E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron shkollën e re 9 vjeçare “Gjok Elezi”, në lagjen Sanxhak të qytetit të Laçit

- Qeveria është e vendosur tu mbështesë ju, besimin tuaj, mbështetjen tuaj, ta shndërrojë në rrugë moderne, shkolla moderne, spitale moderne, në mbështetjen e fermerëve shqiptarë, në nxitjen e turizmit. Qeveria është e vendosur që mbështetjen tuaj ta shndërrojë në rritje të rrogave,në rritje të pensioneve, për mbarë punonjësit dhe pensionistët shqiptarë. Qeveria është e vendosur të punojë me përkushtim të madh për të bërë realitet ëndrrën tuaj më të bukur dhe më fisnike për veten dhe fëmijët tuaj, integrimin e Shqipërisë në Evropë.

Kryeministri Berisha inauguroi sot shkollën e re 9 vjeçare “Gjok Elezi”, në lagjen Sanxhak të qytetit të Laçit. Shkolla, e ndërtuar sipas parametrave më moderne dhe bashkëkohore ka një vlerë prej 64 milionë lëkë të reja dhe një kapacitet prej 744 nxënësish. Gjithashtu shkolla ka 34 klasa të reja, 3 grupe parashkollorësh, si dhe 1 laborator modern informatike.

Ndërtimi kësaj shkolle i bashkohet investimeve të rëndësishme që janë realizuar vitet e fundit në qarkun e Kurbinit që së bashku me investimet në qarkun e Lezhës dhe Mirditës shënojnë 53 milion euro ose 45 herë më shumë se sa investimet e realizuara nga qeveritë socialiste.

Përsa i përket investimeve infrastrukturë, në rrugët nacionale dhe rurale janë investuar 50 milion euro. Ndërsa vetëm këtë vit përurohen 608 milion lekë në rrugë rurale, ujësjellës, arsim e tregje publike.

Në këtë qark, qeverisja demokratike ka realizuar 57 rrugë, 48 shkolla, 24 ujësjellës e kanalizime, 32 qendra shëndetësore e ambulance, tregun agroindustrial e Pallatin e Kulturës.

Për sa i përket investimeve në në Laç ato janë : Rrugët Laç-Shën Ndou 126 milion lekë, Laç-Patok 224 milion lekë, autostrada Milot-Laç-Thumanë 7.2 miliard lekë, zgjerimi i unazës së Laçit, rikonstruksioni i KUZ, ndërtimi i tribunës së stadiumit të Laçit etj .Laçi sivjet merr pjesë në kupat e Europës në futboll.

Ndërsa nvestimet e kontraktuara në qark janë:

1.1 miliard euro- impianti energjetik i Shëngjinit, Biomasa dhe interkonjuksioni;

200 milion euro-fabrika e çimentos “Kasa-Berberi”

200 milion euro-fabrika e çimentos “Gjeneral Ciment”

4 milion dollar-impianti i ujërave të zeza Shëngjin

3.1 milion euro-Porti i Shëngjinit etj.

7 shoqëri zhvillojnë aktivitet minerar.

- Kryeministri Berisha, i shoqëruar gjatë kësaj vizite nga Ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafaj, si dhe drejtues të pushtetit lokal vizitoi laboratorin e informatikës ku u takua dhe bisedoi me nxënësit dhe mësuesit. Kryeministri bëri të ditur për të pranishmit se në 12 shkolla të mesme profesionale janë hapur degët e informatikës, gjë të cilën e konsideroi si një shans shumë të mirë për të rinjtë shqiptarë , për të përqafuar këtë fushë , e cila ka ndryshuar më shumë se çdo gjë tjetër, njeriun dhe njerëzimin.

Gjithashtu Kryeministri Berisha u ndal edhe në një nga klasat e arsimit parashkollor, ku shprehu vlerësimin e tij për punën e shkëlqyer të bërë nga stafi pedagogjik dhe u shpreh se në këtë 4 vjeçar , një përparësi madhore e qeverisë është shtrirja arsimit parashkollor, në mbarë vendin dhe në çdo shkollë, si një domosdoshmëri për të përshpejtuar procesin e dijes për fëmijët.

