E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me fermerë të disa komunave në Berat

Në vijim të takimeve me fermerë, për të dëgjuar mendimet e propozimet e tyre për  programin për bujqësinë në katër vitet e ardhshme, Kryeministri Berisha bashkëbisedoi me fermerë e blegtorë të disa komunave të rrethit të Beratit.

Më parë, Kryeministri vizitoi serën plastike në Gorican, një investim  privat me vlerë 87.3 milion lekë, i ngritur në vitin 2006, për prodhim fidanësh e perimesh. Sera shtrihet në një sipërfaqe prej 6,000 m2 dhe prodhimi vjetor i saj është 2 milionë rrënjë fidanë perimesh, 100 tonë perime në vit. Në të punojnë 8 punonjës të përhershëm dhe si sezonalë punësohen 35 familje të fshatit Gorican.

Fermerët e Beratit janë të njohur për prodhimet e tyre bujqësore si perimet, pemëtaria, ulliri, etj.. Sot, prodhimet e hershme të serave të Kutallisë janë të destinuara për eksport, duke siguruar burime financiare të qëndrueshme për fermerët e kësaj zone. Infrastruktura  rrugore e përmirësuar, falë investimeve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka sjellë lehtësi të mëdha për transportin e prodhimeve drejt tregut të Lushnjës dhe atij të jashtëm, në vende të ndryshme të rajonit. Në qarkun e Beratit janë subvencionuar 2600 hektarë me ullishte, pemëtore, vreshta, spërkatje e sera dhe kanë përfituar 6840  fermerë ose mbi 25 herë më shumë se qeveria socialiste.

Më poshtë, bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha me fermerë e blegtorë të disa komunave të rrethit të Beratit.

Së pari dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht e t’ju falenderoj shumë për praninë tuaj këtu. Ju siguroj se për ne, mbështetja juaj, zhvillimi dhe modernizimi i mëtejshëm i fermerëve shqiptarë, suksesi në rritje i tyre, është një nga qëllimet më madhore. Ne besojmë dhe jemi të bindur se Shqipëria nuk mund të jetë vend i zhvilluar pa një fshat të zhvilluar, në shkallën e fshatrave të vendeve të zhvilluara. Në vitin 2005, ne përcaktuam objektiv e detyrën tonë - çka në pamje të parë të dukej utopi, aspak realist - që kudo në Shqipërinë rurale, në fshatra dhe komunat e vendit të ndërtojmë të njëjtën infrastrukturë me lagjet e qyteteve të vendit, të ndërtojmë rrugë, ujësjellës, kanalizime, vaditje, si dhe shkolla me të njëjtat standarde të lagjeve të vendit. Të tjerat ju, njerëzit e punës, njerëzit e tokës, njerëzit e djersës, i ndërtoni dhe i bëni vetë. Ky është koncepti ynë.

Ne i jemi përmbajtur këtij koncepti, në kohën kur realisht ishte pothuaj e paimagjinueshme. E mbaj mend si sot, kur deklarova se do të asfaltojmë 4 mijë kilometra rrugë rurale. Një histori e shkurtër. Në vitin ’95-’96, unë kisha biseduar me Bankën Botërore  dhe kishim përgatitur projektin për katër mijë kilometra rrugë rurale. Ngjarjet rrodhen si rrodhën, u riktheva në pushtet dhe prapë u riktheva tek projekti. Cila ishte deklarata e parë e opozitës? Nuk ekzistojnë 4 mijë kilometra rrugë rurale, por, në fakt, të dashur miq, rrugët rurale ekzistojnë rreth 12 mijë kilometra, nga të cilat 10 mijë janë rrugë të rrahura në mënyrë të përditshme, nga banorët e këtij vendi, të tjerat janë rrugë pujesh, minierash të braktisura, por rrugët ekzistojnë. Kështu, ne i hymë këtij projekti dhe në zotimin tonë për t’ju mbështetur juve, kemi asfaltuar deri më sot 8 mijë kilometra rrugë dhe kemi sërish për të asfaltuar.

Në një akt të dytë, të respektit e të vetëdijes së rolit, mundit,  djersës e vuajtjeve tuaja, ne dyfishuam pensionet. Pensionet ishin 34 mijë lekë dhe sot janë rreth 80 mijë lekë.

