Kryeministri Berisha inauguron rrugën Meto Asim – Kafaraj, në qarkun e Fierit, investim me vlerë 247 milionë lekë

Kryeministri Berisha, në vijim të përurimit të një seri rrugësh lokale dhe dytësore, ishte sot në qarkun e Fierit, ku u inaugurua përfundimi i rikonstruksionit të rrugës Meto Asim – Kafaraj. Rruga, një investim me vlerë 247 milionë lekë, financim i qeverisë shqiptare, BERZH dhe BEI lidh 5 fshatra të komunave Frakull dhe Levan me njëri - tjetrin, por edhe me luginën e Vjosës dhe autostradën Levan – Tepelenë.
Ky investim shkurton kohën e udhëtimit 3 herë krahasuar me atë përpara rikontruksionit të rrugës, duke u lehtësuar kështu lëvizjen 4 mijë banorëve të kësaj zone drejt qendrave administrative, si edhe fermerëve u vjen në ndihmë për të nxjerrë produktet e tyre më shpejt në tregun e Fierit, të Vlorës dhe më gjerë. Me këtë investim, infrastrukturës rrugore të rrethit të Fierit i shtohet, gjithashtu, edhe një unazë që lidh rrugën Cakran – Qafë e Koshovicës me autostradën Levan – Tepelenë, duke i dhënë më shumë frymëmarrje lëvizshmërisë së mjeteve drejt Vlorës dhe Tepelenës. Segmenti i ri rrugor Meto Asim – Kafaraj, me gjatësi 8.5 kilometër, është i pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë sinjalistikën, kanalizimet, hapësira parkimi, vepra arti dhe mure mbajtës.
Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij drejtuar banorëve të kësaj zone, u shpreh se infrastruktura e fshatrave tona duhet të jetë identike me infrastrukturën e lagjeve të qyteteve tona, ndërsa theksoi se “katër vitet që vijnë ne do të shkojmë në çdo komunë, në çdo fshat, do të ndërtojmë infrastrukturën më moderne”.
“Ju ftoj,- tha Kryeministri Berisha, - të vazhdojmë së bashku këtë betejë për këtë projekt, i cili ka qëllim madhor për të nxjerrë fshatin shqiptar nga një trashëgimi e pamerituar dhe për ta bërë atë fshatin e një vendi të zhvilluar, fshatin e një vendi evropian. Të votojmë edhe për të ardhmen tonë evropiane”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur banorë të Peshtanit, komuna Frakull, ju përshëndes shumë përzemërsisht,
zoti ministër,
zotërinj deputetë,
qeveritarë vendorë,
Shpreh kënaqësinë time të madhe që inaugurojmë sot rindërtimin e plotë, në një kohë rekord dhe para afatit, të rrugës Meto Asim – Kafaraj, rrugë kjo shumë e rëndësishme për zonën tuaj, për nxjerrjen e prodhimeve të fermerëve të Peshtanit në Fier, në Vlorë, në Tiranë, në tregjet e mëdha të vendit. Rruga është një investim prej 247 milionë lekë, me gjatësi 8.5 kilometër dhe u shtohet mbi 8 mijë kilometrave rrugë që ne kemi ndërtuar të këtij standardi në zonat rurale, në fshatrat, në komunat e Shqipërisë. Ne njohim mirë mundimin tuaj, e dimë mirë sakrificën tuaj, lodhjen tuaj të përditshme, përpjekën tuaj të madhe për një mirëqenie më të mirë.
Për ne qytetarët shqiptarë janë dhe do të jenë të barabartë. Ndaj ne kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka për t’ju lehtësuar ju në punë tuaj. Ne kemi vendosur të bëjmë çdo investim për t’ju ofruar infrastrukturë moderne, rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, kanalizime, ujësjellës dhe sisteme vaditje të standardeve më të mira. Infrastruktura e fshatrave tona, në projektin e Partisë Demokratike, duhet të jetë identike me infrastrukturën e lagjeve të qyteteve tona. Ne, bazuar në këtë platformë, mbi 60 përqind të të gjitha investimeve i kemi bërë në Shqipërinë rurale, e cila në mbi 90 përqind të saj ishte Shqipëria e baltës, me rrugë balte, me rrugë të shkatërruara. Sot, pas tetë vitesh, në Mallakastër, në Fier, në Lushnje dhe kudo në Shqipëri ne kemi rindërtuar dhe ndërtuar mijëra e mijëra kilometra rrugë.
