Kryeministri Berisha inauguron rrugën Asim Zeneli-Antigone me vlerë 280 milion lekë, në qarkun e Gjirokastrës
- Një nga ofertat më të mëdha të Shqipërisë për qytetarët evropianë dhe të mbarë botës është trashëgimia e saj e pasur kulturore.
- Ne po bëjmë atë, që gjithë këtë trashëgimi të madhe ta shpalosim, në mënyrë që vizitorët, nga mbarë bota ti kenë pushimet në Shqipëri, pushime nga më të këndshmet dhe më të pasurat, si nga ana shpirtërore ashtu dhe ajo kulturore.
Kryeministri Berisha vizitoi sot Gjirokastrën, ku mori pjesë në inaugurimin e rrugës Asim Zeneli-Antigone me gjatësi 8 kilometra, gjerësi 4 metra dhe vlerë investimi 280 milion lekë. Rruga e cila fillon në dalje të fshatit Asim Zeneli dhe përfundon në hyrje të Parkut Kombëtar të Antigonesë lehtëson komunikimin për 1200 banorë të fshatrave Asim Zeneli, Krinë, Tranoshishte, Saraqinishte.
Duke plotësuar të gjitha kushtet e një infrastrukture bashkëkohore, kjo rrugë do tu shërbejë turistëve ditorë si dhe atyre të huaj, të cilët çdo ditë e më shumë po vizitojnë Parkun Kombëtar të Antigonesë, një qendër e rëndësishme me vlera arkeologjike e kulturore për vendin tonë.
Pas përurimit të rrugës, kryeministri Berisha i shoqëruar Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, zoti Genc Ruli, Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale zoti Spiro Ksera, kryetari i komunës së Antigonesë, zoti Ylli Muho, përfaqësues të tjerë lokalë, si dhe qytetarë, vizitoi Parkun Kombëtar të Antigonesë.
Duke e vlerësuar këtë park si një visar të vërtetë kulturor të Shqipërisë, kryeministri u shpreh se qeveria është e vendosur që trashëgiminë e madhe kulturore që ka vendi në tërësi ta bëjë të vizitueshme nga shqiptarët dhe mbarë bota. “Qeveria është e përqendruar të ndërtojë infrastrukturë drejt të gjithë këtyre qendrave. Një nga ofertat më të mëdha të Shqipërisë për qytetarët evropianë dhe të mbarë botës është trashëgimia e saj e pasur kulturore.” u shpreh kryeministri.
Duke folur për vlerat historike dhe kulturore të zonës, Kryeministri u shpreh:
“Parku Kombëtar i Antigonesë është një visar i vërtetë kulturor i Shqipërisë. Ky është një qytet i lashtë, të cilin historia thotë se mbreti i Epirit, Pirrua e ndërtoi nga dashuria dhe pasioni që kishte për gruan e tij, Antigonenë. Ka një pozicion dominues dhe studimet arkeologjike të cilat për hir të së vërtetës nuk kanë qenë aq intensive sa duhet, kanë gjetur këtu objekte, shenja të lashtësisë që kanë pasuruar muzetë arkeologjikë të vendit.
Ne inauguruam një rrugë prej rreth 8 km që të sjell tek parku. Natyrisht, ne jemi të vendosur që trashëgiminë e madhe kulturore që ka vendi ta bëjmë të vizitueshme nga shqiptarët dhe turistë nga mbarë bota. Kjo është lugina e Drinos. Është një luginë jo kaq e madhe, por është pothuajse kudo, me një trashëgimi dhe me thesaret të vërteta arkeologjike.
Këtu në Sofratikë, Melan, Libohovë, kudo që të hedhësh sytë, një nga faktorët më të rëndësishëm, një nga ofertat më të mëdha të Shqipërisë për qytetarët evropianë dhe të mbarë botës është trashëgimia e saj e pasur kulturore. Në një luginë të vogël, turisti brenda dy-tre orëve kalon nga qytet i vjetër në një qytet tjetër, nga një kështjellë në një tjetër. Qeveria është e përqendruar të ndërtojë infrastrukturën drejt të gjithë këtyre qendrave. Ka përfunduar kjo rrugë, kemi përfunduar rrugën e Finiqit, po zgjerojmë dhe përfundojmë rrugën e Butrintit shumë më mirë nga ç'ishte. Do të ndërtojmë rrugën tek teqja e Melanit, i cili është një vend i shenjtë, një vend jashtëzakonisht i dashur për të gjithë banorët. Po ecim drejt Bylisit, po ecim drejt të gjitha vendeve arkeologjike, qyteteve dhe qytezave, të cilat në këtë vend janë të panumërta.