Ata, të cilët na thoshin se këto rrugë nuk ekzistojnë dhe tani prapë thonë se nuk ekzistojnë dhe matin distanca, duke thënë se në linjë ajrore, kjo do të thotë këtu e në Tokio, pra, këta spekulantë harrojnë relievin e Shqipërisë, i cili është një nga relievet më të vështira dhe përcaktuan një gjeografi të asgjësë dhe se nuk do të investojmë në zona të tëra, se ato janë asgjë. Nuk kemi asnjë zonë të asgjësë! Aty ku jetojnë njerëz, atë e kemi të çmuar dhe sot kemi arritur në 8 mijë kilometra rrugë e do të shkojmë në 10 mijë kilometra.

Ne vazhduam punën tonë. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1100 shkolla dhe do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë dhe fëmijët në fshat dhe kudo ku janë do të ulen në banka si fëmijët e qytetit. Por mos harroni se kryetari i Partisë Socialiste që u përzu me votë ka lënë të paasfaltuar në qytetin e Tiranës, në baltë të ‘gjallë’, absolutisht 250 kilometra rrugë dhe rrugica, sepse për ta ishte qendra e Tiranës. Unë ndjehesha jo mirë, kur shkoja në komuna të Durrësit apo të Krujës, të cilat ishin tërësisht të asfaltuara, ndërsa në qytetin e Tiranës, rrugët ishin të paasfaltuara.

Ne kemi një politikë përkushtimi të plotë ndaj jush dhe ne bëjmë gjithçka për suksesin tuaj. Natyrisht, ne bëjmë vetëm një pjesë, sepse më të shumtën e bëni ju vetë, me familjet e njerëzit tuaj. Ne synojmë përfundimin e infrastrukturës rrugore që ju të keni rrugë njëlloj siç i kanë fermerët gjermanë, anglezë, francezë etj.. Ne nuk mund ta bëjmë Shqipërinë, Gjermani, Francë apo Angli, në kohën që do të duam, por rrugët mund t’i bëjmë.

Ne jemi vend plot ujë dhe ne do të bëjmë një nga sistemet vaditëse më të mira që ekzistojnë dhe fillojmë menjëherë gjatë vitit që vjen, me 60 milionë eurot e para. Do të bëjnë gjithçka, që ju të vadisni pa ngritje, por të vadisni me presion, të vadisni me pika. Ne hoqëm duke privuar buxhetin nga një sasi jo e vogël, por e madhe të ardhurash, çdo lloj takse për makineritë tuaja e çdo gjë tjetër nga importi, që ju do të përdorni për prodhimet tuaja. Një nga bashkëfshatarët tuaj më tha se duhet të na e jepni neve TVSH-në dhe jo tregtarit. Edhe këtë do ta shqyrtojmë. Nëse ne hoqëm TVSH-në, e hoqëm për t’ju ndihmuar juve. Ky është qëllimi ynë. Ne e ndihmojmë tregtarin, por atje janë rregulla të tjera sesi e ndihmojmë. Ndërsa TVSH-ja hiqet vetëm për ju, në mënyrë që ju të keni kosto më të ulët prodhimi.

Katër vitet që vijnë ne do të trefishojmë grantin që ju japim juve.

Të dashur miq,

në këto vite që shkuan, nga viti 2007 deri më sot, nga granti ynë kanë përfituar 42 mijë fermerë. Në Berat kanë përfituar dhe janë subvencionuar mbi 2600 hektarë ullishte, pa llogaritur projekte të tjera. Ne do e trefishojmë këtë.

Hapja e vendit dhe turizmi ka sjellë në Shqipëri 4.7 milionë vizitorë dhe turistë,  pra, një treg dy herë më i madh për prodhimet tuaja. Hapja ka bërë të mundur eksportet që janë trefishuar. Kjo është një rrugë e mundimshme. Prapa çdo rrudhe tuajën, prapa çdo kalloje në duart tuaja, qëndrojnë mundimet e sakrificat, qëndron djersë e madhe, por ne do të bëjmë gjithçka, që kjo t’ju shndërrohet në mirësi, në mirëqenie, në sukses.

Këto takime, ne i bëjmë për të biseduar konkretisht me ju, për çdo gjë. Ne kemi ekspertët më të mirë, akademikët më të mirë, me të cilët këshillohemi, kemi Qendrën e Transferimit të Teknologjisë, të pajisur me të gjitha mjetet, por ne do të dëgjojmë zërin tuaj. Për ne, asgjë nuk zëvendëson mendimin dhe idetë tuaja.

