Kryeministri Berisha inauguron rrugën Kozarë-Kuçovë, investim me vlerë 163 milionë lekë
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksioni të rrugës Kozare-Kuçovë. Rruga Kozarë-Kuçovë, 3.82 kilometra, lidh qendrën e komunës Kozarë, me qytetin e Kuçovës. Përfitues nga ky investim janë 25 mijë banorë të komunave Kozare, Kuçovë, Perondi. Kjo rrugë është financuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane e Investimeve, me vlerë 163 milionë lekë. Ky investim është pjesë e një ndërhyrjeje të integruar që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po kryen në kuadër të strategjisë rajonale të zhvillimit në qarkun e Beratit. Së bashku me dy rrugët e tjera Grekan-Vlashuk 13.5 kilometra dhe Kozare-Fiershegan 18.1 kilometra, punimet e të cilave janë në zbatim, kjo zonë merr rëndësi, duke u bërë një pikë ku kryqëzohen rrugët që lidhin qarkun e Beratit me atë të Fierit dhe Elbasanit.
Në pjesën urbane, rruga ka një gjerësi asfalti prej 5-6 metra dhe është e pajisur me trotuare në të dy krahët dhe është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë sinjalistikën rrugore. Pjesë e këtij investimi ka qenë dhe zgjerimi i urës ekzistuese të Kozarës, që sot është me dy kalime.
Kryeministri Berisha informoi banorët se fillojnë, gjithashtu, punimet në dy segmentet shtese që ka kërkuar komuniteti i zonës: rikonstruksioni i hyrjes së qytetit të Kuçovës, si dhe rikonstruksioni i aksit Polovinë-Drizë, i cili do të lidhe komunën Perondi me rrugën Kozare-Kuçovë. “Ne, - u shpreh Kryeministri, - i mbajmë fjalët tona dhe i bëjmë ato realitet. Ne premtuam vite më parë se do të dyfishojmë pensionet e fshatit. Ne i kemi dyfishuar ato dhe do të vazhdojmë t’i rrisim. Ne premtuam se do të subvencionojmë projektet. Katër vitet që shkuan ne kemi subvencionuar 42 mijë projekte në fshat. Ne premtuam se do t’ju ndërtojmë ju infrastrukturën rrugore të njëjtë me lagjet e qyteteve. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 8 mijë kilometra rrugë rurale. Ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo kilometër rrugë rurale që ka mbetur për t’u ndërtuar. Në katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në Kozarë, në Berat dhe kudo në Shqipëri rrjetin e ujitjes më modern që ekziston sot në ndonjë vend”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur banorë të komunës Kozarës,
zoti kryetar i komunës,
zoti deputet,
zotërinj qeveritarë vendorë,
Përshëndetjet më të përzemërta dhe shpreh kënaqësinë time që inauguruam sot së bashku rrugën Kozarë - Kuçovë, rrugë e cila ju lidh me qendrën e Kuçovës dhe, më tej, me Beratin, Lushnjën, Tiranën e me radhë. Kjo rrugë është një investim prej 163 milionë lekë dhe u shërben 25 mijë banorëve të Kozarës, Kuçovës dhe Perondisë.
Ne po ndërtojmë në këtë zonë rrugën Grekan-Vlashuk 13.5 kilometra dhe Kozare-Fiershegan 18.1 kilometra. Kështu Kozara bëhet një qendër e rëndësishme midis Beratit, Elbasanit dhe Lushnjës. Së shpejti fillon rikonstruksioni i hyrjes së qytetit të Kuçovës, si dhe rikonstruksioni i aksit Polovinë-Drizë, të cilat do të lidhin komunën Perondi me rrugën Kozarë-Kuçovë.
Zoti kryetar i Komunës,
Jam sot këtu për të dhënë fjalën, para këtyre grave dhe burrave të Kozarës, se unë do të mbështesë çdo projekt tuajin, në mënyrë që ju fermerët e Kozarës, banorët e kësaj komune, kudo që jetoni, të keni infrastrukturë rrugore, shkolla, qendra shëndetësore, ujësjellës, kanalizime të njëjtë me lagjet e qyteteve.
