E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Sevaster-Kalivaç, me vlerë 245 milion lekë

Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Sevaster-Kalivaç, me gjatësi 9.4 kilometër dhe vlerë 245 milion lekë.

Nga rikonstruksioni i kësaj rruge përfitojnë 12,500 banorë dhe 18  fshatrat e këtyre komunave që lidhen jo vetëm me njëra – tjetrën dhe qendrat e komunave, por edhe me Vlorën dhe Tepelenën.

Rruga lidh Komunën Sevaster në rrethin e Vlorës, me Komunën Krahes në rrethin e Tepelenës. Ky investim bën të mundur lidhjen e zonave rurale të qarqeve Vlorë dhe Gjirokastër.

Rruga e re është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës dhe u krijon mundësi reale banorëve të zonës për tu lidhur me qytetin e Vlorës dhe atë të Tepelenës duke shtuar mundësitë e lidhjeve ekonomike dhe tregtare. Fermerët e këtyre zonave të njohur për prodhimin e ullinjve dhe blegtorisë do të kenë mundësi të transportojnë produktet e tyre në tregje, në një kohë më të shkurtër dhe me kosto të ulët.

* * *

Investimet në rrethin e Vlorës

Gjatë këtyre viteve, në rrethin e Vlorës janë investuar në fusha të ndryshme 400 milion euro. Janë ndërtuar mbi 400 kilometra rrugë, nga të cilat 180 kilometra rrugë kombëtare, 95 km rrugë rajonale, 125 kilometra rrugë në komuna e bashki.

Ndër rrugët më të rëndësishme përmendim:

-          Rruga e Bregut me vlere 60milion euro 80 km

-          Autostrada  Vlore – Fier 30 milion euro, 21 km.

-          Rrugen Transballkanike 6 milion euro., 3km

-          Rruga Kote – Sevaster – Kalivac

-          Te gjitha rruget qe te cojne ne plazhe e monumente Kulture.

-          Do te filloje Novosele – Bish Poro

Gjithashtu janë ndërtuar 21 qendra shëndetësore, 31 shkolla dhe 35 ujësjellësa e KUZ

Qeveria ka tenderuar projektin e by-passit te Vlorës dhe projektin qe lidh rrugën Transballkanike me Portin dhe autostradën Vlore - Fier

Bypass-i i cili prek Ujin e Ftohtë, Babicën, Kaninën, Radhimën, Tragjasin dhe përfundon në Orikum, parashikon edhe një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve që do të vizitojnë qytetin e Vlorës.

Përsa i përket turizmit, te gjitha qendrat e banuara janë lidhur me plazhet, duke bërë që të dhjetëfishohet numri i turistëve. Ndër të tjera është miratuar projekt zbatimi  4 zonave turistike te  njesive te vendore duke përfshire Vlorën dhe Orikumin.

Ne bujqësi janë  subvencionuar 1600 hektarë pemëtari, ullinj e vreshtari. Ne 2 vitet e fundit jane mbjelle 800 mije rrenje ullinj ku kane perfituar subvencion mbi 1500 fermerë. 

Ndërsa në sektorin e energjisë elektrike, hidrokarbure, e koncesione janë investuar 230 milion euro.

* * *

Pas inspektimit të rrugës, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për punën intensive dhe me cilësi që po bëhej. Kryeministri Berisha u zotua para kryetarit të Komunës, se qeveria e Partisë Demokratike në katër vitet që vijnë do të trefishojë investimet në të gjitha fushat dhe do të financohet çdo projekt, i cili do të ndryshojë për mirë zhvillimin e mëtejshëm të Sevasterit dhe të komunave për rreth.

Gjithashtu Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij se me infrastrukturën moderne, po ndërtohet mundësia për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e mëdha të kësaj zone. “Vjosa, do të jetë një nga burimet më të mëdha energjetike të vendit. Amantia, do të jetë një nga drejtimet e rëndësishme turistike të Shqipërisë dhe të jugut të vendit”, - u shpreh Kryeministri Berisha.

Duke u ndalur tek 23 qershori, Kryeministri Berisha u shpreh, se kjo mazhorancë i kërkon votat jo për atë që ka bërë, por për atë që do të bëjë, për të përmirësuar më tej jetën e të gjithë shqiptarëve.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur banorë të Sevasterit dhe komunave për rreth Të dashur qeveritarë vendorë Së pari, ju përshëndes vëllazërisht. Shpreh kënaqësinë time të madhe që inauguroj sëbashku me ju, rrugën  që lidh Sevasterin me Kalivaçin. Po vij nga Vlora, ku gjeta se në të gjithë trajektoren  e rrugës Sevaster- Vlorë, po punohej me intensitetin më të madh dhe me cilësi të shkëlqyer.