Për ta mbyllur, vështroni alternativën tjetër. Më thoni a keni dëgjuar në 8 vjet, qoftë edhe një propozim të vyer për ju, përveç naftës. Ajo është e njohur. Ata filluan ta japim naftën dhe ajo avulloi e tëra në xhepa dhe tek ju nuk erdhi. Ne nuk veprojmë në këtë mënyrë. Ne do të veprojmë që ajo të vijë direkt tek ju dhe këtë do ta bëjmë. Zoti Rama thotë se do të heqë TVSH-në për ushqimet, për grurin, për miellin, për importet bujqësore, por kjo do të thotë të dëmtosh, të godasësh çdo prodhim shqiptar. Nuk jam kundër konkurrencës, jam plotësisht për konkurrencën, por për një konkurrencë të ndershme, sepse nëse heq TVSH-në për qumështin dhe të tjerët jep 3 euro në ditë subvencion për lopë, sigurisht që ju nuk konkurroni dot me qumështin apo grurin e tyre. Kjo është logjikë kokëposhtë e zotërisë së tij dhe jam i bindur se do të marrë përgjigjen e merituar në datën 23 qershor. Ai thotë se do të rrisë taksat për bizneset dhe harron se agrobiznesi, me të cilin ju jeni lidhur në mënyrë jetike, është një nga bizneset kryesore. Por, nëse ai rrit taksat për bizneset e mëdha, natyrisht, ai i shkurajon ato që të investojnë, shkurajon investitorët e huaj që të vijnë të investojnë në Shqipëri. Në një mbledhje të hapur që zhvillova me ta, ata më thanë se janë të dekurajuar  për taksën. Ne kemi ardhur këtu për taksën, thanë ata, sepse ju vendoset taksën e sheshte. Nëse vendoset taksa progresive, përse do të vijnë, nuk kanë ndonjë motiv. Por unë jam i bindur se ju keni mençurinë, instinktin dhe praktikën, për të bërë zgjedhjen dhe zgjidhjen më të mirë. Ju garantoj se ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për suksesin tuaj.

Zoti Kryeministër, ju falenderoj për vizitën tuaj këtu. Unë jam fermer me 20 dynym ullinj, të tëra këto të subvencionuara nga shteti. Në fshatin tim janë mbjellë 320 hektarë ullinj të subvencionuara po nga shteti. Kam një kërkesë. Deri më sot nuk u është bërë asnjë shërbim, sepse nuk është bërë rrugë dhe kjo është gjëja më e vogël që mund të bëni ju që keni bërë gjithë këto gjëra të mëdha. Kam edhe një kërkesë tjetër. Ne kemi një rezervuar. Për vaditjen me pikatore, ju e dhatë projektin tuaj dhe unë mendoj se po të bëhet vaditja me pikatore, fermerët shpëtojnë nga shumë shpenzime të tjera. Së treti, fshati ynë i ka tapitë pa vulë  dhe ky problem nuk është zgjidhur deri më sot.

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për çështjet që ngritët dhe ju siguroj se Fondi Shqiptarë i Zhvillimit do të merret në mënyrën më serioze, me rrugën. Neve në del e domosdoshme të praktikojmë edhe një mënyrë tjetër ndërtimi të rrugëve, të cilat kanë qarkullim shumë të vogël dhe nuk kanë nevojë për teknologjinë që kanë rrugët më kryesore, më të rëndësishme. T’ju them të vërteten, kur erdhëm në pushtet gjetëm qindra kilometra çakëll, por që ishin të gjitha para të avulluara. Punën e parë që bëra, ju thashë se nuk kemi për të financuar qoftë edhe 200 metra rrugë me çakëll, sepse thuhej se u hodhën kaq kamionë, por ato nuk hidheshin kurrkund. Ajo ishte mënyra për të përfunduar paratë nëpër xhepa dhe për të mos i marrë vesh kurrë se ku shkonin. Ne e ndaluam këtë praktikë. Tani nuk them që të kthehemi tek rrugët me çakëll, por të përdoren teknologji të tjera që bëjnë të mundur ndërtimin e rrugëve me kosto më të ulët, por që i përgjigjen kërkesave të fermerëve. Të garantoj se rrugën do ta bëjmë.