Ne, vetëm në këtë mandat, ndërtojmë në Berat rrugë të reja dhe rindërtojmë rrugë më shumë se të gjithë kohërat të marra së bashku. Nga kanionet e Osumit deri te unaza e Shpiragut dhe Lushnje, në qarkun e Beratit kemi ndërtuar dhe rindërtuar 500 kilometra rrugë. Unë jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën se do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo kilometër rrugë, aty ku ju jeni. Në qarkun e Beratit kemi ndërtuar dhe rindërtuar 65 shkolla, 31 ujësjellës e kanalizime, 46 qendra shëndetësore dhe ambulanca. Në këtë qark të burrave dhe grave punëtorë të shkëlqyer, ne kemi subvencionuar më shumë se kudo tjetër. Ne kemi subvencionuar 2600 hektarë ullishta, pemëtore, vreshta, sera e kultura të tjera. Në qarkun e Beratit ne kemi mbështetur me subvencion 6840 fermerë. Unë jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën se ndihmën për ju do ta 3-fishojmë në mandatin e ri.
Unë kam kënaqësinë e madhe t’ju jap ju fermerëve të Kozarës, të Beratit dhe të mbarë Shqipërisë lajmin e mirë se qeveria do të vendosë së shpejti të subvencionojë akcizën e naftës për ju. Kjo do tw jepet me para në dorë për sipërfaqen që do të mbillni. Ne do të bëjmë gjithçka për suksesin tuaj. Ne do të bëjmë gjithçka që djersa, mundi dhe puna juaj të shndërrohet në begati, të shndërrohet në mirëqenie, të shndërrohet në jetë më të mirë. Qeveria e hoqi TVSH-në për plehrat dhe për kimikatet që ju përdorni. Tani qeveria do t’jua japë ju paratë e TVSH-së për plehrat dhe për kimikatet që përdorni. Ne kemi respekt për firmat, por ajo TVSH kishte si synim të vinte tek ju. Ndaj kemi gjetur skemën t’jua dorëzojmë juve në dorë paratë e TVSH për plehrat dhe kimikatet.
Ne i mbajmë fjalët tona dhe i bëjmë ato realitet. Ne premtuam vite më parë se do të dyfishojmë pensionet e fshatit. Ne i kemi dyfishuar ato dhe do të vazhdojmë t’i rrisim. Ne premtuam se do të subvencionojmë projektet. Katër vitet që shkuan ne kemi subvencionuar 42 mijë projekte në fshat. Ne premtuam se do t’ju ndërtojmë ju infrastrukturën rrugore të njëjtë me lagjet e qyteteve. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 8 mijë kilometra rrugë rurale. Ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo kilometër rrugë rurale që ka mbetur për t’u ndërtuar. Në katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në Kozarë, në Berat dhe kudo në Shqipëri rrjetin e ujitjes më modern që ekziston sot në ndonjë vend.
Ndaj dhe ju bëjmë thirrje ju se duhet të zhvillojmë së bashku fushatën elektorale më festive, më të qytetëruar, fushatën e bazuar në argumentin, në faktet, në mendimin, në opinionin, në programin më të mirë. Në Berat, në Lushnje, në Vlorë dhe kudo, unë jam ulur me fermerët për të dëgjuar fjalën e tyre, për të dëgjuar dertet e tyre, hallet e tyre, mendimet e tyre për programin tonë. Unë u jam shumë mirënjohës atyre për mendimet e përgjegjshme dhe të drejta që më kanë dhënë. Unë ju garantoj se të gjitha do t’i bëjmë realitet.
Vëllezër e motra,
Sot është fakt i pamohueshëm se Shqipëria është rritur ekonomikisht me shpejtësi të madhe, por kjo rritje është vaditur ditën dhe natën, është vaditur çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj me djersën tuaj të ballit, me punën tuaj të ndershme.
Le të ecim ne Përpara për të bërë çdo ditë e më shumë fshatin tonë, komunat tona më të begata. Le t’i lëmë ata me ngjalat e Nard Kokës, se një e nga një do t’i ngecin në fyt. Po vëllezër, Aleanca e ngjalave. Ne, fjalën njëri-tjetrit dhe të punojmë për të shndërruar në vepra të gjitha premtimet tona.
Zoti kryetar, edhe një herë ju premtoj se ne ashtu siç ndërtuam këtë rrugë do të ndërtojmë edhe çdo rrugë tjetër, çdo ujësjellës, çdo kanalizim, çdo shkollë, çdo sistem vaditje në këtë komunë.
Faleminderit shumë!”
18/04/2013