Kryetarja e Kuvendit në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës lidhëse Bushat-Plezh shprehet se rritja e numrit të investitorëve të huaj mbetet përparësi e qeverisjes.
Dëshiroj të përgëzoj pushtetin lokal, kryetarët e komunave, dhe në rastin konkret kryetarin e komunës Bushat,- iu drejtua Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli të pranishmëve në këtë ceremoni,- jo vetëm për mbledhjen e të ardhurave, jo vetëm për vendosjen e një fondi të vecantë për investimet, me të cilin ka mundësuar shtrimin e disa rrugë të kësaj komune, përvec rrugëve të shtruara me fonde nga buxheti i shtetit, por ai është treguar me vizion, në mënyrë të vecantë në bashkëpunimin me firma austriake, me firma dhe investitorë të tjerë të huaj që kanë ardhur në Shqipëri për të kooperuar dhe për të ndryshuar infrastrukturën apo për të konsultuar projekte të tjera zhvillimi në komuna dhe qarqe të tjera.
Kjo është një politikë të cilën ne do ta ndjekim me përparësi të madhe për të bërë të mundur rritjen e numrit të investitorëve në këtë qark dhe në të gjithë Shqipërinë; kjo shton të ardhurat dhe i jep mundësi zhvillimit të gjithanshëm të Shqipërisë, që kjo të renditet përkrah vendeve të tjera të Evropës .