E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron ristrukturimin e plotë të shkollës së mesme profesionale “Fan Noli” të Korçës

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e ristrukturimit të plotë të shkollës së mesme profesionale “Fan Noli” të Korçës. Shkolla, për të cilën u investuan 29 milion lekë të reja është rikontruktuar në përshtatje të standardeve më të larta bashkohore, duke ruajtur me përpikëmëri identitetin monumental të viteve 30. Kjo godinë që përfaqëson Liceun e famshëm të Korçës krahas degës së pedagogjisë aplikon profilin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, që do të jenë e ardhmja e kësaj shkolle. Shkolla ka 254 nxënës nga te cilët 96 prej tyre studiojnë në degën e informatikës, në 9 klasa dhe 3 laboratorë të reja informatike.

Investimi për këtë shkollë i bashkangjitet investimeve të rëndësishme të realizuara në qarkun e Korçs, të cilat në total arrijnë vlerën 220 milion euro ose 22 here me shume se në qeverisjet e mëparshme socialist. Vetëm vitin e fundit, për rrethin e Korçës janë akorduar 1.88 miliard leke investime

Gjithashtu gjatë qeverisjes demokratike janë ndërtuar 95 rruge, 60 shkolla, 50 ujesjellesa e kanalizime, 54 ambulanca e qendra shëndetësore.

Ndërsa në rrjetin infrastrukturor rrugor janë investuar 70 milion euro. Kështu distanca Tirane – Korce do te jete me pak se 2 ore me ndertimin e segmentit Qukes –Qafe Plloce dhe Tirane - Elbasan.

Për sa i përket investimeve ne Ujesjelles – Kanalizime ato janë 65 milion euro, Arsim 11 milion euro dhe bujqësi 25 milion euro.

Kryeministri Berisha, i cili në këtë inaugurim shoqërohej nga Ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafaj, si dhe drejtues të pushtetit lokal të Korçës, vizitoi mjediset e brendshme të shkollës dhe vlerësoi punën e bërë, për ti dhënë këtij institucioni të dijes, fytyrën evropiane.

Kryeministri Berisha u ndal në laboratorin e informatikës, gjatë një ore mësimi dhe bisedoi me nxënësit rreth dijeve të tyre në këtë fushë. Duke i përgëzuar për dëshirën dhe vullnetin me të cilin ata përvetësojnë të rejat në fushën e teknologjisë së informacionit, kryeministri theksoi se pa përgatitjen e duhur, kjo fushë jetike nuk mund të bëjë përpara. Ndër të tjera, nxënësit demonstruan për kryeministrin njohuritë në montimin e pjesëve të një kompjuteri.

Më pas, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me nxënësit, mësuesit dhe qytetarët e pranishëm në këtë përurim.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dëshiroj tu përshëndes përzemërsisht juve dhe mbarë qytetarët e Korçës, tu përgëzoj për ristrukturimin e plotë të kësaj ndërtese të ndritur në botën e dijes shqiptare, shkollë e cila në themelet e saj, si lice francez dhe më vonë krahas normales së Elbasanit përgatiti me qindra e mijëra misionarë të dijes, dijetarë, studiues, shkencëtarë të të gjitha lëmive dhe që sot sërish me një vizion të ri shndërrohet në një shkollë profesionale, në të cilin krahas degëve të tjera është dhe dega e teknologjisë së informacionit. Sapo dola prej saj një nxënëse me demonstroi nga fillimi deri në fund ndërtimin e një kompjuteri në Shqipëri këtë vit funksionojnë 17 shkolla profesionale, në të cilat janë hapur degët e informatikës. Korça qëndron në krye të Shqipërisë për së i përket përqindjes së nxënëseve që ndjekin shkollat profesionale në raport me ato të përgjithshme. Jam I bindur se këtë eksperiencë të shkëlqyer , frymëzuese të Korçës, do ta përqafojnë edhe të gjitha qytetet e tjera të mëdha, në interesin më të mirë, më të madh, të përshtatjes me shpejtësi të arsimit tonë me kërkesat tregut , të ardhjes së tij në një standard të domosdoshëm evropian.

Zonja dhe zotërinj,

Për qeverinë time arsimi mbetet përparësi e të gjitha përparësive. 5 vjet më parë dhe në vazhdim kam qenë dhe vazhdoj të mbetem i bindur se Shqipëria është vendi i 1001 halleve, por Shqipëria është vendi i 1001 mundësive dhe rruga më e sigurt për të shndërruar mundësitë e saj të jashtëzakonshme në vlera dhe realitet pozitiv për qytetarët e saj është investimi në mendjen, talentin e fëmijëve tanë dhe të rinjve tanë. Në këtë kontekst, në këto 5 vite arsimi shqiptar ka njohur transformimet më të mëdha. Mësuesit e Shqipërisë janë të vetmit që kanë njohur dyfishimin e rrogave dhe unë dua ti garantoj mësuesit dhe mësueset e Korçës dhe mbarë Shqipërisë se ritmi i rritjes së rrogave dhe trajtimit të tyre mbetet përparësi madhore e qeverisë .