Katër vitet që vijnë ne do të shkojmë në çdo komunë, në çdo fshat, do të ndërtojmë infrastrukturën më moderne. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1000 shkolla në zonat rurale dhe të gjitha shkollat e fshatrave të Shqipërisë do të kenë standarde të njëjta me shkollat e qyteteve. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar qindra ujësjellës. Ne do të bëjmë gjithçka që çdo fshat i Shqipërisë të furnizohet me ujë të rrjedhshëm. Katërvjeçari që vjen do të jetë katërvjeçari i 3-fishimit të granteve për fermerët shqiptarë, i finalizimit të infrastrukturës së Shqipërisë rurale.
Vëllezër,
Ku e bazojmë ne garancinë që ju japin juve për katër vitet që vijnë. Ne, para së gjithash, e bazojmë atë në suksesin që së bashku kemi arritur në këto vite. Tetë vite më parë, kur ne thamë se do t’i bëjmë komunat dhe fshatrat tona me infrastrukturë të njëjtë me atë të lagjeve të qyteteve, shumë të paktë ishin ata që e besonin këtë premtim, por këto vite ne kemi arritur rezultate të mëdha, të ndjeshme në këtë drejtim. Ne që asfaltuam 8 mijë kilometra, ju garantoj se në mandatin e ardhshëm, në 2 dhe maksimumi 3 vitet e para, do të ketë përfunduar asfaltimi i të gjitha rrugëve të Shqipërisë, të fshatrave dhe komunave të saj.
Nga viti 2007 e deri më sot ne kemi dhënë si grante, pa llogaritur këtu kredi të tjera, 5 miliardë e 700 milionë lekë. Paraardhësit tanë kishin dhënë 247 milionë lekë gjithsej. Edhe ato i kishin dhënë tollona që ju nuk i patë kurrë. Ne nuk bëjmë gjëra fiktive dhe gënjeshtra. Ne bëjmë gjithçka për të parandaluar korrupsionin. Ne kaluam në një skemë tjetër, skemën e parave falas për projektet tuaja. Deri më sot kanë përfituar 42 mijë fermerë. Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë projekt është fakti se kurrë nuk pata qoftë edhe një ankesë të vetme, ku të thoshin se më përjashtuan se isha socialist apo se isha pa parti. Le të dalë një socialist, në të gjithë Shqipërinë, dhe të thotë se i kam kërkuar Kryeministrit që të korrigjojë padrejtësinë që më është bërë me grante. Projektet janë vlerësuar ashtu siç i keni bërë ju. A është ky një sukses? Po, ky është një sukses i vërtetë. Atëherë, ne kemi të drejtë të 3-fishojmë paratë për ju, sepse ne shohim që këto para vijnë direkt tek ju dhe ju i shndërroni në ullishta, në vreshta, në dru frutore të tjerë, në sera, në lopë race, në dhi race, në baza për përpunimin e ushqimit, në frigoriferë, në çdo gjë. Ndaj ne do t’i 3-fishojmë grantet. Dua të them diçka për fshatarët shqiptarë: nuk ka njerëz me instikt më të zhvilluar për investime sesa fshatari shqiptar. Të tjerë mendojnë se fshatari është i apasionuar për të palosur paratë në arkë. Jo, ai është i apasionuar për të investuar çdo ditë e më shumë. Hidhini një sy kodrave e shikojini si i kanë qëndisur. Vetëm 1/5 e atyre që janë bërë këto vite janë grantet e qeverisë, 4/5 janë paratë e fermerëve shqiptarë, të cilët me fitimet e tyre zgjerojnë çdo ditë fermat e tyre. Ndaj ne vendosëm për t’ju mbështetur ju me një paketë të re të shkëlqyer fiskale, të heqim çdolloj takse për importet që ju përdorni për prodhimin