Përsa u përket rezervuarëve, unë e mora përsipër. Në takimin tjetër që patëm pak më parë në një kafene, më siguruan që ky është një investim 5 deri në 10 milionë lekë (të reja) dhe ne si qeveri jemi të prirur ta bëjmë pa asnjë lloj hezitimi dhe në kohën më të parë.

Ndërsa tapitë janë një problem që do të marrë zgjidhje përfundimtare, shumë shpejt, për dy arsye. Së pari, ne po bëjmë regjistrin dixhital të tokës, regjistri më i mirë që mund të bëhet. Ky regjistër është pothuaj regjistri ideal i tokë. Së dyti, ne kemi transferuar tek kryetarët e komunave pothuajse të gjitha kompetencat, përveç njërës, të cilën gjithashtu do ta transferojmë. Në funksion të kësaj, ne jemi të gatshëm të hapim zyra hipoteke në komuna, në mënyrë që ta finalizojmë procesin dhe do të finalizohet me shpejtësi. Aktet ligjore i kemi shumë të mira. Tani do të vazhdojmë sa më shpejt me finalizimin e këtij procesi.

Jam një fermer nga fshati Arrëz. Kam 5 dynym serë diellore. Në fshat, ne kemi një shqetësim, duam të na shtrohet rruga, e cila është gati 2 mijë metra?

Kryeministri Berisha:  Rruga do të bëhet. Ajo do të tenderohet në këtë kohë, është dhënë fondi dhe ish-zëvendës kryeministri e ka mbajtur fjalën dhe është këtu sot.  Ajo fillon nga prilli dhe deri në qershor rruga përfundon.

Gëzohem që erdhe zoti Kryeministër, jeni i pari që keni ardhur, se këtu as gjermani nuk ka ardhur, por tani kanë ndryshuar gjërat. Ne jemi 30 familje në fshatin tonë, por ka shkarë toka dhe fëmijët nuk po shkojnë dot në shkollë  për gati dy muaj. Nuk po gjejmë dot zgjidhje, pasi ka shkarë toka dhe është prishur rruga. Ne kemi 30 hektarë sera dhe ato janë pa rrugë dhe pa ujë.

Kryeministri Berisha:  Ju siguroj që me urgjencë do të përpiqemi t’ju ndihmojmë. Ju përgëzoj që keni mbjellë 30 hektarë sera dhe ne do të bëjmë punën tonë. Ne do të bëjmë gjithçka që rrugën ta hapim, ta rindërtojmë në mënyrë që ju të keni jetesë normale. Një gjë dua të them për ju dhe të gjithë qytetarët e rrethit të Beratit. Këtë mandat, Berati ka qenë në krye të përparësive tona për investime në fshatrat dhe komunat e tij dhe kemi bërë shumë mirë, sepse ju jeni fermerë punëtorë dhe ky rreth, me prodhime të mrekullueshme dhe me një potencial shumë të madh. Ne po investojmë në të katër anët e qarkut, nga Skrapari deri në kufi me Lushnjen dhe me Dumrenë. Natyrisht, një mirëkuptim kërkojmë: sado që të bëjmë ne, është e pamundur t’u përgjigjemi njëherësh kërkesave të jashtëzakonshme, të ligjshme dhe të drejta. Çdo kërkesë për rrugë, unë e quaj kërkesë shumë të drejtë dhe qeveria qëndron e vendosur të ndërtojë çdo rrugë aty ku banojnë qytetarët. Natyrisht, menjëherë nuk i bën dot. Natyrisht, ju e keni më të thjeshtë problemin, pasi ju keni një rrugë të shkurtër, keni një shembje aty dhe është diçka që do të ndreqet. Ju thatë se bëhet fjalë për 2 kilometra dhe nuk nxirrni dot prodhimin në treg dhe keni shumë të drejtë. Ndaj edhe ne jemi përqendruar në ndërtimin e rrugëve. Do t’ju mbështesim fuqimisht.

Jam fermer blegtorie. Unë kam ndjerë dorën e shteti nga subvencionimet që më ka dhënë, por ka dy vjet që nuk kemi marrë subvencione. Nuk e di, nëse jeni në dijeni për subvencionimet që janë hequr në drejtim të blegtorisë, në rrethin e Beratit?

