Kryeministri Berisha: Vendi nuk mund të ketë të ardhme më të mirë për tokën e tij se sa të shndërrohet në kopshtet më të mëdha, më të bukura të Evropës

- Kryeministri Berisha përshëndet Konferencën Ndërkombëtare të Tokës
- Unë jam i bindur se së pari në mendjen dhe në zemrën e njerëzve të saj, në tokën dhe burimet e tjera ekzistojnë të gjithë potencialet që ky vend në një kohë të shkurtër të renditet në grupin e vendeve të zhvilluara
Kryeministri Berisha përshëndeti sot Konferencën Ndërkombëtare të Tokës, e cila këtë vit zhvillohet në Tiranë, organizuar nga ILT (Koalicioni Ndërkombëtar i Tokës), në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Pyjeve dhe Kullotave Komunale të Shqipërisë.
Ky takim i cili përfshin edhe Asamblenë e Anëtarëve të kësaj organizate i kushtohet çështjes së garantimit të mundësisë së shfrytëzimit të tokës edhe nga njerëzit e varfër, në një kohë kur konkurrenca për shfrytëzimin e burimeve natyrore është mjaft intensive.
Në konferencë merrnin pjesë mbi 200 përfaqësues, lokalë dhe ndërkombëtarë, të organeve qeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe atyre të shoqërisë civile, lëvizjeve sociale, instituteve kërkimore dhe agjencive të zhvillimit.
Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha falënderoi Drejtorin e ILT, zotin Niase, sekretariatin, si dhe asamblenë, të cilët përzgjodhën Shqipërinë , për zhvillimin e kësaj konference që kryeministri e vlerësoi shumë të rëndësishme jo vetëm në rrafshin ndërkombëtar, por edhe për vendin tonë.
Në fjalën e tij, Kryeministri prezantoi projektet e rëndësishme kombëtare të ndërmarra nga qeveria shqiptare, nëpërmjet të cilave synohet një shfrytëzim më racional, i pasurive , i pyjeve, kullotave, i tokës në tërësi.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari, dëshiroj tu përshëndes përzemërsisht, të falënderoj zotin Niasse, sekretariatin, asamblenë që kanë përzgjedhur Shqipërinë për të mbajtur këtë konferencë të rëndësishme në rrafshin ndërkombëtar, por të rëndësishme edhe për vendin tim.
Dëshiroj tu përshëndes ju, për përpjekjen tuaj fisnike në luftën kundër njërit prej armiqve më të egër, më të lashtë, më të pamëshirë të njeriut që është varfëria, në përpjekjen tuaj për të mundësuar burimet e pafundme që mbart toka të shndërrohen në vlera për zotërit e saj, për komunitet e saj. Kjo konferencë zhvillohet në një vend i cili ka përjetuar probleme ndër më të mëdhatë, me tokën, burimet e saj.
Ndoshta si rrallë në ndonjë vend tjetër Shqipëria pësoi hiperkolektivizimin më të thellë, në të cilin ne këtë sistem u faktua si një eksperiment ndër më të tragjikët, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por në historinë e njerëzimit. Kombi u zhyt në uri kronike dhe mjerim të thellë. Pas rënies së perdes së hekurt, në një afat kohor të shkurtër u zbatua një ligj për ndarjen e tokës, ligj i cili ndante tokën për frymë sipas parimit toka atij që e punon dhe jeton aty. Me një shpejtësi të madhe, në një hark kohor pothuaj 1 vjeçar gjatë vitit 1992, u krijuan mbi 460 mijë ferma të vogla. Me krijimin e tyre nisi një kthesë vendimtare në qëndrimin ndaj tokës dhe vlerave të mëdha të saj. Rinis një prodhim bujqësor që erdhi gjithnjë në rritje dhe unë, duke përshëndetur këtu të gjithë fermerët e Shqipërisë, dua të theksoj se ata vitin e kaluar ia dolën të dyfishojnë eksportet e tyre. Nisi të konsolidohet një qëndrim tjetër ndaj tokës. Po kështu nga viti 2005 e deri më sot rreth 900 mijë ha pyje dhe kullota, të cilat i përkisnin ose administroheshin nga qeveria qendrore i janë transferuar komuniteteve komunale. Kjo reformë vazhdon si kushti i të gjithë kushteve për mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre të suksesshëm.
Shqipëria është një vend me tokë bujqësore për frymë, më të paktën në Evropë. Shqipëria ka rreth 1800 m2 për frymë, por toka e saj është një tokë e cilësisë më të lartë. Shqipëria është një vend plot ujë, është një vend plot diell, ndaj dhe shqiptarët nuk kanë arsye për tu ndjerë aspak skeptik mbi potencialet e jashtëzakonshme të tokës së tyre. Ne po procedojmë me një sërë reformash, ndër më kryesoret është regjistrimi i saj, ndërkohë, janë një seri projektesh kombëtare me te cilat ne synojmë një shfrytëzim më racional, të pasurive , të pyjeve, të kullotave, të tokës në tërësi.
Shqipëria është një vend malor, më malori në Evropë. Ne nuk kemi majat më të larta, por kemi lartësinë mesatare më të lartë, rreth 640 metra. Në këtë kontekst, përpjekjet tona duhet të përqendrohen së pari të mbrojmë tokën bujqësore, e cila duhet të pranojmë megjithë reformën e thellë që ka njohur, ka njohur dhe dëme serioze për shkak të ndërtimeve pa kriter, të cilat janë shtrirë nga jugu në veri. Ndërkohë përpjekje më të mëdha duhen bërë që të orientohemi drejt atyre mundësive që janë më të mëdha për vendin dhe për tregun në tërësi.
