E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet fillimin e Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare 2011

23 maj 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mirëpriti sot organizimin në mjediset e Presidencës të ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare 2011, ku do të garojnë rreth 300 të rinj e të reja me aftësi të kufizuara, të cilët do të përfaqësojnë 14 skuadra nga rrethe të ndryshme të vendit në gjashtë disiplina sportive: futboll, basketboll, çiklizëm, ping-pong, atletikë dhe bouling.

Në këtë ceremoni sportive ishin të pranishëm Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Eugen Volfart, Zëvendësambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabet Evans, Zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Dashnor Bajaziti, Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, përfaqësues dhe drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, të Fondacionit “Vodafone Albania”, të Qendrës Sociale “Don Bosko”, personalitete të njohura të botës së sportit shqiptar, si dhe Presidenti i Olimpikut Special Shqiptar, Ismet Bellova, i cili në fjalën e tij, pasi falenderoi Presidentin Topi për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme personale dhe institucionale, përshëndeti atletët e rinj, vullnetin dhe përkushtimin e tyre dinjitoz, si dhe kurajën dhe kulturën e rrallë sportive të treguar.

Në vijim, fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Shtetit shqiptar, i cili u shpreh:

“Të nderuar ambasadorë,
I dashur dhe shumë i nderuar profesor Bellova,
Përfaqësues të institucioneve të Olimpikut Shqiptar,
Të dashur fëmijë,
Të dashur pjesëmarrës të Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare,
Të nderuar prindër,
Të dashur pedagogë, trajnerë,

Padyshim, sikurse e tha dhe profesor Bellova ky aktivitet tashmë ka krijuar bazën e traditës së tij. Jemi për të katërtin vit radhazi në këtë institucion të nderuar të shqiptarëve, në Institucionin e Presidentit të Republikës, i cili me shumë dëshirë, por edhe me shumë motivim, me shumë përgjegjësi bëhet pjesë e kësaj lëvizjeje, e cila në vetvete ka një motiv shumë fisnik, me një motivacion shumë kompleks që do të thotë dëshirë për jetën, dëshirë për garën, dëshirë për pjesëmarrjen, dëshirë për tolerancën, dëshirë për paqen. Unë sinqerisht ju përgëzoj! Ju përgëzoj për vullnetin tuaj!

Në radhë të parë dëshiroj që fjalët e mia të shkojnë në drejtim të prindërve, të cilët me shumë dashuri kanë rritur, kanë edukuar dhe vazhdojnë të edukojnë tek fëmijët e tyre me probleme të caktuara fizike, por që kurrsesi nuk mund të jenë pengesë për të shijuar jetën, për ta përballuar atë, për të qenë të barabartë me të gjithë të tjerët.

E kam thënë dhe herë të tjera dhe besoj që nuk e teproj se bota jonë njeh shembuj emblematikë të pjesëmarrjes dhe të fitimit të garave edhe nga njerëz me aftësi të kufizuara. Do të thotë që për njerëz me vullnet nuk ka asnjë lloj pengese. Unë dëshiroj të falënderoj Presidentin e Olimpikut Special Shqiptar, profesor Bellovën, i cili këtë vit rriti numrin e pjesëmarrësve, e bëri atë që të shkojë në shifrat 300 dhe të jenë pjesë e kësaj gare, e cila do të zhvillohet në Athinë pas disa ditëve! Unë natyrisht ju uroj sukses, por suksesin e parë të madh ju e keni arritur! Keni arritur të merrni pjesë dhe pjesëmarrja në vetvete është një sukses i madh. Këto gara, kjo pjesëmarrje natyrisht që kërkon një suport. Suporti i parë natyrisht që është moral, është institucional, por angazhime të tilla kërkojnë edhe suport financiar. Dëshiroj të falënderoj dhe një herë ‘Vodafone Albania’, që me dashuri dhe shumë përkujdesje e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë këtë iniciativë! Unë do të doja që nëpërmjet këtij takimi të jepja një apel, për një suport më të gjerë, për një rritje të ndjeshmërisë humane nga të gjithë! Në radhë të parë nga institucionet. Së dyti nga institucionet dhe së treti nga mbarë shoqëria.

Mbas pak, ju të dashur përfaqësues të Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare do të shkoni me pishtarin ndezur në këtë bulevard. Ky bulevard padyshim që është aksi kryesor i Tiranës, është aksi ku janë vendosur institucionet kryesore të vendit. Është një bulevard, i cili në radhë të parë duhet të ketë simbolikën e paqes dhe më shumë se ju, askush tjetër nuk besoj që e demonstron këtë. Njerëz, që pavarësisht vështirësive të caktuara fizike, bëjnë që të eliminohen këto vështirësi, të kapin mesazhin e konkurrencës, mesazhin e pjesëmarrjes, të japin mesazhin e paqes dhe t’ju thonë të tjerëve që shikoni, mos u bëni kaq egoistë, mos u bëni kaq indiferentë, sepse jeta nuk është thjeshtë komoditeti i kolltukut, të secilës zyrë që ju mbuloni. Bëhuni pjesëmarrës edhe ju! Merrni filozofinë e pjesëmarrjes, të humanizmit dhe të tolerancës! Kjo është arsyeja që unë jam i bindur se kjo ceremoni dhe parakalimi juaj në bulevard do të japë mesazhin në radhë të parë për rritjen e ndjeshmërisë.

Sot, sigurisht që Shqipëria ka progresin e vet. Sot, sigurisht që Shqipëria ka problemet e saj. Por ju këtë ditë, jam i bindur që do e ktheni në një dominant, në një dominant për të cilin shoqëria shqiptare ka shumë nevojë, për tolerancë, për mirëkuptim dhe për gjithëpërfshirje, sepse kjo do e bëjë shoqërinë më humane, më të ndjeshme, ku vlerat e gjithsecilit do të kthehen në një të mirë të përgjithshme për Shqipërinë.

Edhe një herë dëshiroj që nëpërmjet jush të jap një mesazh edhe për familjet në nevojë, të cilat kanë nevojë që të shikohen me më shumë ndjeshmëri! Dhe besoj që ky kompeticion nuk është thjesht sportiv. Ka në të elementët e vet substancialë, bazalë kompeticionin sportiv, por e gjithë pjesa tjetër është e rrethuar me ndjeshmërinë humane, prandaj një vlerësim të veçantë për prindërit, por edhe për trajnerët dhe pedagogët, por edhe për njerëzit e medias, të cilët janë të pranishëm dhe dëshirojnë ta përcjellin këtë mesazh kudo, ashtu siç lind i pastër midis jush, i fortë midis jush dhe besoj me shpresën e madhe që të gjithë në këtë vend do të jetë i barabartë.

Falemnderit për vëmendjen dhe urimet më të mira!”

Ekzekutimi i himnit kombëtar dhe ndezja e flakës olimpike ishin dy çastet më emocionuese dhe mbresëlënëse të kësaj ceremonie. Në këtë atmosferë të krijuar, Presidenti Topi i dorëzoi pishtarin e zjarrtë një ndër sportistëve pjesëmarrës në këto Lojëra me urimet më të përzemërta për suksese. Më pas, flaka olimpike do të përshkojë itinerarin e përcaktuar nga organizatorët e Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare 2011.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›