Kryeministri Berisha: Nuk jam në dijeni dhe ju siguroj se, nëse është hequr, do të kthehet. Ju përgëzoj për fermën blegtorale. Ne ju kemi mbështetur dhe ju siguroj se  shumë më tepër do të mbështesim edhe fermat blegtorale. Ne kemi mbajtur një qëndrim dhe kemi mbështetur më shumë prodhimin e qumështit sesa mishin, por do t’i kthehemi fuqishëm edhe prodhimit të mishit. Nëse kemi mbajtur këtë qëndrim, e kemi bërë duke menduar që të favorizojmë njëherë qumështin, por tani po kaq i rëndësishëm është edhe mishi. Ndaj do t’i kthehemi fuqishëm subvencionimit të prodhimit të mishit. Nuk ka diskriminim për këtë, të garantoj. Por aplikimet janë shumë të mëdha  dhe ne jemi përpjekur që  kush e ka merituar, ta fitojë, por kjo ka sjellë edhe spostime dhe vonesa. Ne zotohemi të trefishojmë grandet për fermerët shqiptarë, gjatë katër viteve që vijnë dhe këtë do ta bëjmë.

Unë jam një fermer i ri. U ktheva nga Greqia dhe investova duke bërë 2 dynym serë. Unë kam një kërkesë, nëse plehrat kimike mund të ulen pak, se na vrasin shumë?

Kryeministri Berisha:  Të falenderoj shumë për çështjen që ngrite dhe të siguroj se do të bëjmë gjithçka që të ulen. Së pari do të ridiskutojmë edhe njëherë çështjen e përfitimit nga ju të TVSH-së. Ne nuk e hoqëm TVSH-në për të tjerët, por e hoqëm për ju, që plehërimi t’ju kushtojë 20 përqind më pak dhe ne do të gjejmë mënyrën që kjo të ndodhë. Dua t’ju kërkoj një rishqyrtim tregtarëve të plehrave dhe fertilizuesve, pasi nuk mund të pajtohem se këtu çmimi të jetë 2-3 herë më i lartë se në Kosovë. Çdo fitim ka një kod dhe duhet t’i përmbahemi atij. Ndaj, kjo po studiohet me shumë vëmendje. Ne jemi për tregtinë e lirë, garantojmë tregtinë e lirë dhe e mbështesim tregtinë e lirë, por jo marrëveshje për çmime të papranueshme. Këtë nuk e mbështesim. Ne do të shohim në dy drejtime: drejtimin që TVSH-ja të vijë tek ju dhe drejtimin tjetër, që çmimet dhe fitimi të jenë në proporcion, ashtu siç janë në vendet e tjera. Për shembull, para katër vitesh, ju paguanit për telefoninë  celulare tre herë më shumë se austriakët, tre herë më shumë se serbët, por qeveria lepurin e kap dhe tani ato çmime janë tre here më të ulëta. Ne jemi që kompanitë të kenë fitim dhe i mbështesim ato, sepse duam suksesin e  tyre, por kodi i fitimit është kod fitimi dhe nuk mund të jetë në stratosferë. Nuk mundet që plehu të shitet këtu, tre herë më shtrenjtë se në Kosovë, në një kohë kur këtu, tregu është dy herë më i madh. Këto nuk pranohen.

Përshëndetje zoti Kryeministër. Kam dy probleme lidhur me kullimin dhe vaditjen. Pothuajse këtu në fshat nuk ekzistojnë fare. Kemi tre stacione pompimi që shërbejnë për mbushjen e rezervuarit, të cilat nuk funksionojnë, përjashtuar vetëm një stacion pompe.  Problemi tjetër që kemi  është mungesa e ujit të pijshme. Faktikisht, ne uji na ka ardhur, por vjen shumë i pisët dhe e gjithë kjo për të vendosur një filtër pastrimi. Problemi tjetër është regjistrimi i tokave, pasi ne si fshat e vuajmë mungesën e mos regjistrimit të tokave. Për një dokument duhet të bredhësh nëpër zyrat e kadastrave.

Kryeministri Berisha: Të falenderoj për të tria çështjet që ngrite dhe që janë të drejta.

[Kryeministri i drejtohet bashkëpunëtorëve] Bordi i kullimit duhet të vijë këtu dhe të zgjidhë problemin që kanë. Këta e kanë bërë punën e tyre, ne duhet të bëjmë punën tonë. Këta e kanë emergjencë, qoftë vaditjen, qoftë kullimin, ndaj edhe do t’i porosisësh të vijnë këtu, të shohin çështjen dhe ta zgjidhin. E di që është Drejtori më vete, por që varet nga Ministria e Bujqësisë, ndaj të vijnë këtu, të shkojnë tek prefekti dhe të zgjidhin problemin.