Zoti kryetar

Në fjalën tuaj ju përmendët rreth një miliard lekë investime në këto zona, në rrugë, ujësjellësa, shkolla, qendra shëndetësor, bujqësi. E vërteta është zoti kryetar, se kjo zonë meriton shumë më tepër. Ndaj dhe jam sot këtu për tu zotuar para jush, se katër vitet që vijnë, Partia Demokratike në pushtet do të trefishojë investimet në të gjitha fushat. Jam këtu për tu dhënë juve fjalën e nderit, se do të financojmë çdo projekt tuajin për të ndryshuar për mirë, për zhvillimin e mëtejshëm të Sevasterit dhe të gjitha komunave për rreth.

Shpreh kënaqësinë time, se me infrastrukturën moderne, ne ndërtojmë mundësitë për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e mëdha të kësaj zone. Vjosa, do të jetë një nga burimet më të mëdha energjetike të vendit. Amantia, do të jetë një nga drejtimet e rëndësishme turistike të Shqipërisë dhe të jugut të vendit. Kodrat  e lumit të Vlorës dhe  të gjithë  kësaj zone, do të bëjmë gjithçka që ju ti qëndisini me ullinj, me arrorë, me drurë frutore që rriten më shumë, sipas zonës. Do të bëjmë gjithçka, që mirëqenie të rritte në shtëpitë tuaja, që ju të siguroni të ardhura më shumë, që fëmijët tuaj të shkollohen më mirë, që ju të keni shërbim shëndetësor me cilësor. Do të bëjmë gjithçka, që sëbashku të ecim të sigurtë drejt Europës. Unë përulem me nderim të madh para jush, për vlerta që ju keni mbrojtur gjatë gjithë historisë suaj. Vlera, të cilat janë themelore për njerëzit e  qytetëruar. Familja, vendi, besimi tek Zoti, puna, këto janë vlerta mbi të cilat njeriu ndërton jetën, ndërton lumturinë, ndërton të ardhmen. Sot ne do të bëjmë gjithçka për punësimin, do të bëjmë gjithçka për rritjen e mirëqenies. Infrastruktura, rruga  është kushti më kryesor pas shkollës për zhvillimin. Ne ndërtojmë rrugën, rruga ndërton ne. Sevasteri i zhvilluar është vetëm Sevasteri me infrastrukturë moderne dhe ne po e ndërtojmë atë.

23 qershori po vjen, ne kërkojmë votat tuaja, jo për këto që kemi bërë, i kërkojmë votat tuaja për ato që do të bëjmë. Kërkojmë votat tuaja, sepse duam, që në çdo skaj të Sevasterit, të Vlorës, të Shqipërisë kudo, të ketë infrastrukturë moderne si kjo, sepse duam që shqiptarët kudo që janë, të kenë furnizim me ujë, me energji elektrike njëlloj si qytetarët Europianë, sepse duam që shqiptarë kudo që janë të shfrytëzojnë potencialin e madh të vendit të tyre, ti shndërrojnë pasuritë e tyre në të mira për veten dhe vendin e tyre, sepse duam që të ecim me dinjitet drejt Europës, sepse duam që të mos na marrë njeri peng, siç na morën për tre ligje, njerëz të papërgjegjshëm, të cilët me 23 qershor do të marrin atë që meritojnë nga shqiptarët.

Vëllezër dhe motra,

23 qershori është një datë  e madhe. Ne ecim të sigurtë drejt fitores, por duhet ta meritojmë atë dhe do ta meritojmë atë, pasi të bisedojmë shtruar me çdo shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e  tyre. Cili është qëndrimi ynë? Qëndrimi ynë është një përpjekje e madhe për ta nxjerrë Shqipërinë nga prapambetja, për ta vendosur në orbitën e vendeve të zhvilluar. Me këtë qëllim ne kemi asfaltuar në Sevaster, Gjirokastër, Vlorë mbarë Shqipërinë mbi 10 mijë kilometra rrugë. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla, kemi ndërtuar dhe rindërtuar qindra ujësjellësa dhe kanalizime. Kemi dyfishuar pensionet në çdo fshat të Shqipërisë, kemi dyfishuar rrogat. Do të bëjmë gjithçka të rrisim pensionet, të rrisim më tej rrogat. Do të bëjmë gjithçka për mirëqenien tuaj. Do të trefishojmë grandet për fermerët shqiptarë. Do të trefishojmë kredinë. Do të bëjmë që fermat tuaja blegtorale dhe prodhimet e tyre të bëhen të njohura në Shqipëri dhe mbarë Europën. Kjo është rruga jonë, rrugë djersë, rrugë mundimi, rrugë suksesi, rrugë mëkëmbje, rrugë punësimi, rrugë integrimi.

Përpara, Përpara, Përpara!”


09/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›