Më pas kryeministri Berisha u takua me nxënës, mësues, prindër e qytetarë të tjerë të pranishëm, në inaugurimin e kësaj shkolle.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri u shpreh:

“Të dashur nxënës, nxënëse, mësues, prindër e familjarë të shkollës së re 9 vjeçare “Gjokë Elezi” që sapo inauguruam

Së pari ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë time, që fëmijët tuaj sot gëzojnë një ndër shkollat më modernë të Shqipërisë, një shkollë me 34 klasa të reja, laboratorë moderne, kabinet informatike, e cila në tërësi ndërtimi dhe pajisjet kushtuan 64 milion lekë.

Kurbini dhe në tërësi qarku i Lezhës, gjatë këtyre viteve ka njohur investime shumë të mëdha. Në tërësi rrugët e komunave po shkojnë drejt asfaltimit të plotë nga skaji në skaj. Rrugë që çojnë drejt bregdetit në këtë qark janë asfaltuar që të gjitha. Investime të mëdha janë bërë në ngritjen e një numri të madh shkollash të reja dhe rindërtimi shkollash të vjetra. Investime të tjera të mëdha janë bërë dhe bëhen në akset kombëtare që rrethojnë qarkun e Lezhës.

Qeveria është e vendosur tu mbështesë ju, besimin tuaj, mbështetjen tuaj, ta shndërrojë në rrugë moderne, shkolla moderne, spitale moderne, në mbështetjen e fermerëve shqiptarë, në nxitjen e turizmit. Qeveria është e vendosur që mbështetjen tuaj ta shndërrojë në rritje të rrogave,në rritje të pensioneve, për mbarë punonjësit dhe pensionistët shqiptarë. Qeveria është e vendosur të punojë me përkushtim të madh për të bërë realitet ëndërren tuaj më të bukur dhe më fisnike për veten dhe fëmijët tuaj, integrimin e Shqipërisë në Evropë.

Në këtë vend sigurisht që nevojat janë të shumta, por në rast se mbyllim sytë për një moment , ndalemi dhe mendojmë ndryshimet e 4 viteve të fundit. Kurrë ndonjëherë në jetën tonë nuk do të gjemë ndryshime kaq të mëdha dhe historike, kaq pozitive , me kaq ndikim në jetën e gjithsecilit, ndaj dhe unë ju garantoj ju se ritmi i shpejtë i ndryshimit të Kurbinit, i ndryshimit të Shqipërisë do të vazhdojë, se asgjë nuk do të mund të pengojë rrugën tonë drejt integrimit në BE.

Vëllezër e motra,

çdo ditë inaugurojmë rrugë të reja, shkolla të reja, ujësjellës e kanalizime e megjithatë në Shqipëri si në asnjë vend tjetër, bazuar në nihilizmin, krerët e opozitës mohojë çdo gjë. Dalin para mediave të vrerosur gjoja për atë që krijojnë vetë në mendjen e tyre. Flasin për krizë dhe krizë të madhe sepse krizë kanë në kokën e tyre.

Unë jam këtu për ti ftuar të gjithë deputetët e opozitës, le të vijnë dhe ata për të gëzuar së bashku inaugurimet e reja. Le të vijnë këtu dhe në çdo inaugurim sepse këto nuk janë vetëm për demokratët, këto janë për të gjithë qytetarët pavarësisht nga bindjet partiake. Zotërinj, mos shikoni realitetin me gjyzlykët e kryetarit, sepse unë ju jap fjalën e nderit se kryetarit gjithnjë e më shumë po i nxihen gjyzlykët.

Urdhëroni zonja dhe zotërinj deputetë të Partisë Socialiste, në çdo komunë ku do të shkojë kryeministri jeni të ftuar, në çdo komunë ku shkojnë ministrat për inaugurim jeni të ftuar, sepse këto vepra jo vetëm që ndërtohen për të gjithë qytetarët, por ne keto vepra kanë mundin dhe djersën taksapaguesit socialist gjithashtu, si gjithë të tjerët.

Duhet të vini në këto inaugurime edhe si vlerësim e respekt të madh ndaj atyre që ju kanë votuar.Jam i bindur se do të ndihmoni dhe kryetarin tuaj, duke i thënë se janë gjyzlykët ato që ta nxijnë Shqipërinë, sepse Shqipëria po zbardhet çdo ditë e më shumë.

Edhe njëherë dua tu përshëndes e të garantoj kryetarin e Bashkisë, kryetarët e komunave se do të financojmë çdo projekt të tyre , por dhe ti uroj përzemërsisht për vendin që keni zënë me skuadrën tuaj, e cila ka vendosur një standard të shkëlqyer etik, le ta gëzojnë stadiumin dhe ju uroj gjithnjë sukses më të mëdha.


10/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›