Ne ju konsiderojmë ju shtylla kryesore e reformimit të arsimit shqiptar, rruga më e sigurt për të kapur mundësi të reja që duhen për të përballuar nevojat e kohës dhe të vendit. Ne kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar mbi 1100 shkolla të reja. Ne do të rindërtojmë dhe do të rikonstruktojë të gjitha shkollat ekzistuese gjatë këtyre 3 viteve që vijnë dhe numri i tyre gjithnjë po rritet.

Ne kemi shtrirë internetin në të gjitha shkollat e vendit dhe gjatë këtyre tre viteve ne zotohemi para shkollarëve shqiptarë se secili prej tyre do të ketë kompjuter në shtëpinë e tij dhe se në çdo shtëpi do të bëjmë që të ketë internet me bandë të gjerë. Ne po investojmë dhe do të investojmë që të rrisim më tej numrin e studentëve në universitet tona. Nga 52 mijë që ishin në vitin 2005, sot janë 135 mijë dhe sërish nuk jam i kënaqur dhe nuk jam i kënaqur. Ne duhet të shkojmë tek së paku tek 150 mijë studentë dhe ne do të bëjmë çdo gjë që cilësia dhe standardet në shkollat tona të jenë në nivelin më të lartë.

Qytetarë dhe qytetare të Korçës,

Për çdo njërin prej jush dhe çdo shqiptar siç është e qartë një rreze dielli , janë të qarta edhe ndryshimet e mëdha që realizuam së bashku në 5 vitet e fundit. Nga një vend i papërfillur, nga një vend për të cilin shkruhej zi e më zi, me reforma të thella e të gjithanshme, me një vendosmëri e përkushtim, ne ia dolëm që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s, me luftën kundër korrupsionit me luftën kundër krimit të organizuar, reformat e thella ekonomike, bëmë që Shqipëria dhe ekonomia e saj të qëndrojë në këtë krizë botërore, më mirë, më solide se çdo ekonomi tjetër në Evropë. E vogël, por e fortë është ekonomia e këtij vendi.

Ne jemi të sigurt që ky vit do të jetë edhe më I mbarë se viti që shkoi dhe do të realizojë të gjitha objektivat duke përfshirë rritjen e parashikuar të rrogave dhe pensioneve të 820 mijë qytetarëve shqiptarë, punonjësve të administratës, dhe pensionistëve.

Më 28 qershor ne zhvilluam zgjedhjet më të bukura, më të ndershme , më të qytetëruara në historinë e ketij vendi, zgjedhje të cilat bënë të mundur që 27 ministrat e qeverive të vendeve anëtare të BE të votojnë për Shqipërinë, për të hapur negociatat për statusin e kandidatit. Këto zgjedhje bënë të mundur dorëzimin e pyetësorit për statusin e kandidatit. Këto zgjedhje bënë të mundur që KE të propozojë heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët. Pra siç e shihni këto 5 vite ne kemi ndërtuar më shumë se në tërë jetën tonë idealet tona evropiane, idealet tona euroatlantike.

Por sot në Shqipëri po përhapet si një makth antikulutura e bllokut, me ardhjen në krye të PS të pinjollëve të Byrosë politike dhe të bllokut të vjetër.

Në Shqipëri nga mëngjesi deri në darkë bëhet çdo gjë që të shkelmohet nga këta shokë apo zotërinj mbi interesat tuaja jetike. çdo minutë, çdo orë, çdo ditë shpifin dhe mashtrojnë vetëm e vetëm që të errësojnë rrugën tonë evropiane. Këta shokë apo zotërinj, në momentin më kulmor kur do të vendosej për të hapur negociatat për statusin e kandidatit qëndruan jashtë parlamentit vetëm e vetëm që vendimi të mos merrej. Këta shokë apo zotërinj, në momentin më kyç, kur do të vendosej për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët ngritën çadrat në Bulevardin kryesor të kombit dhe organizuarn të ashtëquajturën grevë urie, vetëm e vetëm që Evropa të mos Evropa të mos vendoste për heqjen e vizave për ju dhe fëmijët tuaj

Ata bëjnë çdo përpjekje dhe lëshojnë çdo thirrje që të bllokojnë këtë proces. Por unë jam sot këtu për tu zotuar para jush se asgjë rrugën tonë drejt Evropës nuk do mund ta ndale. Edi Rama le të kalojë nga kutia në bunker dhe nga bunkeri në kuti, sa herë të dojë.

Shqipëria është vend ilirë. Le ti ngrehin e ti shkrehin çadrat sa herë të duan. Asgjë nuk do të na pengojë ne në rrugën tonë drejt Evropës. Kjo është një rrugë e mundimshme, është një rrugë dinjiteti. Kjo është një rrugë me djersë, një rrugë e sigurt drejt suksesit.

Rroftë Korca evropiane, Shqipëria evropiane


11/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›