Ne kemi ndërmarrë disa projekte kombëtare, njëri prej të cilëve është projekti i ullirit. 2 vjet më parë në trashëgiminë shekullore të ullishtave të vendit numëroheshin 4,2 milion rrënjë ullinj. Ne vendosëm që në një hark të shkurtër kohor 4 vjeçar të mbillnim dhe 20 milion të tjerë. Ky projekt fillimisht u duk superambicioz, por unë kam kënaqësinë tu informoj ju se në një hark kohor dy vjeçar janë mbjellë pothuaj 10 milion rrënjë ullinj dhe në qoftë se ka sot një ethe në Shqipëri ajo është “ethja e ullirit”. E tërë zona është e angazhuar në një mbjellje të paprecedent të këtij druri frutor që unë mendoj se është dhe mbreti i të gjithë drurëve frutorë.
Ulliri ka një traditë të lashtë në Shqipëri. Shqipëria është e rrethuar nga vende si Italia dhe Greqia që janë prodhues madhorë dhe sipërfaqja tokësore nuk e lejon Shqipërinë që të bëhet një prodhues i rëndësishëm i ullirit, vajit dhe produkteve të tij, por sidoqoftë kjo nuk do të thotë që shqiptarët të mos shfrytëzojnë potencialet e tyre të mwdha në mbjelljen e ullinjve. Unë besoj se pas këtyre 20 milionëve, pas një studimi të vëmendshëm mund të gjendet sipërfaqe edhe për 20 milion rrënjë të tjera.
Një dru tjetër, i cili për mendimin tim ka potenciale më të mëdha është projekti i arrorëve. Shqipëria është një vend ideal për arrorë, një vend plot ujëra, një vend me sipërfaqe të mëdha për mbjelljen e tyre, të cilat sot për sot, në tërësi shërbejnë pothuajse për asgjë.
Kështu që ne këtë vit kemi nisur një projekt të dytë të madh, atë të mbjelljes së 30 milion rrënjë arrorë, arra, gështenja, lajthi, bajame dhe shegë. Ne besojmë se këtu potencialet janë shumë më të mëdha. Ne besojmë se Shqipëria me një studim racional, me një qëndrim të vendosur mund të mbjellë deri në 200 milion rrënjë.
Vendi nuk mund të ketë të ardhme më të mirë për tokën e tij se sa të shndërrohet në kopshtet më të mëdha, më të bukura të Evropës. Të gjitha këto projekte, kontributi i qeverisë qëndron në financimin, subvencionimin e rrënjëve të fidanëve që mbillen. Por e vërteta është se ky fond që qeveria vendos për të financuar rrënjët e ullinjve, të arrave të gështenjave, shegëve po disafishohet nga vetë fermerët dhe qytetarët. Kështu për shembull financimi i qeverisë ka mbuluar një të tretën e rrënjëve të ullirit të mbjella. Dy të tretat janë vepër e qytetarëve shqiptarë.
Vendi nuk ka shumë tokë dhe duhet të shfrytëzojë me ambicie të madhe çdo sipërfaqe të mundshme, por vendi i ka të gjitha potencialet që në çdo m 2 që mund të mbillet të mbjellë dhe të marrë prodhimin. Toka është e cilësisë më të lartë , kushtet e tjera janë të shkëlqyera. Në këtë periudhë qeveria shqiptare është e angazhuar tërësisht në ngritjen e infrastrukturës në mbarë vendin. Ne kemi një premtim para fermerëve shqiptarë se kudo që ata janë ne do të ndërtojmë një infrastrukturë të njëjtë me ato të lagjeve të qyteteve dhe ne po e bëjmë ketë. Po ndërtojmë rrugë të reja, po i asfaltojmë ato . Kemi asfaltuar 8 mijë km në një hark kohor 5 vjeçar . Kemi edhe disa mijëra të tjera për të asfaltuar.
Sot rreth 98 % e shqiptarëve kanë akses në ujin e pijshëm nëpërmjet ujësjellësit, jo 24 orë por po ecim drejt saj. Po ndërtojmë në mbarë vendin impiantet e pastrimit të ujërave të zeza. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar shkolla në mbarë vendin. Kemi shtrirë internetin në çdo shkollë, në të 4 anët e vendit. Por një projekt tjetër i madh dhe themelor po kaq sa ai i rrugëve është projekti i vaditjes. Ne po investojmë , por natyrisht investime më të mëdha kërkohen në mënyrë që fermerët shqiptarë të mund të kenë sistemin më modern të vaditjes.
Ne e kimi nisur këtë rrugë nga një varfëri ekstreme. 20 vjet më parë, zonja dhe zotërinj qytetaret shqiptare kishin të ardhura për frymë 204 dollarë. Sot Shqipëria është një vend me të ardhura të mesme të larta. Ambicia e çdo shqiptari është të shohë Shqipërinë vend i zhvilluar. Unë jam i bindur se së pari në mendjen dhe në zemrën e njerëzve të saj, në tokën dhe burimet e tjera ekzistojnë të gjithë potencialet që ky vend në një kohë të shkurtër të renditet në grupin e vendeve të zhvilluara. Të renditet në këtë grup në një koncept të ri, i cili vendos qytetin, jetën e tij, mjedisin e tij në epiqendër të këtij zhvillimi.
24/05/2011