E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Presidentin e Rumanisë, zotin Trajan Basesku

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim Presidentin e Rumanisë, zotin Trajan Basesku dhe delegacionin që e shoqëronte.

Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen presidentin Basesku për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Rumania i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë të veçantë për anëtarësimin në NATO dhe për ecjen përpara me shpejtësi në të gjitha hapat drejt integrimit evropian dhe proceset e lidhura me të.

Presidenti Basesku, duke falënderuar Kryeministrin Berisha për pritjen i shprehu atij mbështetjen e plotë të Rumanisë për të gjitha hapat e mëtejshme të integrimit të Shqipërisë në BE dhe proceset re tjera të lidhura me të, siç është heqja e vizave për shqiptarët, brenda këtij viti. Rumania, tha Presidenti Basesku, ka një interes të madh që Shqipëria dhe vendet e tjera aspiruese të Ballkanit Perëndimor të bëhen sa më shpejt anëtare të familjes europiane.

Në takim, u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve si dhe miqësia tradicionale mes të dy popujve e shprehur edhe me mbështetjen që populli rumun i dha komunitetit të shqiptarëve të Bukureshtit, të cilët dhanë një kontribut të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar në fillimet e shekullit të kaluar.

Më tej, kryeministri Berisha e njohu Presidentin me reformat politike ekonomike dhe institucionale dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare në të gjitha fushat, duke u ndalur në veçanti në potencialet e jashtëzakonshme që vendi ofron për investitorët rumunë në sektorë, si energji e rinovueshme, turizëm, industri minerare. Ndër të tjera, në takim u vlerësua fakti që, në sajë të këtyre reformave, ekonomia shqiptare i rezistoi me sukses krizës globale dhe Shqipëria nuk përjetoi recensionin si vendet e tjera të Evropës dhe më gjerë, por ekonomia shqiptare vijoi të rritet edhe në vitin 2009 me rreth 4 %. Kryeministri theksoi se edhe në 5 muajt e parë të këtij viti kanë vazhduar ritmet pozitive të zhvillimit ekonomik e evidentuar qartësisht në shumë fusha, si p.sh me dyfishimin e eksporteve, apo ecuria shumë e mirë e bankave shqiptare përsa i përket gjendjes se likuiditetit etj. Në këtë kontekst, u rikonfirmua vendosmëria e të dy vendeve për të nxitur investimet e ndërsjella, si dhe për të zgjeruar dhe intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Takimi përfundoi me rikonfirmimin e vullnetit të të dy vendeve për vijimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe për mbështetjen e Rumanisë në hapat e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë drejt BE-së.


08/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›