Së dyti, për filtrin e ujit, unë do t’ju kërkoj zyrtarëve përgjegjës që menjëherë të marrin masat. Zoti prefekt, sëbashku me sektorin e shëndetit publik, të vijnë këtu dhe të garantojnë ujin. Investimi është bërë, depoja është bërë, tubat janë shtrirë, tani është papërgjegjshmëri t’jua lëmë kështu.  

Përsa i përket tokës, unë u përgjigja pak më parë. Ju garantoj se do të merrni përgjigjen më të shkëlqyer. Ne po ecim me sistemin më modernin që ekziston dhe  shumë shpejt do ta përfundojmë. Ju siguroj që është e afërt dita, kur çdo shërbim të këtij shteti, ju ta merrni në një zyrë të vetme, kur shumicën dërrmuese të shërbimeve ta merrni në celularin tuaj. Pak durim. Brenda këtij viti përfundon regjistri dixhital i tokës. Aktet ligjore për kompetencat e komunave janë bërë. Po të ketë nevojë për ndonjë amendim, ne e bëjmë menjëherë dhe hapim zyrat përkatëse në çdo komunë, për të finalizuar këtë proces. Unë e kuptoj shqetësimin, por jemi në prag të një zgjidhjeje të shkëlqyer.

Ju përgëzoj për vizitën zoti Kryeministër. Jam nga fshati Sematic, fshati ka pak tokë për frymë dhe kemi bërë kryesisht sera. Problemi i parë që më mundon mua është kullimi. E dyta, kemi 3-4 kilometra rrugë lagjesh që janë me kalldrëm, të cilat janë të pakalueshme.

Kryeministri Berisha: Të falenderoj për çështjet që ngrini dhe më vjen mirë që ia themi njëri-tjetrit gjërat. Kjo kërkon që bordet e kullimit, përgjigjen e parë, përveç argjinaturës që mbron nga përmbytja, duhet t’ia japin zonës së serave. Fondet për kullim, bordet e kullimit duhet t’i dedikojnë më së pari në zonën ku janë serat, sepse mbetja e ujit nuk është e dëshirueshme askund, por në sesa është ndëshkim  për fermerin. Ndaj po i them ministrit dhe jam i bindur se nga këto biseda do të shkohet në zgjidhjet më të arsyeshme. Nuk mund të them se bordi ka fonde për ndërhyrje shumë të mëdha, sepse janë bërë ndërhyrje të mëdha në Myzeqe, por  bordi ka të gjitha mundësitë të hyjë në zonën e serave me përparësi dhe me urgjencë. Ndaj të garantoj se kjo çështje që shtruat do të marrë përgjigje me përparësi.

Përsa u përket rrugëve, edhe këtu, ne do të shohim mundësitë dhe të bëjmë ndërhyrje nëpërmjet  komunës, Fondit të Rajoneve ose Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Përsa i përket problemit për çështjen e rrugëve, dimë se paguajmë një tatim. Vetëm fshati Goriçan paguan 15 milionë lekë në vit, tatim për tokën dhe rrugët e Goriçanit bëhen me 5 milionë lekë. Tatimi i tokave ku shkon? Ka investime nga drejtoria e bujqësisë që nuk janë çuar deri në vend, bëhen tendera dhe nuk dihet se ku shkojnë.  Duke i lënë kaq gjatë në krye të komunave, lodhen gjatë rrugës. Mos i lini kaq gjatë, zoti Kryeministër. Qeverisja vendore është në minimumin e minimumit. Buxheti i majmë që vjen nuk dihet se ku shkon. Shqetësohen qytetarët për 5 milionë lekë, kur ne i japim komunës 15 milionë. Problemi tjetër ka të bëjë me punësimin. Sa po vjen dhe shkollimi po ngrihet, pasi kemi nga 2-3 vetë për familje të shkolluar. Po dalin studentë cilësorë, por u janë bërë vendime, mësuesve me korrespondencë dhe po rrinë pa punë mësuesit cilësorë. Ka nevojë të testohen, se po rrinë pa punë mësues të kualifikuar. Është koha të shkojë në punë ai që e meriton.

