E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëbisedim i Kryeministrit Berisha me studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan

Kryeministri Berisha bashkëbisedoi sot me studentë të degëve të ndryshme të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.

“Ju kërkoj të bisedoni me mua siç bisedoni njëri me tjetrin. Në rast se ju doni të më nderoni sot, ky është nderi më i madh që do të më bënit.”, iu drejtua kryeministri studentëve, me të cilët ndau opinionet, mendimet vërejtjet e sugjerimet lidhur me sitemin arsimor, zhvillimin e tij dhe se çfarë mund të bëhet më mirë në të ardhmen.

Në kujtesë në 9 majit, Ditës së Europës, Kryeministri Berisha  shfrytëzoi rastin të përshëndesë  me mirënjohje nga auditorët, të gjitha vendet evropiane, të cilat me ndihmën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme  i kanë dëshmuar Shqipërisë dhe shqiptarëve, solidaritetin më të jashtëzakonshëm në periudhën 20 vjeçare, në të gjitha fushat, përfshi këtu edhe arsimin. “Europa është kriter, është tregues, është standard, është praktika dhe secila prej tyre i sjell vetëm të mira, qytetarëve shqiptarë. Këto standarde kërkojnë që ju të jeni më të shkolluar, kërkojnë që ju të jeni të punësuar, kërkojnë që Shqipëria të ketë një infrastrukturë moderne, që ekonomia e Shqipërisë të funksionojë, që ligjet e vendit të funksionojnë. Pra, ky është procesi.” tha për studentët, kryeministri.

Në fjalën e mbajtur në nisje të bashkëbisedimit, kryeministri Berisha u shpreh

“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, të shpreh kënaqësinë time të madhe që jam sot këtu tek ju, për të dëgjuar mendimet, vërejtjet e qortimet, vizionin e vlerësimin tuaj. Por, para se të nisim këtë bashkëbisedim të hapur, unë ju kërkoj të bisedoni me mua siç bisedoni njëri me tjetrin. Në rast se ju doni të më nderoni sot, ky është nderi më i madh që do të më bënit.

Fillimisht dua të them dy fjalë. Kjo është një ditë e madhe për mbarë Europën, kjo është Dita e Evropës, të cilën vendet anëtare të Bashkimit Europian e kremtojnë bashkërisht, për të nderuar gjenitë që në fillim vendosën krijimin e tregut të  përbashkët, më pas të Komunitetit Europian dhe sot, Bashkimi Europian. Ata, të cilët janë të pasionuar pas historisë, shumë lehtë konstatojnë se kontinenti Europian, djep i qytetërimit perëndimor dhe i zhvillimit të tij, qytetërimit më të fuqishëm, më brilant  të kohërave moderne, ka qenë gjithashtu arenë luftërash më të përgjakshme, të përsëritura. Ajo ka qenë kontinenti i fuqive më të mëdha koloniale, i konfrontimeve të mëdha. Bashkimi Europian u ngrit mbi një vizion të ri, për një Europë paqeje, për një Europë bashkëpunimi, për një Europë të ardhmeje, që nuk krenon vetëm me luftëra, por ndërton gjithnjë e më shumë për qytetarët e saj, prosperon qytetarët e saj, i bën ata më të lirë, më dinjitozë. Pra, Bashkimi Europian është qartësisht një tjetër Europë.

U ndala në këtë moment, se ka një dallim të madh midis realitetit gjeografik, të qenit në kontinent dhe realitetit politiko-ekonomiko-social, të qenit në Bashkimin Europian. Shqiptarët kanë sakrifikuar shumë, për të ruajtur vokacionin e tyre perëndimor. Sakrifica e tyre ka qenë frymëzuese për rilindësit tanë. Po të lexoni “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të jetë” e Sami Frashërit apo vargjet e famshme të Naimit se për shqiptarët, dielli lind nga perëndimi, ata themeluan ideologjinë moderne të kohës, mendimin modern të kombit, pikërisht bazuar në vokacionin perëndimor të kombit tonë dhe kjo, pas shekujsh në një perandori lindore.

Historia jonë është histori e dhimbshme, me një diktaturë që bëri gjithçka, ta shkëpusë Shqipërinë nga perëndimi, që shpalli dogmën se shqiptarët nuk janë as lindje, as perëndim. Por këto 20 vite, nga të rinjtë, të moshuarit nga çdo shqiptar ka pasur dhe ka vetëm një thirrje të brendshme shpirtërore: të ecim drejt Bashkimit Europian. Dhe kjo është një mençuri e jashtëzakonshme, është shprehje e një mençurie ekzemplare, sepse kombet e tjera e kanë parë me droje, e kanë parë me frikë këtë ecje. Një ecje që ka për  rezultat kryesor një të ardhme të sigurt, qytetarët shqiptarë më të lirë, më të sigurt, më të begatë, një të ardhme dinjitoze, me të cilën shqiptarët shkëputen nga një histori e dhimbshme, shekullore, vuajtjesh, varfërie, sakrificash.

