Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e punimeve për rindërtimin e shkollës 9 vjeçare, Nr.1 në Fushë-Krujë
Kryeministri Berisha: Ne përgatitemi sot për Fushë Krujën evropiane, për Shqipërinë evropiane. Fushë–Kruja evropiane dhe Shqipëria evropiane ndërtohet vetëm mbi bazën e standardeve moderne, në shkollat tona, në spitalet tona, në rrugët tona, në tregjet tona , në fermat tona, ndaj dhe jemi të vendosur që bashkërisht të ecim të sigurtë, në procesin e ndryshimit të madh e të Shqipërisë.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në inaugurimin e përfundimit të punimeve për rindërtimin dhe shtesën e re të Shkollës 9- vjeçare Nr.1 të Fushë-Krujës.
Ky investim prej 71 milion lekësh të reja ka krijuar për nxënësit, një mjedis bashkëkohor, modern që përfshin 31 klasa të reja, laboratorë informatike, kimie, fusha sportive, palestër dhe bibliotekë.
Kjo shkolle e re është vazhdim i investimeve të vazhdueshme në Bashkinë e Fushë Krujës, e cila gjatë viteve të fundit është shndërruar në bashkinë e investimeve të mëdha. Kështu gjatë qeverisjes demokratike investimet janë shtuar me 28 herë më shumë se gjatë qeverisjes së mëparshme, duke shënuar shifrën e 1.1 miliard lekëve, kundrejt vetëm 40 milionë lekëve, të investuara nga qeveria socialiste.
Për sa i përket infrastrukturës janë shtruar 44 kilometra rrugë, që përfshijnë ndërtimin e të gjitha rrugëve lidhëse të fshatrave dhe lagjeve të qytetit. Gjithashtu po punohet në rrugën Fushë Krujë – Krujë – Sarisalltek, investim me vlerë 460 milionë lekë. Autostrada Milot – Fushë Krujë, vlera e investuese e së cilës, deri tani ka arritur në 7.2 miliardë lekë, po mbërrin në Thumanë dhe do të vazhdojë drejt Fushë Krujës e Tiranës.
Po kështu në vjeshtë do të fillojë investimi i Unazës së Fushë Krujës me vlerë 1.9 milionë $ nga FSHZH. është ndërtuar ujësjellësi dhe rrjeti i kanalizimeve me vlerë 2 milionë $.
Gjithashtu janë ndërtuar 6 qendra shëndetësore dhe 3 shkolla të reja e kopshte për fëmijë.
- I shoqëruar nga Ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafai dhe drejtues të pushtetit lokal, Kryeministri Berisha vizitoi mjediset e reja të shkollës dhe më pas, u takua me nxënës, mësues, prindër e banorë të Fushë Krujës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha u shpreh se në programin e qeverisë, fëmijët shqiptarë dhe arsimimi i tyre janë dhe do të mbeten përparësia më madhore.
Kryeministri theksoi se qeveria është e vendosur që shkolla të këtij niveli të ketë në të gjitha komunat e bashkitë e vendit, në mënyrë që fëmijët shqiptarë, në mbarë territorin e Shqipërisë, të ulen në klasa moderne, të kenë laboratorë modernë, për të marrë dijet dhe për tu përgatitur për Shqipërinë e ardhshme.
Duke vlerësuar rolin dhe misionin shumë të rëndësishëm të mësuesit, kryeministri theksoi se qeveria është e vendosur, që në të gjithë këtë përpjekje për fëmijët, në epiqendër të vendoset mësuesi, përgatitja, trajnimi dhe mbështetja e tij. “Ne kemi bindjen më të thellë se duke mbështetur mësuesin shqiptar, duke i trajnuar ata, duke i ndihmuar ata, kjo është rruga më e sigurtë, për rritjen gjithnjë e më tepër, të cilësisë së arsimit dhe arsimit në tërësi.”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri garantoi se të gjitha këto investime, do të vijnë duke u shtuar në të ardhmen, në mënyrë që të lehtësojnë dhe përmirësojnë sa më shumë, jetesën e qytetarëve të Fushë-Krujës dhe të mbarë Shqipërisë.
