E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Ura e Farkës - Fshati “Mustafa Kocaj”, me vlerë 513 milion lekë

-          Procesi i integrimit, liria e qytetarëve, zhvillimi i vendit ka një kusht mbi të gjitha kushtet dhe ky kusht është zbatimi i ligjit, ky kusht është të gjithë të barabartë para ligjit. Atyre që bërtasin të ndryshojmë kushtetutën, sa herë  ju lëviz karrigia, atyre do tu them këtu sot, se ky vend ka nevojë të zbatojë kushtetutën, të zbatojë ligjet dhe se ju që doni të ndryshoni drejtimin e erës duhet të ndryshoni velat, se drejtimi i erës nuk ndryshon.

Kryeministri  Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e  rikonstruksionit të rrugës, Ura e Farkës- Fshati “Mustafa Kocaj”.

Rruga e rikonstruktuar  sipas të gjitha parametrave bashkëkohore ka një gjatësi prej 15 km, vlerë investimi 513 milion lekë dhe prej saj do të përfitojnë 20 mijë banorë dhe rreth 1 mijë nxënës të disa shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm.

Rruga e rikonstruktuar lidh 26 fshatra me Tiranën, nga të cilët 14 fshatra janë të komunës Baldushk, ndërsa 12 të tjerë i përkasin komunave Vaqarr, Berzhitë, Gracen, Pajovë dhe Përparim.

Duke uruar banorët e Baldushkut për rrugën e rindërtuar, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo rrugë i jep një impuls të madh zhvillimit  dhe fuqizimit të të gjitha këtyre komunave, duke u dhënë mundësi fermerëve të zonës që në një kohë të shkurtër dhe lehtësisht të arrijnë tregun e kryeqytetit.

Kryeministri Berisha shprehu angazhimin para banorëve të Baldushkut se qeveria do të mbështesë çdo projekt që do të ndryshojë dhe modernizojë jetën e tyre, por kërkoi nga autoritetet lokale të zonës si dhe vetë banorët ti bashkohen përpjekjes së përbashkët  për të ndërtuar një komunë ndër më të zhvilluarat në vend. “Kërkoj nga ju zoti kryetar , kërkoj nga të gjithë banorët e kësaj zone, që së bashku të punojmë me përkushtim çdo ditë për Baldushkun, komunë ndër më të zhvilluarat, për Shqipërinë, vend të zhvilluar. Është në dorën tonë, është në vullnetin tonë, që me punë, mund  e vizion të rrisim çdo vit e më shumë të ardhurat për familjet tona.”, u shpreh kryeministri.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri u shpreh:

Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë që nisim mandatin e dytë të kryetarit tuaj, me inaugurimin e njërës prej rrugëve më të bukura, në qarkun e Tiranës, rrugë e cila lidh 26 fshatra të kësaj zone, pra që kalon në njërën prej zonave më të populluara të rrethit të Tiranës, me kryeqytetin e vendit, rrugë që u shërben rreth 20 mijë banorëve dhe që ka parametrat më të mira të një rruge të këtij destinacioni, parametra tërësisht evropianë, një investim prej 513 milion lekë.

Kjo rrugë i jep një impuls të madh zhvillimit  dhe fuqizimit të të gjitha këtyre komunave, jep një vlerësim të madh të trojeve dhe të tokës, një lulëzim të madh të tregut. Kjo u jep mundësi ju që në një kohë të shkurtër dhe pa mundim të madh të kapni tregun më të madh te vendit, atë të kryeqytetit.

Zoti kryetar, edhe 12 km të tjera duhet të ndërtojmë ne që të dalim në Peqin, në Pajovë. Ju garantoj se edhe këto 12 km do të ndërtohen, pra krahas autostradës me 4 korsi, ne do të bëjmë gjithçka që të lidhim të gjitha zonat, sepse rruga, këto 13 km i japin një gjallëri të madhe kësaj lugine, valorizojnë kodrat, shpatet dhe luginën e gjithë këtij territori, sikundër shpreh kënaqësinë që këto vite në komunën e Baldushkut janë ndërtuar 20 km rrugë të tjera. Komuna ka bërë përpjekje të mëdha për lidhjen e të gjitha fshatrave me qendrën e komunës, duke hapur rreth 50 km rrugë në tërë territorin e saj. Ka ndërtuar 5 shkolla, 5 qendra shëndetësore, ujësjellës dhe kanalizime në 4 zona.

Zoti kryetar, jam këtu për tu angazhuar para këtyre grave dhe burrave se do të mbështesim çdo projekt që do të ndryshojë për mirë jetën e banorëve të mrekullueshëm të kësaj zone. Por unë kërkoj nga ju zoti kryetar, kërkoj nga të gjithë banorët  e kësaj zone, që së bashku të punojmë me përkushtim çdo ditë për Baldushkun, komunë ndër më të zhvilluarat, për Shqipërinë, vend të zhvilluar. Është në dorën tonë, është në vullnetin tonë, që me punë, mund  e vizion të rrisim çdo vit e më shumë të ardhurat për familjet tona. Unë shoh se sa mirë  e keni mbjellë tokën, por shoh përreth potenciale të jashtëzakonshme për dru frutorë, ndaj dhe unë ju bëj thirrje ju të dhjetëra dhe qindrafishoni përpjekjet për të mbjellë ullinj, për të mbjellë dru frutorë, për të mbjellë arrorë, në mënyrë që të rrisim të ardhurat familjare gjithnjë ë më shumë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Baldushkut,

