat më të bukura, më fisnike, më të rëndësishme dhe më të suksesshme të vendit.

Duke përgëzuar studentët për punën e realizuar, kryeministri u shpreh se angazhimi i tyre në hartimin e dhjetëra, dhjetëra projekteve, i bën ata të zhvillojnë aftësinë e projektimit dhe të menaxhimit, duke garantuar kështu një gjeneratë të ardhshme të shkëlqyer të burrave dhe grave të biznesit shqiptar.

Kryeministri garantoi studentët se qeveria do të mbështesë në mënyrë konkrete dhe të fuqishme garën dhe përpjekjen e tyre dhe se do ta inkurajojë këtë garë me të gjitha mundësitë që ka. “Veprimtaria juaj ka një rëndësi të madhe për vendin sepse tek biznesmenët qëndrojnë promotorët dhe vektorët e zhvillimit të këtij vendi.”, tha Kryeministri

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Të nderuar përfaqësues të kompanive Vodafon dhe Agna grup , që sponsorizoni këtë aktivitet kaq të rëndësishëm,

Të dashur studentë dhe studente, pedagogë dhe pedagoge të universiteteve të vendit,

Së pari dëshiroj tu përshëndes shumë përzemërsisht, tu falënderoj për ftesën që më bëtë dhe nderin e madh që të jem i pranishëm sot në këtë ngjarje shumë të rëndësishme për universitete dhe biznesin shqiptar.

SIFE Albania ëhstë shndërruar në një nga garat më të bukura, më fisnike, më të rëndësishme dhe më të suksesshme të vendit. Përfaqësuesit e SIFE Albania kanë konkuruar me zotësi, dinjitet,mencuri në të gjitha konkurset e mëdha evropiane dhe botërore dhe janë vlerësuar ndër më të mirët, por puna që bëni ju në këtë garë fisnike ëhstë një punë jashtëzakonisht e rëndësihme. Së pari , të angazhuar në hartimin e dhjetra, dhjetra projekteve, ju zhvilloni aftësinë e projektimit, aftësinë e menaxhimit, duke garantuar kështu një gjeneratë të ardhshme të shkëlqyer të biznesmenëve dhe grave të biznesit shqiptar.

Në garë sot janë 11 universitete të vendit. Studentët në këtë garë kanë projektuar dhe zbatuar rreth 47 projekte , të cilat kanë patur një impact qartësisht pozitiv në një komunitet të gjerë prej 15 mijë qytetarësh.

Unë ju garantoj ju se qeveria do të mbështesë në mënyrë konkrete dhe të fuqishme garën dhe përpjekjen tuaj dhe se do ta nxisë atë me të gjitha mundësitë që ka. Do ti kërkojë agjencive përkatëse të koordinojnë më mirë në universitet me liderët e SIFE Albania, në mënyrë që edhe më shumë, ju të keni mundësi të shihni produkte më të mëdha të punës suaj.

Së shpejti, në Shqipëri do të fillojnë të operojnë në fushën e biznesit social, rrjeti i nobelistit Muhamed Junus. Ju do të jeni më të mirët e të mirëve që këtë rrjet të biznesit social ta shtrini dhe ta rrjetëzoni, në betejën më fisnike të njeriut, beteja kundër varfërisë. Dhe nuk ka asnjë antidot më të sigurtë se sa zhvillimi, inkurajimi, investimi, financimi i biznesit.

Veprimtaria juaj ka një rëndësi të madhe për vendin sepse tek biznesmenët qëndrojnë promotorët dhe vektorët e zhvillimit të këtij vendi.

Para se të vija këtu unë pashë disa statistika, njëra prej tyre më gëzoi pa masë. Në katër muajt e parë të këtij viti në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve janë regjistruar gjithsej 7540 biznese, janë regjistruar 2300 biznese më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në një platformë reformash shumë planëshe qeveria është e angazhuar të shndërrojë këtë vend në vendin me klimën më miqësore ndaj bizneseve. Qeveria, këtë mund të bëjë, të tjerat i bëni ju, në garën tuaj fisnike dhe shumë të suksesshme.

Ndaj dhe unë duke shprehur krenarinë time për rezultatet tuaja edhe në këtë garë brenda vendit, por edhe në konkurset ndërkombëtare, ku ju keni marrë dhe merrni pjesë, kam privilegjin e madh të shpall edhe kampionin e kësaj gare.

çmimin e parë, të cilin juria ia akordon universitetit të Tiranës.


08/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›