E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet hapjen e konkursit të shkollave të mesme të Tiranës në Art dhe Sport

- Në 4 vitet që vijnë, ne jemi zotuar të ndërtojmë në çdo shkollë 9-vjeçare, në çdo komunë të Shqipërisë terrenet sportive për nxënësit dhe nxënëset e vendit tonë

Kryeministri Berisha përshëndeti sot pasdite hapjen e konkursit të shkollave të mesme të Tiranës në Art dhe Sport, aktivitet ky i organizuar nga bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Këshillin Rinor Bashkiak dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë.

Ky projekt synon të sjellë një praktikë të re të aktivizimit të talenteve në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit dhe skuadrave sportive. Pjesëmarrësit në këtë konkurs, nxënës nga 24 shkolla të Tiranës, do të kalojnë nëpër disa faza kualifikimi dhe në përfundim do të ketë një aktivitet lançues, si edhe një mbrëmje Gala për dhënien e çmimeve.

Kryeministri Berisha i përshëndeti konkurrentët dhe i përgëzoi organizatorët për këtë iniciativë, ndërsa u shpreh se “kjo garë sportive dhe artistike përbën një moment të madh, të veçantë në jetën e kryeqytetit tonë”.

“Ju këshilloj, miqësisht, - tha Kryeministri, - që cilido të jetë pasioni juaj, cilado të jetë fusha që ju preferoni, mos u ndjeni kurrë të plogësht para stërvitjes sportive, jepini asaj kohën, investoni për të, sepse është një investim i shkëlqyer jo vetëm për trupin, për formën, për linjat, por edhe për mendjen, për psikologjinë, për performancën në tërësi”.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se “në 4 vitet që vijnë, ne jemi zotuar të ndërtojmë në çdo shkollë 9-vjeçare, në çdo komunë të Shqipërisë terrenet sportive për nxënësit dhe nxënëset e vendit tonë”.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur nxënëse dhe nxënës,

mësuese dhe mësues të shkollave të mesme të Tiranës,

zoti kryetar i Bashkisë,

zonja kryetare e Këshillit Rinor Bashkiak,

të dashur të pranishëm,

Ju përshëndes përzemërsisht! Kjo garë sportive dhe artistike përbën një moment të madh, të veçantë në jetën e kryeqytetit tonë. Gara në të cilën nxënëset dhe nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës do të shpalosin talentin, energjinë, imagjinatën, gjeninë e tyre krijuese, është një garë që gjallëron, fisnikëron, forcon dhe zbukuron shumë këtë pranverë të kryeqytetit të Shqipërisë. Kjo është një garë ku më të talentuarit do të shpalosin, do të çelin talentet e tyre të mrekullueshme, do të arrijnë rekordet e merituara.

Të dashur të reja dhe të rinj,

Ju përgëzoj që keni vendosur të merrni pjesë në këtë garë. Ju këshilloj, miqësisht, që cilido të jetë pasioni juaj, cilado të jetë fusha që ju preferoni, mos u ndjeni kurrë të plogësht para stërvitjes sportive, jepini asaj kohën, investoni për të, sepse është një investim i shkëlqyer jo vetëm për trupin, për formën, për linjat, por edhe për mendjen, për psikologjinë, për performancën në tërësi.

Qeveria do të bëjë gjithçka të nxisë tek ju këtë pasion, të krijojë kushtet që ju të stërviteni në sportin që dëshironi. Në katër vitet që vijnë, ne jemi zotuar të ndërtojmë në çdo shkollë 9-vjeçare, në çdo komunë të Shqipërisë terrenet sportive për nxënëset dhe nxënësit e vendit tonë. Ne do të zhvillojmë traditën sportive, si një nga traditat më të bukura, më përfaqësuese për rininë shqiptare, për shqiptarët në tërësi. Unë e di se në rast se ju jo të gjithë jeni sportistë, ju të gjithë jeni poetë me vargje ose pa vargje, shpirti juaj është shpirti i poezisë, i këngës, i lirikës, i prozës, i muzikës.

Ndaj dhe unë ju uroj shumë suksese në shpalosjen e gjenisë tuaj artistike. Në këtë moshë janë ëndrrat më të bukura të njeriut për artit. Kjo është mosha e projekteve më të mira. Sot, në një nga emisionet televizive, unë pashë një bashkëmoshatarin tuaj, i cili kishte pasur një jetë shumë të vështirë, mjaft të komplikuar, por më ngjalli admirimin më të madh, sepse ai dëshironte të bëhej këngëtar, të bëhej këngëtar i njohur në Shqipëri. Le t’i urojmë ne së bashku suksese!

Unë ju uroj juve suksese, ju artistë, këngëtarë, regjisorë, piktorë, poetë, shkrimtarë të shquar të ardhshëm të Shqipërisë.

Urime!”


13/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›