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për çështjet e rëndësishme që ju ngritët. Së pari,  ju përgëzoj që ju paguani taksat dhe tregoni përgjegjësinë tuaj të madhe ndaj vendit. Ato taksa janë aksionet tuaja, në shtetin tuaj dhe nuk ka diskutim që ato duhet të kthehen tek ju, në shërbime e në investime. Taksa e tokës si kudo në botën e lirë, është taksë e pushtetit vendor. Jam dakord që qeveria qendrore duhet të ushtrojë kontroll nëpërmjet mekanizmave që ka, por edhe këshilltarët që ju përfaqësojnë në Këshillin e Komunës duhet të bëjnë gjithçka, për të kontrolluar çdo qindarkë. Ju ndoshta nuk e dini, por qytetari mund të kontrollojë nesër, në faqen zyrtare të thesarit të shteti, çdo shpenzim, çdo qindarkë që është shpenzuar sot në mbarë vendin. Kjo mjafton që ju të kontrolloni për të gjetur se nga shkojnë paratë, çfarë destinacioni kanë, publikohen apo jo në faqe, shkojnë apo jo në destinacione. Por, përveç kësaj, ju keni këshillin dhe këshilltari që ne zgjedhim duhet të kontrollojë taksat që ne japim. Unë me këtë nuk përjashtoj aspak përgjegjësinë e qeverisjes qendrore, për të ushtruar kontroll me mekanizmat e veta.

Lidhur me emërimet është absolutisht e domosdoshme përmirësimi i politikës së emërimeve. Jam dakord me ju. Jashtëzakonisht e rëndësishme që në arsim  dhe në të gjitha emërimet të predominojë merita. Ne do të vendosim sistemin e kualifikimit të vazhdueshëm dhe të testimit. Ne kemi bërë gjithçka që mësuesve dhe infermierëve t’u rrisim rrogën nga 120-150 përqind, sipas kategorisë, por kjo duhet të justifikohet me të gjithë treguesit, me shkollën, me kualifikimin, me mesataren. Ndaj edhe apeli yt, kritika juaj është absolutisht e drejtë dhe unë kërkoj që të merret në shqyrtim nga drejtoria vendore, me seriozitetin më të madh.  

Jam nga fshati Goriçan, ne si fshat jemi fshat demokrat dhe komuna na ka halë në sy. Ju patë 1/3 e tokës dhe pjesën tjetër nuk e shikoni dot, sepse nuk kalon dot andej. 2/3 e tokave është pa rrugë. Mungon edhe uji i pijshëm.

Kryeministri Berisha: Ne kemi mundësi dhe do të vazhdojmë ndërhyrjet e fuqishme në rrugë. Në këtë moment që flasim, në rrethin dhe qarkun e Beratit janë në ndërtim mbi 100 kilometra rrugë në zona të ndryshme të tij dhe ne do ta vazhdojmë këtë. Ky është projekti i parë i yni. Edhe njëherë, ne do të donim t’i ndërtonim të gjitha njëherësh, por e vetëkuptueshme, jashtë mundësie. Ne ndërtuam aksin kryesor,  mund të ketë prapë akse të tjera që janë për t’u ndërtuar dhe pastaj do ju kthehemi rrugëve të tjera, rrugëve më të dyta dhe të treta. Kështu që do të bëjmë gjithçka. Nëse kryetari bën një politikë diskriminuese, ajo është e papranueshme. Qëndrimi ynë  është absolutisht jashtë çdo lloj diskriminimi dhe do t’u kërkoj autoriteteve ta shohin këtë me përparësi. Në investime në rrugë, në ujësjellës e në çdo gjë, ne nuk diskriminojmë. Por kam gjetur mentalitete të ndryshme. Gjatë vizitës në një rreth tjetër u ula në një kafe me disa qeveritarë vendorë dhe dikush më tha se në katër vjet nuk keni bërë një investim në komunën tonë. Më erdhi vërtet shumë keq, por ma zgjidhi menjëherë kolegu tjetër, i cili tha se kryetari i komunës që u ankua kishte thënë se nuk do të kërkonte kurrë investime, sa të jetë kjo qeveri, duke dënuar kështu bashkëfshatarët e tij. Këto janë mentalitete shumë të gabuara. Nëse kryetari bën diskriminim, bën një gabim shumë të madh. Unë ju garantoj se do ta shqyrtoj seriozisht çështjen që ju ngritët.

Unë jam tek emergjencat civile dhe i vetmi kryetar që nuk ka sjellë  një shkresë për problemet që ka qoftë me kanalet kulluese, qoftë edhe për këtë rrugë, për të cilën tani po e marr lajmin, nga qytetari këtu.

