E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi i dorëzon Kupën e Shqipërisë 2010-2011 ekipit fitues të Tiranës

22 maj 2011
Durrës

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sonte duke ndjekur nga afër ndeshjen finale të futbollit për Kupën e pesëdhjetë e nëntë të Shqipërisë të sezonit 2010-2011, që u zhvillua në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, mes ekipeve kryeqytetase të “Tiranës” dhe “Dinamos” dhe që u mbyll me rezultatin përfundimtar 5-4 pas gjuajtjes së penalltive, meqë loja e rregullt dhe dy pjesët shtesë u mbyllën në barazim 1-1.

Në fund të kësaj ndeshjeje finale pothuajse të barabartë e të karakterizuar nga një shpirt i fortë gare sportive, ku nuk munguan golat dhe ulje-ngritjet emocionale me gjuajtjet e dymbëdhjetë penalltive nga pika e bardhë, Kryetari Shtetit, në prani edhe të Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i dorëzoi Kupën e Shqipërisë kapitenit bardheblu Andi Lila duke përgëzuar njëkohësisht të gjithë futbollistët e ekipit fitues të “SK Tiranës” për vlerat e tyre sportive, trajnerin Misho Kërstiçeviç si dhe Presidentin e klubit tiranas Refik Halili. Presidenti Topi uroi edhe futbollistët dinamovitë për lojën e tyre mbresëlënëse si dhe përshëndeti të gjithë tifozët durrësakë dhe ata kryeqytetas të pranishëm, të cilët përkrahën me zjarr dhe në mënyrë të pandërprerë skuadrat e tyre të zemrës.

I pyetur nga gazetarët e pranishëm, Presidenti Topi u shpreh: “Ishte një fitore jo vetëm e Tiranës, por e futbollit në përgjithësi. Besoj se të gjithë në stadium, por edhe ata që e ndoqën nga shtëpitë panë një futboll të pastër dhe kompetitiv. Jam i kënaqur për trofeun e fituar nga Tirana, por absolutisht edhe për lojën e bukur që zhvilloi Dinamoja.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›