Në Shqipëri më shumë se kudo tjetër gërshetohen kulturat e perandorive, së pari është kultura ilire dhe para-ilire dhe kultura e Arbrit, por nuk ka Perandori të Evropës dhe dhe më gjerë, edhe Azisë që nuk i ka patur sytë drejt këtij territori. Për shkak të pozicionit të veçantë gjeografik ka qenë i lakmuar nga të gjithë perandorët. Janë bërë beteja midis tyre, janë ndërtuar qyteza dhe janë shembur. P,sh këtë qytet e dogjën romakët, ndonëse ata sollën shumë me qytetërimin e tyre. Ne po bëjmë atë, që gjithë këtë trashëgimi të madhe ta shpalosim, në mënyrë që vizitorët, nga mbarë bota ti kenë pushimet në Shqipëri, pushime më të këndshmet dhe më të pasurat shpirtërisht dhe kulturalisht.
Kryeministri iu përgjigj ndër të tjera edhe interesimit të mediave të pranishme.
Pyetje: Zoti kryeministër a nuk mendoni që një vizitor e ka të vështirë të vizitojë këto monumente për shkak të mungesës së shërbimeve dhe programeve të pakta për të mbështetur banorët?
Kryeministri Berisha: Kjo është pyetje e drejtë, por gjithçka bëhet sipas rendit dhe radhës. Rruga u bë, është një investim prej rreth 280 milion lekë. Së bashku me ministrinë e kulturës dhe komunën do të punohet për të ngritur shërbime të tjera. Do të punohet për të shtuar gërmimin. I tërë qyteti, rrënojat e tij flenë nën tokë. Ja pse populli e ka quajtur këtë, kodra e Jermës, që do të thotë vend i shkretë, dmth ka qenë një vend i braktisur. Një qytet i cili u rrënua dhe sot pothuajse është i tëri nën tokë. Detyra e autoriteteve vendore është që të gërmojnë në çdo qoshe të tij. Në ato pak gërmime që janë bërë, janë gjetur objekte të një rëndësie të jashtëzakonshme arkeologjike dhe historike për vendin dhe më gjerë.
I pyetur lidhur me zotin Rama, kryeministri komentoi: “Tani po flas për Pirron dhe po i përkushtohem Antigonesë.”
Më pas, kryeministri Berisha vizitoi muzeun etnografik të Antigonesë “Artizanët e Antigonesë”.
Duke përgëzuar për punën e bërë, kryeministri vlerësoi se ngritja e këtij muzeu është dëshmi e vlerësimit për traditën e mrekullueshme që mbart kjo zonë, e cila duhet të kultivohet nga dita në ditë. “Ngritja e këtij muzeu është dëshmi e vlerësimit, e dashurisë që keni traditë mrekullueshme, e cila duhet të kultivohet dhe jo të zhduket, një traditë e cila gjithnjë e më shumë ka mundësi të njihet. Ne sot së bashku inauguruam një rrugë, e cila të çon në një park me emër të madh dhe ju jeni këtu kujdestarët e vërtetë. Sigurisht që shërbimet dita ditës do të plotësohen dhe kështu do të shtohet numri i vizitorëve dhe vizitorët krahas parkut do të vizitojnë edhe këtë muze modest, do të njihen me traditën tuaj. Ne potencialet i kemi shumë të mëdha, është në detyrimin tonë që këto ti shndërrojmë në vlera për qytetarët.” u shpreh Kryeministri.
* * *
Qyteti antik i Antigonesë shtrihet mbi kodrën e Jermës, pranë fshatit Saraqinishtë të Gjirokastrës. Ai është themeluar nga mbreti Pirro rreth vitit 290 para Krishtit, për nder të gruas së tij Antigonesë, bijë e mbretit Ptoleme të Egjiptit.
Shpejt u kthye në një qendër të rëndësishme për shkak të kontrollit të luginës së Drinosit, e cila në Antikitet quhej ngushticat e Antigonesë. Në vitin 168 para Krishtit qyteti u shkatërrua plotësisht nga ushtria romake, së bashku me 70 qytete të tjera të Epirit dhe të Ilirisë. Pas kësaj, qyteti u braktis për disa shekuj dhe vetëm në shekullin VI mbas Krishtit u ndërtua brenda tij një kishë paleokristiane.
Pllaja mbi të cilën është ndërtuar qyteti antik i Antigonesë zotëron të gjithë luginën e Drinos, përballë Gjirokastrës. Ndërtimi i qytetit ka qenë realizuar sipas një plani urbanistik, i cili e ndan sipërfaqen prej 45 ha në disa zona. Objektet e gjetura ne rrënojat e qytetit te lashte dëshmojnë për pasurinë e qytetit dhe historinë e tij te hershme.
11/10/2011