bujqësor, blegtoral dhe të çdolloj. Në këto bisedimet që kam bërë dhe do të vazhdoj të bëj me fermerët, ata më kanë shtruar një problem: mirë që qeveria po e heq TVSH-në për plehrat, por ato para nuk vijnë tek ne, ato para i merr tregtari. Kanë të drejtë. Edhe ne javën që vjen do ndryshojmë ligjin dhe ato para do të vijnë, me faturë, direkt tek fermeri. Disa fermerë të tjerë më thanë se përse nuk është vendosur hekuri i serave? Po, hekuri i serave është vendosur, është në listën e materialeve të importit që nuk kanë TVSH-në kur përdoren për serat. Ne jemi të vendosur që së bashku të bëjmë gjithçka që ju të rrisni fermat tuaja. Fermerët kërkuan të hiqet taksa prej 10 përqind kur ata shesin dhe blejnë tokën. Ajo do të hiqet këtë javë, pasi ju kërkoni të zmadhoni fermat. Unë vetëm një lutje kam për këshillat dhe për komunat, të japin sa më shumë tokën me të 10-ta ose me qera dhe të mos lëmë asnjë pëllëmbë tokë të papunuar.
Vëllezër,
Problemi juaj madhor është tregu, por rrugët janë korridoret e tregut. Në rrugë kalojnë energjia e tregut, prodhimet tuaja. Jo vetëm kaq, por ne ndërtuam rrugën e kombit. Kush përfiton më shumë nga ajo rrugë? Më shumë se gjithë të tjerët përfitojnë fermerët shqiptarë që eksportojnë prodhimet e tyre në Kosovë dhe më tutje. Ne me hapjen e vendit bëmë që Shqipëria të presë 4.7 milionë turistë dhe vizitorë. Ky është një lajm shumë pozitiv për tregun e prodhimeve tuaja, të cilat kanë një treg dy herë më të madh. Ne po financojmë, po kreditojmë agro-biznesin, po bëjmë gjithçka për suksesin tuaj.
Kthejini sytë dhe shihni pak se ç’po ndodh në krahun tjetër. Thonë do të kthejmë akcizën, do të subvencionojmë akcizën, sepse i duhet Caci Oil, i duhen tollonat tuaj. Këto janë gjëra me rëndësi shumë të madhe për ju. Unë ju them se vetëm TVSH-ja e inputeve të tjera bujqësore e fidanëve, pa makineritë, është mbi 20 milionë euro, ndërkohë që akciza është vetëm 5 milionë euro. Për ne skema të cila nuk vijnë direkt tek ju nuk do të aplikohen ndonjëherë. Thotë do të heqim TVSH-në për grurin, miellin, misrin, qumështin, vezën. Po sigurisht, sepse Duka i ushqimit po vjen përsëri deputet, që të evazojnë përsëri, përsëri e përsëri.
Pyetini bashkëfshatarët tuaj, të çdo bindje politike, se çfarë bënë për ju ata që ishin para nesh për tetë vite në pushtet. Ata juve ju cilësuan eskimezë, sepse në zgjedhjet lokale të vitit 2007 ju votuat gjerësisht për Partinë Demokratike. Thanë: Berishën e votojnë eskimezët. Unë kam krenari për votën tuaj. Por t’i lëmë këto se janë epitete të turpshme politike.
Së dyti, ata zhvilluan konceptin së nuk investohet në zonat e asgjësë. Cilat ishin zonat e asgjësë? Absolutisht, çdo zonë kodrinore-malore në Shqipëri. Para tetë vitesh kam ardhur për fushatë elektorale në Cakran, sepse kam shkuar shpesh atje, dhe më doli shpirti rrugës. Ju them të vërtetën. Dhe ajo rrugë, absolutisht, kishte qenë më e mirë, sepse kam qenë edhe më përpara, në vitin ’91, në vitin ’94. Kur erdha në vitin 2005, në pranverë, ajo rrugë ishte tmerr. Ndërsa sot, ja si është rruga dhe të gjitha rrugët e tjera do t’i bëjmë si ajo.
