E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miraton Strategjinë për riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, 2010-2015 dhe planin e veprimit të saj

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për "Miratimin e Strategjisë për riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, 2010-2015 dhe planit të veprimit të saj.”

Strategjia e miratuar paraqet politikën e qeverisë për shtetasit shqiptarë të kthyer, e cila konsiston në sigurimin e kthimit të qëndrueshëm të tyre, përmes lehtësimit të procesit të riintegrimit, duke synuar minimizimin e kostove të migracionit, rritjen e përfitimit dhe nxitjen e kontributit të shtetasve shqiptarë të kthyer për zhvillimin ekonomik të vendit.

Strategjia, e cila bën një analizë të situatës aktuale, të bazës ligjore dhe institucionale, paraqet objektivat dhe masat për të ardhmen, të fokusuara në riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, në një perspektive pesë vjeçare.

Kjo strategji dhe plani i saj i veprimit kanë si objektiv kryesor, përmirësimin e kuadrit ligjor për mbështetjen e riintegrimit, si dhe sigurimin e strukturave efektive me burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për institucionet publike, për të garantuar mbështetjen e riintegrimit të të kthyerve. Në hartimin e kësaj strategjie janë angazhuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare që operojnë në këtë fushë dhe donatorë të huaj, të cilët janë ftuar nga qeveria të marrin pjesë në zbatimin efikas të saj.

Në fokusin e strategjisë dhe planit të veprimit janë shtetasit shqiptarë të kthyer në kuadër të marrëveshjes së ripranimit KE- Shqipëri dhe marrëveshjeve dypalëshe që vendi ynë zbaton, si dhe shtetasit shqiptarë që i nënshtrohen formave të tjera të kthimit të detyruar ose vullnetar.


09/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›