Task Forca për Shëndetësinë diskuton për reformimin e Fakultetit të Mjekësisë
Në takimin e rradhës së Task Forcës për Shëndetësinë, kryesur nga Kryeministri Berisha çështja kryesore e diskutimit ishte Fakulteti i Mjekësisë dhe reformimi i tij.
Në kuadër të thellimit të reformave në system, u diskutua roli i veçantë që kanë shefat e klinikave jo vetëm në diagnostikimin e trajtimin të pacientëve por dhe në kërkimin shkencor, në përgatitjen e studentëve e stafeve si dhe në menaxhimin e sektorit që ata drejtojnë, ndaj dhe përzgjedhja e tyre duhet bërë konform kërkesave në rritje të kohës dhe standarteve më të larta.
Pas diskutimeve të gjëra u përcaktuan mekanizmat e zgjedhjes së shefave të klinikave, u vendos që ky proces t`i nënshtrohet konkurimit të hapur e ndërkombëtar si dhe shqyrtimit në komisionet e ngritura për këtë qëllim. Vendimi përfundimtar do të merret nga një bord i posaçëm.
Në lidhje me curikulat e lëndëve që studiohen në dy vitet e fundit në Fakultetin e Mjekësisë, u vendos që krahas lëndëve të detyruara të përcaktohen edhe lëndët me zgjedhje.
Lëndët me zgjedhje- theksoi kryeministri- janë shumë të rëndësishme për të nxitur talentin dhe dëshirat e studentëve, për t’u krijuar atyre mundësitë për thellimin e dijeve dhe tw kërkimit shkencor në ato disiplina, për të cilat ata kanë krijuar preferencat më të mëdha gjatë viteve të studimit.
Kryeministri u shpreh se reformat duhet të përfillin interesat, ëndrrat dhe opinionet e studentëve në çdo fushë të arsimit të lartë.
Kryeministri i kërkoi ministrit të Arsimit që lëndët me të drejtë zgjedhjeje të shtrihen në çdo degë, edhe në fakultetet e tjera, në programe masteri apo doktorature.
Më tej në këtë Task Forcë u diskutua çështja e rekrutimit të pedagogëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë, rritjes së numrit të tyre, në mënyrë që raporti pedagog-studentë t`i afrohet vendeve të OECD-s.
Tërësia e këtyre hapave që po ndërrmerren është në funksion të krijimit të universitetit të shëndetësisë, përgatitjes sa më të mirë të studentëve, mjekëve e personelit, ngritjes së nivelit kurativ e shkencor të klinikave e laboratorëve me qëllim final përmirësimin e kujdesit shëndetësor për popullatën.
11/06/2010