Zotëria kalon në një alternativë të bazuar në mohimin. Deklaroi sot në media se nuk është ndërtuar asnjë kilometër autostradë. E keni parasysh Shqipërinë e gënjeshtër të tyre. Në Shqipërinë e tyre të gënjeshtër, gjithçka që keni bërë ju këto 8 vite, gjithçka që kemi bërë së bashku këto 8 vite nuk ekziston. Nuk ekziston kjo rrugë, nuk ekzistojnë këto shtëpi të reja, nuk ekziston rruga e Cakranit, nuk ekziston rruga Levan – Tepelenë, nuk ekziston rruga Levan – Vlorë, nuk ekziston autostrada Vlorë – Levan, autostrada Fier – Lushnje, nuk ekziston anëtarësimi në NATO, nuk ekziston lëvizja e lirë. Për ta ekziston vetëm errësira e tmerrshme që ka pushtuar mendjet e tyre për pushtet, që, me sa duket, nuk do ta shohin më asnjëherë. Dje u thoshte shqiptarëve se janë në rrezik.
Ai shkon në Tropojë dhe u thotë atyre që diku këtu nga Geghyseni i kam rrënjët. Ata më thonë mua. Jo, - u them, - është tallur. Shkoi në Mbreshtan, thotë aty ka trojet, buzë Shpiragut. Shkon në Shkodër dhe thotë – unë këtej jam. Edhe konvertohet çdo 5 vjet, sipas oreksit. Shkon në Durrës dhe thotë - unë jam nga Durrësi. Ai është vetëm nga vetja e tij dhe nga askund nuk është.
Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë së bashku këtë betejë për këtë projekt, i cili ka qëllim madhor për të nxjerrë fshatin shqiptar nga një trashëgimi e pamerituar dhe për ta bërë atë fshatin e një vendi të zhvilluar, fshatin e një vendi evropian. Të votojmë edhe për të ardhmen tonë evropiane.
Qeveria, së bashku me ju, bëri gjithçka me reformat për të marrë statusin. Për tre ligje, me ligësinë më të madhe njerëzore, bllokoi statusin. Ai mendon se shqiptarët nuk e analizojnë se kush ka përgjegjësi për bllokimin. Ai mendon se shqiptarët nuk shohin murin që u ngriti ai për statusin. Dhe për statusin, ata të cilët e pësojnë më shumë janë edhe fermerët shqiptarë, sepse 50 miliardë euro është subvencioni i Bashkimit Evropian për fermerët e Bashkimit Evropian. Statusi nuk është vend anëtar, por statusi është vend me pjesëmarrje të plotë në fondet për zhvillimin e bujqësisë. Sot, në qoftë se do të kishim statusin, fondet për ju fermerë, fondet direkt për projektet tuaja do të ishin shumë herë më të mëdha. Ne ia dolëm t’i fillojmë ato. Ne ia dolëm të kemi për fshatin fondet e para, por me status ato fonde do të ishin të paktën 8 herë më të mëdha. Përveç fondeve për projekte dhe investime në fermat tuaja, fondet për infrastrukturë do të ishin shumë më të mëdha, fondet që do të vinin nga investitorët privatë do të ishin shumë herë më të mëdha.
Ndaj kemi 23 qershorin, votojmë të gjithë së bashku për Shqipërinë evropiane. Mandati i ri do të jetë mandati i statusit dhe negociatave, do të jetë mandati i progresit të madh drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Le t’i lëmë ata në aleancën e ngjalave dhe ju betohem, atë betim që bëra në Kashar po ia bëj edhe këtu, se: do të ngecin në fyt ngjalat e Nard Kokës. Këtu do të jemi. Dhe ai nuk e di se çdo të thotë të të ngelin halat e ngjalave. Nuk ka doktor që t’i nxjerr.
Vëllezër,
Ju përshëndes dhe ju uroj shumë të mira!”
14/04/2013