Kryeministri Berisha:  Të gjitha do t’i shqyrtojmë.

Unë zoti Kryeministër kam dëgjuar për nismat që keni ndërmarrë për TVSH-në dhe subvencionimet. Unë do të sugjeroj një ulje të TVSH-së për një artikull tjetër, hekurin me të cilin ndërtohen serat,  i cili zë afërisht 70 përqind në investimin e ndërtimit për një serë.

Kryeministri Berisha: Unë të falënderoj, por besoj se kjo është e përfshirë. Në dijeninë time, ne duhet ta kemi përfshirë këtë, por megjithatë do të kontrollojmë listën, e cila përfshin mbi 130 artikuj për bujqësinë. Por dua t’ju siguroj që hekuri i serave është diskutuar midis nesh. Kur është marrë vendimi, kam  deklaruar se ne vendosim për të hequr TVSH-në për të gjitha këto dhe mbetet e hapur për çdo gjë tjetër që mund të ketë shpëtuar nga kjo listë. Kështu që ajo do të bëhet. Jam plotësisht dakord.

Të falenderoj që je këtu me ne dhe dëgjon shqetësimet tona. Të gjithë ne këtu ngremë ato shqetësime që i prekim çdo ditë. Unë kam një shqetësim për disa nga njerëzit tanë të PD-së, që nga kryetari i forumit të PD-së në Poshje. E kam fjalën tek arsimi dhe nuk janë bërë emërimet e duhura.

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për sugjerimin që bëni  dhe ju siguroj se do të shqyrtohet me shumë seriozitet, nga autoritetet lokale.

Z. Kryeministër mirë se erdhët në fshatin e bukur Goriçan. Unë vij këtu ku kam punuar si mësues, pas 20 vitesh  dhe shoh një ripërtëritje totale në infrastrukturë, në ndërtesa etj... Unë jam i fushës së arsimit, por do të them diçka. Berati ka vlera të papërsëritshme, artistike dhe muzeale. Të dyja portat hyrëse si nga Fieri dhe nga Lushnja janë me rrugë jashtë standardit. Ju lutem të ndërhyni ,me personalitetin dhe forcën tuaj që këto rrugë të riparohen. Së dyti, unë jam arumun nga fshati Sqepër dhe është rasti t’ju kërkoj për atë fshat, me 130 familje, që vuan për ujin e pijshëm.

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për fjalën tuaj dhe dua t’ju informoj përsa i përket rrugës Berat-Lushnje se është në tender në të gjithë gjatësinë e saj, nga Lushnja në Berat. Kam shpresën më të madhe se do të përfundojë brenda këtij afati kohor mjaft të shkurtër. Është përcaktuar fondi për rindërtimin e plotë dhe total të saj. Rruga Berat-Fier është në tender dhe fillon menjëherë ndërtimi nga Poshnja drejt Fierit. Sikundër po ndërtohet nga Fieri drejt Beratit. E vërteta është se ka një çmim jo të vogël, por e meriton plotësisht se është një zonë intensivisht e banuar dhe bujqësore. Pra, është e tëra në tenderim e do të ndërtohet. Gjithashtu është në progres Boshti i Jugut. Ne po ecim nga Dumreja, do ecim nga Kuçova dhe e vërteta është se ai projekt do të vazhdojë deri në finalizimin e tij. E keni konstatuar ju që shoku nuk e shqipëron fjalën Boshti i Jugut, e ka frikë. Por ne do ta bëjmë atë dhe ju garantoj për këtë, sepse ne besojmë se ai është shumë i dobishëm ekonomikisht, besojmë se ai bosht duhet të ndërtohet. Ne po ndërtojmë segmentin më të vështirë të tij, që është Tiranë-Elbasan, i cili ka pasur trajektore tjetër, por ne ndërruam trajektoren dhe zgjodhëm më idealen për këtë segment. Po ecim nga Dumreja drejt Beratit, nga Kuçova drejt Dumresë.

Përsa i përket ujësjellësit ju jap fjalën se do të jap porosi që të ndërhyhet menjëherë.

Ju falenderoj shumë dhe ju siguroj se do të bëjmë gjithçka që mandatin tjetër ju të arrini suksese edhe më të mëdha, mirëqenie edhe më të madhe, zhvillim edhe më të fuqishëm të fermave, komuniteteve, fshatrave dhe vendit. Faleminderit.


10/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›