Në këtë periudhë janë bërë përpjekje të mëdha. Ritmet nuk kanë qenë ato që duhet të ishin. Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe i progresit është një proces universal ndryshimesh. Për t’jua ilustruar këtë, do t’ju njoh me diskutimin e një parlamentari europian në vitin 2001, në sallën e Parlamentit Europian. Ky zotëri, për të cilin nuk mund të them se ishte ndonjë racist antishqiptar, nuk e di këtë, u ngrit dhe i tha audiencës: ç’na duhen neve, këta njerëz, kur ujë nuk kanë, drita nuk kanë, rrugë nuk kanë. Ç’punë kanë këta, me ne.

Këto ishin fjalët që gazetari i shquar italian, më vonë parlamentar europian, tha në Parlamentin Europian. Të marra në një aspekt, ato ishin lënduese, por, absolutisht, reale. Në qytetet e Shqipërisë kishte drita diku 8 orë, diku 12 e diku 6 orë, ndërsa në fshatra diku 3 orë. Shqipëria nuk kishte ujësjellës, kishte shumë pak rrugë dhe ato ishin rrugët më të shkatërruara e të rrënuara, se të çdo vendi tjetër.

Po sistemi arsimor, në ç’gjendje ishte? Duke ardhur tek ju, po lexoja një raport të Bankës Botërore për arsimin në Shqipëri. Raporti tregonte se në vitin 2000, Shqipëria, tre milionë banorë, diplomoi në universitet e saj, gjithsej 6 mijë studente dhe studentë. Ju jap shifrën tjetër. Para 5 viteve, përqindja e të diplomuarve në Shqipëri ishte 3.4 përqind ose pothuaj 10 herë më e ulët se në Shtet e Bashkuara të Amerikës, 8 herë më e ulët se në Gadishullin Skandinav, 7 herë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian. Qëndrojmë sërish tek arsimi. Atë kohë, vitet e shkollimit nisën të bien në pikiatë. Kjo, sepse ra ndjeshëm përqindja e nxënësve që kalonin nga klasa e tetë në shkollën e mesme.

U ndala në këto tregues, për t’ju thënë se Europa është kriter, është tregues, është standard, është praktika dhe secila prej tyre i sjell vetëm të mira, qytetarëve shqiptarë. Këto standarde kërkojnë që ju të jeni më të shkolluar, kërkojnë që ju të jeni të punësuar, kërkojnë që Shqipëria të ketë një infrastrukturë moderne, që ekonomia e Shqipërisë të funksionojë, që ligjet e vendit të funksionojnë. Pra, ky është procesi.

Midis Europës, që kemi qenë ne dhe Europës, që ndërtuan në paqe dhe në bashkëpunim këto vende, përveç vazhdimësisë gjeografike, dallimi ishte si dita me natën. Por progresi ynë këto vite ka qenë i prekshëm.

Ky është një proces shumë serioz, një proces i kontrollueshëm në çdo etapë, nga ata drejt të cilëve ne shkojmë, nga Komisioni Europian. Çdo ndryshim, çdo ligj, çdo standard, çdo praktikë në këtë proces je i detyruar ta përshtatësh me standardet, ligjet, praktikat e tyre  dhe jo vetëm në letër, por ta zbatosh.

Në këtë proces, ne arritëm të marrim heqjen e vizave, pasi plotësuam të gjitha kërkesat e tyre. 120 kërkesa kishte udhërrëfyesi i vizave, për ne. I morëm një nga një, me seriozitetin më absolut, i zbatuam dhe ata erdhën në vend dhe i kontrolluan. Heqja e vizave, sidomos për shqiptarët nuk ka qenë shumë e lehtë. Në mendjen e tyre ende ishin gjemitë me emigrantë dhe email-et që shpërndaheshin rrufe në të gjithë Europën, se po u hoqën vizat, 800 mijë shqiptarë do të vërshojnë drejt saj. Në një takim me kancelaren Merkel, unë nuk i thashë dhe as i kërkova që të na i heqin apo jo vizat. Ajo që i kërkova ishte: zonja kancelare, dërgoni njerëzit tuaj të besueshëm, t’i shohin një nga një të gjitha. M’u përgjigj se kjo ishte kërkesë shumë e ndershme. I dërgoi dhe ata bënë raport të shkëlqyer. Unë përmenda kancelaren se është vend i rëndësishëm, por këtë praktikë, ne kemi ndjekur edhe me vendet e tjera.

Problemi i statusit, edhe ai kalon nëpër reforma të mëdha, ndryshime të  mëdha. Në tetorin e vitit 2012, pasi vlerësoi një nga një, ndryshimet, ligjet, praktikat, Komisioni Europian doli me konkluzionin se Shqipëria ka plotësuar detyrimet e saj dhe do i rekomandojmë Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare që t’i japin statusin  e vendit kandidat, me kusht që të votoheshin tre ligjet. Përse ky kusht?  Sepse vetë Komisioni kishte ndërmjetësuar intensivisht për këto tre ligje dhe ishte arritur totalisht ujdia.  Në këtë rast, askujt, as në Shqipëri, as në Bruksel nuk mund t’i shkonte mendja se për këto tre ligje, që prisnin prej disa muajsh në parlament dhe për të cilat ishte arritur absolutisht konsensusi, zoti Rama kishte pasur një pretendim për rregulloren. Anëtarët e Komisionit që u morën me këtë i thanë:  zotëri, gjej një vend ku ekziston kjo që ti kërkon dhe ne të mbështesim dhe ranë dakord. Në mënyrën më paradoksale, më të papranueshme, këto ligje nuk u votuan  dhe u mor peng një pasaportë e shkëlqyer për secilin prej jush, për secilin prej nesh, për vendin në tërësi, siç ishte statusi i vendit kandidat.