Në fjalën e tij, drejtuar nxënësve, mësuesve e banorëve të Fushë-Krujës, kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur nxënëse, nxënës, mësues e mësuese, prindër, familjarë të shkollës 9 vecare, nr 1 të Fushë Krujës që sapo inauguruam së bashku.
Inaugurimi i kësaj shkolle, rindërtimi dhe shtesa në tërësi prej 31 klasash dhe mjedisesh sportive, palestër dhe bibliotekë, laboratore modernë të informatikës dhe shkenca të tjera, përbën një investim prej 71 milion lekë të reja, përben një ngjarje të madhe për të gjithë nxënesit e kësaj shkolle, prindër e familjarë, por edhe për komunitetin e qytetit të Fushë Krujës.
Ne, në programin tonë si qeveri, kemi patur dhe do të kemi, për sa kohë që shqiptarët do të na votojnë, arsimin, si përparësi të të gjitha përparësive, sepse fëmija është përparësia e cdo shqiptari, fëmija është përparësia e çdo familje shqiptare, fëmija është e do të jetë përparësia e qeverisë sime.
Ndaj dhe ne kemi vendosur që sikundër kjo shkollë, të ndërtojmë dhe të rindërtojmë gjatë këtij mandati dhe të gjitha shkollat në mbarë territorin e Shqipërisë, kudo që ato ndodhen, në mënyrë që fëmijët shqiptarë të ulen në klasa moderne, të kenë laboratorë modernë, për të marrë dijet dhe për tu pregatitur për Shqipërinë e ardhshme.
Ne jemi të vendosur që në të gjithë këtë përpjekje për fëmijët tanë, në epiqendër të vendosim mësuesin, përgatitjen e tij, trajtimin e tij, mbështetjen e tij.
Ne kemi bindjen më të thellë, se duke mbështetur mësuesin shqiptar, duke trajnuar ata, duke i ndihmuar ata, kjo është rruga më e sigurtë, për rritjen gjithnjë e më tepër të cilësisë së arsimit dhe arsimit në tërësi.
Ne përgatitemi sot, për Fushë Krujën evropiane, për Shqipërinë evropiane. Fushë Kruja evropiane dhe Shqipëria evropiane ndërtohet vetëm mbi bazën e standardeve moderne, në shkollat tona, në spitalet tona, në rrugët tona, në tregjet tona, në fermat tona, ndaj dhe jemi të vendosur që bashkërisht të ecim të sigurtë në procesin e ndryshimit të madh e të Shqipërisë.
Në një hark kohor, prej më pak se dy vitesh, sot ne mblidhemi këtu si anëtarë të NATO-s, mblidhemi këtu si qytetarë të një vendi që ecën i sigurtë në rrugën evropiane, mblidhemi këtu si qytetarë të një vendi , i cili ndonëse ka njërën prej ekonomive më të hapura në Evropë, ka dhe njërën prej ekonomive më të qëndrueshme. Jemi të vendosur që të procedojmë me reformat në të gjitha fushat, në veçanti ekonomia mbetet një përparësi madhore pasi pa reformat ekonomike, reformat e tjera nuk do të mund të realizoheshin.
