Kryeministri Berisha inauguron urën e re mbi lumin Buna, në Shkodër
Vota e 8 majit do të shndërrohet për mbarë shqiptarët në një energji të re, të madhe, të pandalshme të zhvillimit.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të urës së re mbi lumin Buna, në Shkodër. Kjo vepër ka një rëndësi të veçantë për lidhjet e akseve rrugore të vendit dhe qytetit të Shkodrës me pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, në kufi me Malin e Zi. Ura e re, me gjatësi 275.5 metra dhe gjërësi 13.5 metra, është një invstim mbi 7 milion dollarë, i standardeve më moderne. Ura ka një mbistrukturë metalike të lëvizshme me gjatësi 75 metra dhe prbëhet nga konstruksioni mekanik dhe ai elektromekanik. Hapja dhe mbyllja e urës, që lejon kalimin e mjeteve lundruese, përbëhet nga dy sisteme elektromekanik me kohëzgjatje deri në 8 minuta dhe një manual me kohëzgjatje 15 minuta.
Në përshëndetjen e tij drejtuar qytetarëve të Shkodrës me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Vëllezër e motra,
e nderuara zonja Kryetare e Parlamentit,
të nderuar zotërinj ministra, Olldashi dhe Dinosha, përkatësisht të qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Malit të Zi,
të dashur zotërinj Lorenc Luka dhe Gëzim Hajdinaga, kryetarë të bashkive të dy qyteteve motra të përjetshme, Shkodrës dhe Ulqinit,
zotërinj deputetë e qeveritarë vendorë,
së pari, përshëndetjet e mia më të përzemërta, kënaqësinë time më të madhe që ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të kësaj ure, e cila me Bunën, kalanë, qytetin, paraqitet si një kryevepër e vërtetë e arkitekturës dhe ndërtimit, si një kryevepër që Shkodra e meriton plotësisht, por, gjithashtu, si një urë që lidh Shkodrën me Ulqinin, që lidh Shqipërinë me vendin mik, Malin e Zi.
Zonja dhe zotërinj,
Ne inaugurojmë këtë vepër të madhe, me një investim mbi 7 milion dollarë, me një sistem modern të hapjes që bën të mundur që Buna, në vitet që vijnë, të jetë një lumë i lundrueshëm, t’u ofrojë turistëve në këtë rajon, në Mal të Zi e në Shqipëri një prej hyrjeve turistike më të bukura në lumin e Bunës, liqenin e Shkodrës dhe në det. Me këtë urë ia dalim të dyfishojmë trafikun, komunikimin me Malin e Zi dhe të gjithë rajonin verior.
Zonja dhe zotërinj,
Ne inaugurojmë urën pas përfundimit të fushatës elektorale dhe zgjedhjeve, në të cilat me votën tuaj, me votën e Shkodrës u bashkuan më shumë se kurrë, që nga viti ’92 gjer më sot, mbarë shqiptarët, nga Vermoshi në Konispol, nga Gjirikastra në Kukës, nga Saranda në Tropojë. Qytetarët shqiptarë votuan për ëndrrën e bukur të fëmijëve të tyre, për ëndrrën e bukur të tyre, Shqipëria - vend i zhvilluar në vitin 2017. Jam sot, këtu, për të garantuar qytetarët e Shkodrës se kjo votë do të shndërrohet në Shkodrën - qytet modern, Shkodrën - epiqendër të madhe të zhvillimit të rajonit dhe të gjithë veriut, në Shkodrën - epiqendër të rëndësishme të zhvillimit të kombit dhe Shqipërisë. Në një hark kohor shumë të shkurtër, ne do të fillojmë Bypass-in e Shkodrës, do përfundojmë rrugën Shkodër-Hani i Hotit, do të ecim me shpejtësi drejt Vermoshit, drejt Prekarit dhe në katër anët e këtij rrethi, ne do të ndërtojmë infrastrukturën më moderne, infratsrukturën e një vendi të zhvilluar, infrastrukturën që bën të mundur për qytetarët e Shkodrës, shfrytëzimin e pasurive të mëdha natyrore të gjithanshme që ka ky rreth.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Vota e 8 majit do të shndërrohet për mbarë shqiptarët në një energji të re, të madhe, të pandalshme të zhvillimit. Në këtë periudhë të shkurtër 18 mujore, ne përfundojmë autostradën Tiranë-Elbasan, në këtë periudhë do të nisim autostradën Lezhë-Shkodër me katër korsi, nisin punimet e tunelit e rrugës së Arbrit, Boshtit të Jugut. Shqipëria brenda katër viteve që vijnë do të ketë një rrjet rrugor që do të bëjë krenar çdo shqiptar. Mbështetja juaj plebishitare do të shndërrohet ashtu siç kemi premtuar në qindra dhe mijëra projekte, me të cilat ne do të ndërtojmë kudo kopshte moderne për fëmijët tanë, shkolla moderne për nxënësit tanë, spitale moderne për të sëmurët tanë, rrugët më të mira për mbarë shqiptarët, ujësjellësa e kanalizme. Në të katër anët e këtij vendi, do të ndërtojmë standardet e një vendi të zhvilluar. Ne do të bëjmë gjithçka që pasuritë përrallore që i ka dhuruar Zoti këtij vendi të shdërrohen në të mira për çdo qytetar të Shqipërisë.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Sot, më shumë se kurrë, ne besojmë tek ju, sepse ju udhëhoqët fushatën më të sukseshme që vendi ka njohur nga viti ’92 gjer më sot. Por, në rast se vota e vitit ’92 ishte votë përmbysjeje, vota e 2011 është votë ndërtimi, votë zhvillimi, votë e së ardhmes.
Zoti kryetar i ri i bashkisë, Lorenc Luka, ish kryetar dhe kryetar sot, qytetarët e Shkodrës të kanë nderuar ty për përkushtimin, respektin e dashurinë që ke dëshmuar ndaj tyre. Kam besim të madh se eksperienca e fituar, se mbështetja që ata të dhanë, do të të japin ty mundësinë t’ua shpërblesh me një qeverisje gjithnjë e më të mirë këtij qyteti të mrekullueshëm. Por unë jam sot, këtu, për t’i qëndruar fjalës sime se qeveria do të mbështesë çdo projekt, me të cilin ti dhe bashkëqytetarët e tu doni ta shndërroni Shkodrën në një nga qytetet më të zhvilluara të Shqipërisë dhe të rajonit.
Edhe një herë ju uroj gëzuar urën. Kjo urë është me të vërtetë një urë që do të nxisë zhvillimin, do të nxisë mirëkuptimin, do të nxisë turizmin, do të nxisë bashkimin më të madh të njerëzve, veçanërisht do të jetë një kryeurë e turizmit për Shkodrën, për Ulqinin, për Shqipërinë, për Maline Zi. Gëzuar!”
24/05/2011