Çfarë tregonte kjo? Kjo tregonte se me përpjekje shumë serioze, shqiptarët kanë arritur  një nivel të atillë zhvillimi, saqë e meritojnë këtë vlerësim, e meritojnë këtë besim, e meritojnë këtë pasaportë.

Por çfarë pasojash kishte kjo? Të  mëdha. Së pari, shtim i ndjeshëm i investimeve, i granteve të Komisionit Europian në Shqipëri. Me këtë rast, dua të  them se sot është edhe dita e mirënjohjes më të thellë të shqiptarëve, sepse BE, me taksat e qytetarëve të saj, është donatori më kryesor i Shqipërisë, në këto 20 vite. Pra, do të rriteshin fondet, por pasaporta do të ishte një besim i madh  për investitorët e tyre, për të ardhur dhe investuar në Shqipëri. Ju e shikoni që në këto kushte krize, më të thellën në rajon dhe më gjerë, nga 2009 e deri më sot, ne morën 4.2 miliardë dollarë investime. Dhe jua them me bindje se një nga shkaqet më kryesore për këtë ishte anëtarësia e Shqipërisë në NATO dhe reformat e thella të qeverisë në mbështetje të biznesit. Imagjinoni po të kishim sot në xhep, edhe pasaportën e vendit me statusin e kandidatit. Besimi do të ishte dy herë më i madh.

Ju studentët do të kishit mundësi të aplikonit në universitete me fee-të më të arsyeshme të këtyre vendeve. Emigracioni ynë, i cili është më numeriku në proporcion me popullatën, do të gëzonte të drejta krejt të tjera, me njohje pensioni dhe një seri të drejtash të tjera.

Ky moment bllokimi nuk duhet aspak të na dobësojë vendosmërinë tonë, për të arritur në destinacionin që kemi. Së fundmi, opozita deklaroi se tre ligjet do t’i votojë, por tani statusi nuk mund të jepet, sepse Marsi ishte afati i dytë, për të bërë raport dhe për t’ia dërguar Këshillit të Ministrave. Por, pavarësisht kësaj, ne jemi të gatshëm t’i votojmë që nesër. Ne kemi deklaruar se do thërrasim referendumin si një masë in extremis, por, në rast se opozita, pasi bëri një dëm të pariparueshëm për këtë periudhë, vendos të votojë, ne jemi të gatshëm t’i votojmë këto ligje.

U ndala në këtë temë, sepse sot është Dita e Europës, është dita e mirënjohjes së madhe që ne kemi ndaj atyre vendeve, qytetarët e të cilave, me taksat e tyre, i kanë dëshmuar Shqipërisë dhe shqiptarëve, solidaritetin më të jashtëzakonshëm në këtë periudhë.

Unë ju falenderoj për vëmendjen dhe tani le të vijojmë bisedën për çdo problem që ju dëshironi. Unë kam shumë kënaqësi që jam në këtë universitet, i cili ka bërë një progres shumë të madh. Ish dekani i tij, një njeri i nderuar, sot, nënkryetar parlamenti, sapo më tha se nuk e njeh më universitetin ku ka dhënë mësim, kaq shumë ka ndryshuar.

Pyetje: jam studente  e teknologjisë së informacionit. Për degën tonë Cilat janë zhvillimet që do të krijojë qeveria e ardhshme për zhvillimin e tregtisë elektronike në marrëdhëniet biznes-biznes  dhe biznes konsumator

Kryeministri Berisha: Kjo është një pyetje shumë  e drejtë, së pari brenda këtij viti transferta elektronike do të jetë dominuese ne çdo proces. Së dyti, ekziston legjislacioni dhe mund të plotësohet për tregtinë elektronike, aspekte të saj kanë filluar, psh blerjet e vogla, tenderat ne i kemi të gjithë dixhital, por para dy muajsh ne kemi kaluar edhe tek blerjet e vogla si qeveri. Mendoj që sektori retail ka filluar me një shkallë të caktuar, pra një gjë ju siguroj , katër vite që vijnë do të jenë vitet e mobile-Albania e G4, e cila pastaj krijon hapësira për të gjithë tregtinë dhe çdo lloj aktiviteti tjetër. Ne kemi patur një përdorim interneti 4.8 % , ndër më të ulëtit në fillim të 2006. Jemi përpjekur shumë si qeveri për nxitjen dhe kemi kaluar në mbi 60 % të përdorimit të tij. Në vitin 2011 ne kemi arritur të zemë vendin e dytë në botë për gatishmërinë  e rrjetit, për atë vit, ndërsa vjet Tirana u listua në një nga 20 smartet city, qytetet që ofrojnë më shumë lehtësi në këtë fushë. Megjithatë dua tu them se këto janë vetëm një bazament. U mrekullova kur erdha këtu në bibliotekën tuaj. Hyra në librarinë e Oksfordit dhe rektori dhe pedagogu që ishte më informuan se aty kishte 250 mijë tituj , nja avantazh i jashtëzakonshëm. Por përsëri këto janë vetëm baza. Ne synojmë në 4 vitet që vijnë, që Shqipëria të marrë një pozicion lider në high tech dhe softbërjen. Ne besojmë se mund ta kapim këtë pozicion dhe një pozicion i tillë mund të jetë vetëm vepër e të rinjve, pasionit, imagjinatës, përkushtimit të tyre. Po punojmë për krijimin  e nje parku high tech, po punojmë me një ekspert botëror të këtyre parqeve dhe mund tu them se ky është një nga projektet absolute më madhore, i domosdoshëm, jo vetëm për zhvillimin e Shqipërisë, por edhe për prestigjin e Shqipërisë. Është një projekt që i jep shumë prestigj vendit dhe ne kemi nevojë për këtë. Pra je tamam në fushë.