Sot, në politikën shqiptare po realizojmë përpjekjen e madhe shqiptare, për integrimin evropian, mendimin evropian shqiptar, përpjekjen për ndërtimin e Shqipërisë evropiane, investimet e mëdha , në rrugë, ura, shkolla, kanalizime, spitale, në të gjitha fushat, një ekonomi e cila qëndron jashtë krize dhe përballon me dinjitet pasojat e saj. Por krahas saj , të dashur qytetarë dhe qytetare është rikthyer kultura e Bllokut, me ardhjen në krye të Partisë socialiste të pinjollëve të Bllokut, në Shqipëri bëhet një propagandë moniste, të cilën etërit do tua kishin lakmi. Sipas saj, në Shqipëria dielli ka ndaluar, sipas saj ekonomia shqiptare është e rrënuar, sipas saj vendi po zhytet gjithnjë e më shumë në varfëri, sipas saj Shqipëria ka rritur borxhin me 800 %, paçka se e ka ulur atë nga 70 në 59 %.
Sipas kësaj propagandë të mirëfilltë kulturë blloku , nuk po ndërtohen rrugë të reja, nuk po ndërtohen shkolla të reja, nuk po ndërtohen ujësjellës të rinj, paçka se po përfundohen me qindra e qindra projekte në mbarë Shqipërinë. Sipas kësaj kulture, shqiptarët janë për tu mashtruar, shqiptarëve mund tu servirin çdo gënjeshtër, çdo trillim, çdo mashtrim. Sipas kësaj kulture e keqja jote, është e mira e tjetrit.
Asnjë interes për ju nuk kanë. çdo gjë këta shokë apo zotërinj e matin me interesin e tyre personal apo familjar. Kultura e bllokut, antikultura e bllokut është shprehje e dështimit total të lidershipit të Partisë Socialiste. Antikultura e bllokut është dëshmi e faktit se ata, në 20 vite kanë mbetur njëlloj si etërit e tyre. Antikultura e bllokut është një antikulturë fund e krye kundër integrimit të Shqipërisë në BE.
Në emër të kësaj antikulture përpiqet të shkelmohet vota juaj. Në emër të kësaj antikulture përpiqen të dhunojnë votën tuaj, vullnetin tuaj. Në emër të kësaj antikulture u përpoqën të bllokojnë rrugët e vendit, u bllokua bulevardi i vendit. Në emër të kësaj antikulture shpifet dhe trillohet çdo ditë, por unë kam bindjen më të thellë se hijet e së shkuarës s’do munden të pengojnë kurë dritën e të sotmes dhe të ardhmes sonë.
Ne nuk kemi një rrugë të lehtë për të bërë, por ne kemi një rrugë të ndershme, kemi një rrugë me diell, kemi një rrugë me sukses të padiskutueshëm, ndaj dhe jam sot këtu për të ftuar të gjithë qytetarët e Fushë-Krujës, pavarësisht nga bindjet e tyre politike që të bashkohen me ne, në përpjekjen tonë evropiane, të bashkohemi për të ecur me shpejtësi drejt integrimit evropian, për të ndërtuar një Shqipëri tjetër nga ajo që trashëguam, për të ndërtuar dinjitetin tonë, mbi bazën e djersës, mundit, por edhe shpërblimit.
Jam sot këtu, për tu garantuar ju, se më 1 korrik në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër dhe më shumë se në çdo vend tjetër do të rriten rrogat dhe pensionet e 820 mijë shqiptarëve. Dhe e bëjmë këtë jo se kriza botërore nuk ka patur pasoja, kriza ka patur pasoja, por do të kursejmë çdo gjë për të rritur rrogat e shqiptarëve.
Vetëm nga reforma e transportit të funksionarëve, ne ia kemi dalë të kursejmë mbi 40 milionë euro. Qe të gjitha do të shkojnë në rrogën e mësuesve, të mjekëve, të punonjësve të policisë, të ushtarakëve dhe mbarë punonjësve të rendit.
Dhe po kështu, në rast se ne do të kursejmë në fusha të tjera do ta bëjmë në mënyrë që të rrisim rrogat, të rrisim pensionet, të lehtësojmë gjithnjë e më shumë jetesën e familjeve shqiptare.
Rrofshi ju, rroftë Fushë-Kruja, Rroftë Shqipëria.”
09/06/2010