Shqipëria, vend i zhvilluar, Baldushku vend i zhvilluar  do të thotë para së gjithash dhe mbi të gjitha qytetarë me të ardhura të afërta ose të njëjta me ato të qytetarëve evropianë. 20 vite më parë ne ishim ndër tre katër vendet më të ulëta për të ardhurat në botë. Sot, ne kemi lënë prapa dhe dhjetëra vende. Nuk jemi më në grupin e vendeve me të ardhura të ulëta. Nuk jemi më në grupin e vendeve me të ardhura të mesme, jemi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme, të larta. Për të dalë, për tu ngjitur në grupin  e vendeve me të ardhura të larta duhet të mendojmë që të krijojmë të ardhura në çdo metër katror të kësaj toke dhe këtë mund ta arrijmë para së gjithash duke  e shndërruar Shqipërinë në kopshtin më të madh, më të bukur të Evropës.

Duke ardhur këtu tek ju, pashë jo pak plepa, jo pak drurë të tjerë, le ti zëvendësojmë ato me ullinj, me fiq, me arra, me lajthi. Le të krijojmë ne, të bëjmë realitet ëndrrën e pyjeve me drurë frutorë. Tokën  e kemi të bekuar. Unë  e di se ju keni probleme me vaditjen, por ju jap fjalën se sapo të finalizojmë projektin  e rrugëve, projekt i cili ka marrë miliarda e miliarda euro, pasi vetëm në 5 vjet ne kemi investuar, kemi ndërtuar e rindërtuar si kjo rrugë, 8 mijë km në mbarë vendin. Kemi dhe disa mijëra km për të ndërtuar dhe pastaj projekti i dytë po kaq i madh do të jetë vaditja, do të jetë projekt që do të mbështesë punën tuaj, do të mbështesë frutikulturën.

Qytetarë dhe qytetare të Baldushkut,

Kjo qeveri frymëzohet nga ju, frymëzohet nga mundi dhe nga djersa juaj dhe përpiqet tja u lehtësojë mundin dhe ta bëjë që ai të japë rezultatet që ju meritoni. Këto 5 vite kanë qenë vite të vështira shumë për ekonominë  evropiane dhe botërore. Nuk kanë qenë të tilla për ekonominë shqiptare. Ekonomia e Shqipërisë nuk përjetoi krizë. Dëshmi e kësaj janë 8 mijë km rrugë që u ndërtuan dhe në tërësinë  e tyre në fshatra dhe në komunat e vendit, dëshmi e saj janë dyfishimii i pensioneve në mbarë fshatrat  e Shqipërisë, dyfishimi i rrogave të ulta, dyfishimi i rrogave të mesme, pra në një situatë stuhie për ekonominë evropiane, ekonomia e vogël shqiptare ka qëndruar e fortë, entuziaste, dinamike,me një besim të madh në  në zhvillimin e këtij vendi.

Potencial të madhe ka Baldushku, Petrela, Farka, Bërzhita për turizmin. Kam kënaqësi të madhe që cdo vit ky sektor të zhvillohet më shumë, por turizmi ndikon fuqishëm në jetën tuaj edhe nëpërmjet tregut. Sot, shqiptarët kanë një treg dy herë më të madh, se sa për banorët e tyre. Vitin e kaluar vendin  vizituan 3.2 milion, këtë vit Shqipërinë do ta vizitojnë më shumë vizitorë dhe turistë se sa ka banorë, çka do të thotë treg i garantuar për prodhimet tuaja, çka do të thotë inkurajim për ju për të prodhuar sa më shumë.

Unë mendoj se ne kemi nevojë të ecim përpara, ne kemi nevojë të shkëputemi me shpejtësi të madhe nga një e shkuar, të cilën nuk e krijuam vetë, por na e imponuan regjime nga më çnjerëzoret. Ne i kemi të gjitha potencialet, të gjitha mundësitë  të renditemi në vendet e zhvilluara. Mbi të gjitha ne kemi vullnetin për të punuar, për të ndërtuar, për të derdhur djersë për një jetë më të mirë për fëmijët tanë, për ne, për të ndërtuar të ardhmen, të cilën  e kemi patur thjesht një ëndërr, por kjo është koha për ne të shndërrojmë ëndrrat në realitet.

Sot, ju lëvizni të lirë në mbarë Evropën. Unë ju garantoj ju, se ne do të bëjmë gjithçka që procesi i integrimit të eci përpara.

Natyrisht, të dashur qytetarë dhe qytetare,

Ky proces, liritë tuaja, zhvillimi i vendit ka një kusht mbi të gjitha kushtet dhe ky kusht është zbatimi i ligjit, ky kusht është të gjithë të barabartë para ligjit. Atyre që bërtasin të ndryshojmë kushtetutën, sa herë  ju lëviz karrigia, atyre do tu them këtu sot, se ky vend ka nevojë të zbatojë kushtetutën, të zbatojë ligjet dhe se ju që doni të ndryshoni drejtimin e erës duhet të ndryshoni velat, se drejtimi i erës nuk ndryshon.

Edhe njëherë, ju përshëndes dhe ju garantoj zoti kryetar se unë  e ndjek përpjekjen tuaj dhe së bashku do të investojmë në këtë komunë, në të gjithë infrastrukturën e saj. Shpreh kënaqësinë që janë mbjellë 80 ha drurë frutorë. Ju garantojmë se do të subvencionojmë çdo rrënjë dru frutorë, ullinj arrorë apo cilido qoftë, në mënyrë që banorët e kësaj zone të begatohen gjithnjë e më shumë.


15/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›