Pyetje: përshëndetje dhe miresekeniardhur. Unë jam student në degën Gjuhë-letërsi. Kur do të përfundojë projekti i pajisjes së studentëve me kartën e studentit bashkë me shërbimet që përfshihen në këtë kartë?

Kryeministri Berisha: Për këtë projekt do të bëjmë gjithçka që të përfundojë në kohën më të shkurtër. Ky është një projekt tërësisht i merituar, por le të flasim hapur, midis meje këtu, juve në krahun tim dhe këtyre profesorëve në anën tjetër që janë menaxherë njëkohësisht  të universitetit ka gjithnjë një kundërshti që do të zgjidhet sa më shpejt. Cila është kjo kundërshti. Këta kanë nevojë për më shumë fonde. Kostoja e studimit është shumë më e lartë se sa kjo. Të gjithë kërkesat  e tyre për të rritur fee-t ndaj jush kanë gjetur një kundërshtim të madh nga unë dhe nuk i kam pranuar. Kompromisi ka qenë vetëm inflacioni. Por kjo nuk është rruga sepse këta fondet i duan për modernizmin, por edhe për kartën se karta është subvencion. Atëherë vitin e ardhshëm ne do të vendosim sistemin e kredisë për ju. Ky është një sistem i gjerë në botë, ju merrni kredinë e butë  me disa rregulla më të veçanta, të cilat janë ndërkombëtare dhe me këtë kredi ju do të mund tu përgjigjeni më mirë kërkesave të universitetit dhe universiteti kërkesave tuaja. E vërteta është që kredia e rrit në mënyrë shumë të ndjeshme autonominë financiare të universiteteve. Unë kam ardhur shumë herë në këtë universitet, por transformime shumë të mëdha logjistike janë bërë këtu, janë investuar 9 milion dollarë, në godina, pajisje  e çdo gjë. Universiteti ka nevojë për më shumë.

Tani inauguruam një bibliotekë të mrekullueshme, por ajo bibliotekë duhet të japë frytet dhe këto fryte janë studimet tuaja, të cilat janë projekte që kërkojnë financime. Pra ndryshimi i mekanizmit financiar të universiteteve do të ketë një ndikim shumë pozitiv, si për studentët ashtu dhe për universitetin dhe mësimdhënien në tërësi. Këtë vit nuk u realizua sepse rrit shumë borxhin. Ne do ta bëjmë patjetër atë, pasi për ne çështje kryesore është arsimi. Do ta bëjmë dhe kredia juaj do të jetë pjesë e borxhit të qeverisë, pasi qeveria do tu përgjigjet bankave, përndryshe ato nuk e japin kredinë.

Pyetje: Në radhë të parë dua tu falënderoj për prezencën tuaj këtu. Është më e prekshme politika  që ju ndiqni për integrimin e Shqipërisë  në çdo aspekt dhe ne ndjejmë atë. Unë jam studente në vitin e tretë të psikologjisë dhe pyetja ime është më e prekshme jo vetëm për ne studentët por edhe për ata që ne na japin mësim dhe na udhëheqin në këtë degë. Dua tu pyesja konkretisht në se në programin e ardhshëm tuajin a përfshihet diçka lidhur me marrjen e statusit të psikologut në Shqipëri dhe implementimin  e tij në çdo institucion në Shqipëri.

Kryeministri Berisha: Kjo është një pyetje shumë e drejtë. Sot, ende ndikon psikologjia e së shkuarës në këtë disiplinë, pasi siç dihet ajo ka qenë një disiplinë e ndaluar. Psikologjia ka qenë e deformuar në shkallën ekstreme, për të mos thënë e ndaluar, duke bërë që funksionet e saj jashtëzakonisht të rëndësishme, të bëhen të padukshme, të mos ushtrohen. Absolutisht që do të ketë status dhe në vlerësimin tim , por kaq i dobishëm sa çështe mjeku, do të jetë dhe psikologu. Kudo në shkolla, në spitale, në institucione të vuajtjes së dënimit dhe në çdo qelizë të shoqërisë, ne do të bëjmë gjithçka për të ridimensionuar këtë rol, në interesin më të mirë të qytetarit.

Pyetje: Unë jam përfaqësuese e vajzave të aksidentuara në aksidentin e Himarës. Në rradhë të parë duam tu falënderojmë për gjithçka që keni bërë ndaj nesh gjatë asaj dite dhe gjatë qëndrimit të mëtejshëm në spital. Ne kemi një problem, për të cilin ju besoj se jeni informuar. Prej disa muajsh po përpiqemi të marrim dëmshpërblimin nga kompania e sigurimeve, e cila nuk ka arritur të bëjë asgjë. Disa prej nesh vazhdojmë ende të kenë probleme, dhe një prej tyre jam edhe unë. Kërkojmë nga ju mbështetjen në anën ligjore të zgjidhim këtë problem.

Kryeministri Berisha: Unë kam ndjekur me vëmendje të gjitha kërkesat tuaja. Specialistë shumë të mirë të administratës janë ngarkuar që të shqyrtojnë ato. Është një marrëdhënie midis të siguruarve dhe kompanisë. Ju siguroj se do të bëjmë gjithçka qe ligji do të zbatohet dhe për këtë ju garantoj.

Pyetje: Cilat janë projektet tuaja të ardhshme për nxitjen e shkëmbimeve akademike për studentët e universiteteve të ndryshme, pra a do të kenë studentët këtu mundësinë që të kryejnë studime akademike në një universitet tjetër perëndimor, në bazë të kartës së Bolonjës.

Kryeministri Berisha: Statusi i vendit kandidat hap rrugën që shqiptarët të përfitojnë nga ky program, i cili është një program që funksionon fuqishëm në vendet anëtare të Be. Absolutisht do të ketë mundësi të plotë , por duhet të shkojmë më afër tyre. Jashtë këtij statusi nuk jemi të përzgjedhshem për shkëmbime akademike. Pra, një seri të drejtash fitohen duke përmbushur detyrimet dhe ecur më afër tyre.

Pyetje: Jam studente në degën Gjuhë-Letërsi dhe do të desha të dija se çfarë reformash do të ketë në sistemin arsimor në vitet që vijnë.

Kryeministri Berisha: Së pari, këtë vit ose vitin që kaloi ne votuam në parlament ligjin për arsimin parauniversitar, një ligj i shkëlqyer ky. Është një ligj që i hap udhë ndryshimeve në arsimin parauniversitar. Ne synojmë së pari arsimin tonë ta vendosim mbi dy shtylla kryesore, gjitha shqipe sepse duhet të flitet shumë mirë dhe është shumë e rëndësishme që ta flasim bukur, rrjedhshëm dhe pa gabime gjuhën tonë. Matematika  e dyta , bazë e të gjitha shkencave teknike. Ngjitur me to, teknologjitë dhe gjuhët e huaja. Ka një progres real në këtë drejtim. Po marrim gjuhët e huaja. Gjuha e huaj fillon në klasën  e tretë, e dyta fillon në klasën e shtatë, është dashur të rritet shumë numri i mësuesve të gjuhëve të huaja dhe do të rritet prapë. Ka një progres të jashtëzakonshëm në mësimin e gjuhëve të huaja. A është strukturuar gjuha e huaj dhe matematika në nivelin e duhur?  Nuk mund të them se po, përpjekje bëhen  dhe ato janë serioze, por edhe më tepër duhet të bëhen. Kush e pengon gjuhën që të marrë pozicion e saj qendror? Për fat të keq, e pengon letërsia, e cila nuk duhet ta marrë gjuhën nën sqetull. Gjuha duhet të jetë lëndë e veçantë, krejtësisht e veçantë, sespe ti mund të jesh e apasionuar ose jo pas letërsisë, pasi dihet që individët kanë preferencat e tyre shoqërore, teknike e kështu me rradhë, por kjo nuk mund të  ndikojë tek ty në mësimin e gjuhës shqipe dhe gradualisht do të ecet drejt kësaj.

Këtu me vete kam studimin e PIZA-s e cila është një organizatë që studion cilësinë e arsimit në 32 vendet më të zhvilluara të botës, grupi i vendeve anëtare të OECD. Ne kemi kërkuar të na vlerësojnë dhe kemi bërë shumë mirë. Ata na kanë pranuar megjithëse vendet si ne nuk janë në axhendën e tyre. Çfarë kanë gjetur ata tek ne. Kanë gjetur që ne duhet të bëjmë një përpjekje shumë të madhe që dija të jetë më praktike, më  e aplikueshme, më e përshtatshme, e kam fjalën këtu për parauniversitete, jo për universitetet. Dhe këtu kemi punë shumë për të bërë. Kjo lidhet me të dy shtyllat, me konsolidimin e gjuhës dhe të matematikës. Ata kanë gjetur një gjë shumë të mirë, kanë gjetur që Peruja, Kili dhe Shqipëria kanë bërë ndryshimin më të shpejtë. Kjo nuk do të thotë se janë atje ku duhet, por ama reformat e  tyre kanë dhënë efekt. Ky është një lajm shumë pozitiv. Reformat do të vazhdojmë me intensitet në të ardhmen. Ne kemi vendosur mësuesin në epiqendër dhe ne do të bëjmë gjithçka për trajtimin me dinjitet të tyre, por ndërkohë do të bëjmë gjithçka që ata të kualifikohen dhe kemi krijuar qendrën e ekselencës. Mësuesit duhet të vijnë të kualifikohen dhe i kanë të gjitha mundësitë. Pra reforma duhet të jetë  e pandërprerë dhe të them të vërteten unë jam optimist sepse një gjë e kemi native, dashuria e shqiptarëve për arsimin dhe për shkollën, nuk ekziston kund, si tek ne. Sakrifica  e prindërve për të shkolluar fëmijët është në shkallën më të lartë. Po ky studim ka përveç kësaj që unë ju thash ju, ndryshimin në performancën e leximit, Shqipëria renditet  e treta , pas Perusë dhe Kilit. Po këta, kanë studiuar se cili është pasioni i nxënësve për librat jashtëshkollor. Nxënësit shqiptarë lexojnë më shumë libra jashtëshkollore se sa nxënës të vendeve shumë të zhvilluara. Natyrisht duhet bërë shumë punë, kështu Finlanda ka qënë një vend i varfër, tani jo, pasi është vend anëtar i OECD, por Finlanda prej 7-8 vjetësh kryeson botën për cilësinë e arsimit parauniversitar. Ne do ti vazhdojmë reformat. Ne  e konsiderojmë arsimin çështjen më serioze. Ashtu siç thotë dhe Zhan Zhak Ruso në shprehjen e tij shumë të mençur, çështja më serioze për njerëzimin është arsimi.

Pyetje: Studioj për mastër shkencor në trashëgimi kulturore, njëkohësisht jam edhe përfaqësues i studenteve në senatin akademik. Pyetja ime konsiston në atë që është folur shumë, në skemën e financimit të universiteteve ku përfshihen edhe universitetet private. A do të zbatohet kjo skeme dhe cili do të jetë rrisku për universitet publike nga ky financim.

Kryeministri Berisha: Së pari, gradualisht, shqiptarët do të analizojnë se një nga arritjet e tyre më të mëdha në fushën e arsimit është angazhimi  i sektorit privat në këtë proces. Po të marrësh dhe të analizosh potencialin financiar të sektorit privat me atë publik, por të jap një shifër, sektori privat i botës qarkullon në një orë, shumën  e parave, që qarkullojnë të gjitha qeveritë në një vit. Edhe në Shqipëri sektori privat sot ka 32 mijë studentë, aq sa kishte Shqipëria në vitin 2001. Sektori privat mbulon 9 % të arsimit paraunivesritar. Do të ndalem në dy momente para se të jap përgjigjen. Sot ekziston një opinion që vjen nga koha e shkuar që po diplomohen shumë. Unë këtu po ju kërkoj ju që kurrë të mos e pranoni kët , pasi ju si të rinj duhet të jeni mbështetës të drejtësisë sociale. Kur unë ju thash ju se në vitin 2000 u diplomuan 6 mijë vetë dhe në vitin 2012 u diplomuan 25 mijë vetë, mendoni ju se çfarë bëhej në vitin 2000 me 19 mijë të tjerë që nuk merrnin dot diplomën. Ata dënoheshin për të mos marrë diplomën, pra vendi dhe shoqëria ishin shumë të padrejtë ndaj tyre. Ata do të kenë mundësi ta provojnë veten. E dyta , pse ndaj arsimit privat mbahet një qëndrim më ndryshe, se sa ndaj sektorit tjetër privat, sepse prindërit e këtyre studentëve janë taksapagues dhe nga rroga ime tek kjo karrige është para e taksave të qytetarëve. Në qoftë se ata pranojnë të marrin statusin nonprofit, qeveria nuk ka asnjë arsye për ti diskriminuar ata. Unë e kam ndjekur shumë angazhimin e sektorit privat në mjekësi. Unë studioja në Francë dhe ata aso kohe shiheshin si të stërnjerkës, me ligj nuk kishin të drejtë të marrin tituj shkencorë me ligj, por u pa se këto janë politika shumë të gabuara dhe gradualisht shkohet drejt nj koncepti të ri, drejt një revolucioni të ri dhe ky revolucion është ai i shërbimeve. Ti duhet të pranosh të shkosh dhe të japin mundësi të zgjedhësh shërbimin që ti beson se është më i miri, në mjekësi , arsim dhe kudo. Kjo është një rrugë  e gjatë.

Ajo që unë ju them personalisht dhe do ta mbaj parasysh sa të jem në qeveri, se ata që skanë , të mos përjashtohen dot për faktin se nuk kanë. Ky do të jetë një kusht themelor i reformës së ardhshëm, pasi në rast se e lëshon mekanizmin duhet që të mos krijosh pabarazi sociale, duhet historikisht shkollimi është përdorur për të luftuar varfërinë dhe po të lëxoni, në çdo kohë, një nga frytet e shkollimit është reduktimi i varfërisë. Shkollimi përdoret për të shpërndarë të ardhurat në mënyrë të barabartë, pra ka disa efekte shumë pozitive, por në qoftë se ti të varfrit nuk ja garanton shkollën, ti e përjashton nga shoqëria atë. Ai në banka nuk troket dot, ai diplomë nuk merr dot se nuk ka çfarë të lerë në hipotekë, ai kredi nuk merr dot, destinohet të gjejë disa lloj punësh më të rëndomta. Mekanizmi do të jetë mbi bazën e meritës , por ata që skanë do të mbrohen plotësisht  

* * *

Cilat janë përfitimet nga publikimi i të dhënave qeveritane  në veçanti dhe më tej në rang vendi në përgjithësi?

Kryeministri Berisha: Po është vendosur sistemi, të dhënat depozitohen dhe është një avantazh  i madh, sepse magazinimi i tyre ka një kosto shumë më të ulët, ka një mekanizëm sigurie më të madh. Kjo ishte një arritje, por duhet të shtrihet. Po  punojmë ta shtrijmë në shëndetësi, sepse edhe shëndetësia ka një aplikim të jashtëzakonshëm të procedurave dixhitale dhe meqenëse jam këtu, do t’ju tregoj se autori  i një prej sistemeve që përdoret me shumë sukses në shëndetësi është shqiptar, Donald Leka. Ai u shpall në  100 më të shquarit në fushën e kërkimeve, në SHBA. Ajo që kemi bërë për të dhënat e qeverisë është hap shumë i mirë, por është fillimi i një sistemi që do të shtrihet. Ky është sistemi më kosto-ulët deri më tani.

U bë shumë kohë që flitet për akreditimin e universiteteve në Shqipëri dhe gjatë kësaj kohe akoma nuk kemi një rezultat përfundimtar. Doja të dija, a do kemi një afat në lidhje me përfundimin e këtij procesi?

Kryeministri Berisha: Pyetja është shumë e drejtë. E keni fjalën për renditjen e tyre, sepse akreditimi është një proces i detyrueshëm. Nëse  e keni fjalën për renditjen, ju them se edhe ky proces është i detyrueshëm. Ky proces nisi nga një kompani shumë serioze, gjermane, e përzgjedhur edhe nga Komisioni Europian, për performancën e saj për renditjen. Absolutisht që do të vazhdohet me vendosmërinë më të madhe, sepse për ne tani nuk ka asgjë më të rëndësishme, sesa cilësia. Është nihiliste dhe tërësisht e papranueshme të shpallësh universitetet, piramida. Është nihiliste dhe kryekëput e papranueshme të shpallësh universitetet publike, kombinate diplomash dhe ato private, fabrika diplomash të falsifikuara. Është jashtë çdo mendjeje njerëzore, që të mund ta bësh këtë. Por a ka dobësi në universitetet  private? Në mënyrë të padiskutueshme ka. A ka dobësi në universitetet publike? Në mënyrë të padiskutueshme ka.

Një nga ju pyeti për ndërkombëtarizimin. Pyetje shumë e drejtë. Çfarë ka bërë rektori juaj? Ka ndërtuar “Shtëpinë e Miqve”. Dhe “Shtëpia e Miqve” është shtëpia e profesorëve, e vizitorëve të huaj të universitetit të Elbasanit. Po ashtu, ne vendosur me ligj që doktorata duhet të notifikohet edhe nga një profesor i huaj. Të gjitha këto janë përpjekje të mëdha për cilësi. Çfarë do të bëjmë tjetër? Ne do të rrisim në mënyrë të padiskutueshme, numrin e pedagogëve. Ju garantoj se për raportin pedagog- numër studentësh do të kapim standardet e OECD-së, një pedagog për 15 studentë. 

A mund të kapim cilësinë? Kjo kërkon kohën e vet, por ne do të bëjmë gjithçka për të renduar pas cilësisë, do të bëjmë gjithçka për të rritur shkallën e përgjegjshmërisë,  do të bëjmë gjithçka për të luftuar informalitetin në universitetet private dhe në universitetet publike. Por ti shpallësh universitetet piramida është jashtëzakonisht e pandershme. Ka dobësi, ka të meta, por ka lumenj djerse, ka mundësi shumë të mëdha.

Dua t’ju tregoj një histori të shkurtër. Vizitova bibliotekën dhe pashë sistemin e lidhjes me bibliotekën e Oksfordit. U preka kur më thanë se janë 250 mijë tituj. Në vitin 1986, unë kam qenë anëtar i një komiteti të kërkimeve shkencore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën. Ne bënim mbledhje çdo tre muaj, përcaktonim objektivat e kërkimeve shkencore për organizatën. Mbledhjet i bënim në Kopenhagën. Aty ishte një terminal i sistemit headline - netline, sistem i vendosur në universitetin Ulve të Gjermanisë dhe çdo orë të lirë që kisha, unë vrapoja tek terminali, për të printuar shkrime, derisa më bëheshin 20 kilogramë, sepse aq lejonte avioni dhe i merrja me vete. Në atë sistem kishte gjithsej 3600 tituj dhe ishte më i fuqishmi në atë kohë, sepse ishte koha para internetit. Kurse këtu janë 250 mijë tituj që kushdo prej jush, cilido pedagog, cilido student mund të angazhohet, mund të ketë veprimtari kërkimore nga më seriozet dhe të ketë mbështetjen më të shkëlqyer. Universitetet kanë për të përmirësuar cilësinë, por universitetet kanë ecur dhe po ecin. Ka raporte që tregojnë ecurinë  në këtë drejtim. Ndaj edhe rating-u do të bëhet, është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm.

Jam studente në master shkencor në arsimin fillor. Kam punuar 26 vite në arsimin fillor si arsimtare  dhe jam hequr në mënyrë të padrejtë, duke pasur shkollën dhe të gjitha shkallët e kualifikimit. Kërkoj një zgjidhje të problemit tim.

Kryeministri Berisha: Ju siguroj se kërkesën tuaj do ta shqyrtoj më seriozitetin më të madh. Por dua të të përgëzoj. Shembulli yt është frymëzues, që pas 26 viteve punë je kthyer për të bërë masterin. Nuk mund të kemi kufizim për moshën, pasi nuk është e drejtë. Më janë ankuar qytetarët, përse duhet t’i privojmë njerëzit që të përkushtojnë energjitë e atyre aty ku duan. Një 82 vjeçare në Los Anxhelos bëri doktoratë dhe ajo ishte një shqiptare. E gjithë media amerikane pasqyroi rastin e saj. Edhe Noli e bëri Harvardin, në moshë të madhe. Ndaj nuk duhet të bëjmë kufizime moshë.

Këtu në Elbasan kemi një mungesë të landfill-it. Dua të di, nëse do të ketë një ndërhyrje, për të ndihmuar në shmangien e ndotjet së ajrit?

Kryeministri Berisha:  Çështja që shtron është shumë e rëndësishme dhe është në detyrën e çdo  qytetari që ta ketë mjedisin, në axhendën e vet, si çështje të tij personale dhe publike. Lidhur me landfill-in ka një kontradiktë midis bashkisë, e cila kërkon një nga mjediset në zonën e ish-kombinatit dhe autoriteteve qendrore, që mendojnë se duhet bërë në një komunë këtu afër. Ju siguroj se mbështetja financiare do të ekzistojë. Për në zonën e ish-kombinatit hezitohet, sepse aty po shtohen investimet dhe industria. Kjo është arsyeja. Shpresoj ta zgjidhim dhe të fillojë sa më shpejt ndërtimi i landfille-ve, ndonëse duhet të themi të vërtetën janë vetëm zgjidhje të përkohshme. Sot, zgjidhja e vërtetë është djegia e tyre dhe përdorimi për energji etj..

A ka qeveria projekte të afërta, duke krijuar politika punësimi për pedagogët e rinj?

Kryeministri Berisha: Qeveria ka projektin e uljes së numrit të studentëve në klasa. Qeveria ka projektin  e shtrirjes së arsimit parashkollor. Këto dy projekte kërkojnë në parim, shtimin e numrit të mësuesve, por, nga ana tjetër, edhe numri i nxënësve po bie, sepse ka një rënie të numrit të lindjeve. Shtrirja e mëtejshme e arsimit parashkollor, hapja e sistemit të kualifikimit dhe trajnimit, që të gjitha këto rrisin nevojën për mësues dhe për një numër më të madh të tyre.

Këto ditë është punësuar në administratë një i ri që ka studiuar në një universitet serioz, për telekomunikacion dhe informatikë, por në një universitet tjetër kishte bërë master për bio-energjinë. Ku u punësua? U punësua tek bio-energjia, pasi e pëlqeu. Këtë e them, sepse edhe ideja e gradimit në fushat e afërta është një ide e mençur. E kam thënë disa herë publikisht. Kur këshilltari i Bankës Botërore vizitoi Shqipërinë, shkoi tek Fakulteti i Fizikës, 5-vjeçar, në Tiranë, u tha drejtuesve se 5 vjet shkollë, përse nuk fusni 3 vjet fizikë dhe 2 vjet biznes. Kur erdhi tek unë, më tha se ata e kishin marrën për ofendim sugjerimin e tij dhe nuk ishin pajtuar me të. Por sot jemi një botë tregu dhe duhet të shohim si të përshtatemi më shumë me tregun. Sot lokomotiva ekonomisë europiane, Gjermania, është e detyruar t’i paguajë punëtorit, 15 orë shkollë kualifikim dhe jo ku do sipërmarrësi, por ku do punëtori. Dhe kjo për t’i dhënë atyre shans tjetër, mundësi tjetër. Edhe ne do të ecim drejt kësaj. Nuk do t’u themi nxënëseve dhe nxënësve që mbarojnë klasën e 9-të se nuk do të hynë për mësuese, sepse kaq është plani. Jo, nuk do ta bëjmë kurrë këtë. Ata do të zgjedhin aty ku duan. Por dua t’ju them se nëse bëhesh mësues apo inxhinier, përpiquni të profilizoheni që të përshtateni me tregun. Plani merr fund, nuk do të ketë plan.

Doja të dija cilat janë prioritet e qeverisë për mësimin e-learning?

Kryeministri Berisha: E-learning do të jetë total, në katër vitet që vijnë, në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Ky është projekti ynë për informatizimin e shkollave, në çdo klasë.

***

Edhe unë ju falenderoj për këtë bisedë, për pyetjet që bëtë dhe ju uroj shumë suksese në sezonin e provimeve.


09/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›