E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha injoron tërësisht Perëndimin! Nga Mero Baze, "Faktori Plus"Kuvendi i Shqipërisë i ka hedhur benzinë zjarrit të krizës politike në vend, duke përdhunuar nismën ligjore të opozitës dhe duke formuar në thelb kërkesat e saj. Komision

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Kryeministri Berisha injoron tërësisht Perëndimin! Nga Mero Baze, "Faktori Plus"

Kuvendi i Shqipërisë i ka hedhur benzinë zjarrit të krizës politike në vend, duke përdhunuar nismën ligjore të opozitës dhe duke formuar në thelb kërkesat e saj. Komisioni hetimor i ngritur me votat e shumicës, për të hedhur poshtë kërkesat e pakicës, është në të vërtetë lëvizja e vetme politike e ndaluar që mund të bënte zoti Berisha. Në të vërtetë, ai lëvizi në ekstrem kundër këshillave ndërkombëtare për këtë situatë, dhe tanimë opozita ndjehet e lehtësuar që nuk konsiderohet më pjesë e problemit të krijuar me krizën politike në vend.

Edhe pas këtij përdhunimi politik, i cili duket se është marrë, nën emocionet e një zemërimi politik që kapi zonjën Topalli, pasi Komisioneri për Zgjerim injoroi në axhendë takimin me të, opozita po tregohet e kujdesshme për të mos i dhënë shkas, as shumicës dhe as ndërkombëtarëve që të fokusohen te sjellja e saj parlamentare. Duke mos ju referuar më termit bojkot dhe duke ndërtuar raporte taktike me Kuvendin, opozita po u drejtohet protestave popullore si mjeti i vetëm politik që i ka mbetur për të arritur objektivin e saj.

Delegacioni i PE që gjendet në Tiranë, e theksoi faktin që rikthimi i opozitës në Kuvend u shpërdorua nga shumica parlamentare duke mos e zgjidhur krizën, ndërsa OSBE në një dalje publike të ambasadorit Bosch e konsideroi të pakuptimtë Komisionin e ngritur me dhunë nga zonja Topalli.

Në këto kushte, shumicës do t’i duhet të bëjë sërish shumë hapa mbrapa për të shkuar te një klimë mirëkuptimi për zgjidhjen e krizës. Ajo do të duhet të riprishë Komisionin që ngriti me dhunë dhe t’i drejtohet sërish negociatave për arritjen e marrëveshjes. Kjo, në rastin e një vullneti të mirë politik. Por skenari më i keq, ka të bëjë me faktin se kjo shumicë parlamentare e shpërdoroi shansin e zgjidhjes së krizës përmes miratimit të nismave ligjore të opozitës, duke djegur mundësinë që në të ardhmen të rikërkohet një nismë e tillë. Sipas kuadrit ligjor parlamentar, gjatë një mandati nuk mund të kërkohet dy herë i njëjti objekt për një komision parlamentar dhe nëse shumica nuk e anulon nismën absurde, kriza është përfundimisht pa zgjidhje dhe gjithçka që ka ndodhur, ka qenë e qëllimshme.

Duke shpresuar te liberalizmi i vizave si një dhuratë që do të jepet përfundimisht nga BE, Berisha shpreson se do të shkojë deri në ekstrem, duke injoruar krizën politike dhe duke djegur dhe shanset formale për zgjidhjen e saj. Shansi formal që i dha opozita përmes nismave të saj ligjore, shihet qartë që e paskëshin vënë në pozitë të vështirë shumicën dhe ajo tani u detyrua të bëjë “nul” efektin e kthimit të opozitës në Kuvend. Skenari i Berishës vazhdon të mbetet radikalizmi i krizës dhe vënia para faktit të kryer e bashkësisë ndërkombëtare. Pasi vizat të jenë liberalizuar dhe pasi Berisha ta paraqesë liberalizmin si shenjë që Perëndimi nuk është i shqetësuar për deformimin e demokracisë në vend, Perëndimi do të kujtohet se ka prodhuar një vatër të rrezikshme krize për demokracinë në Ballkan me besimin që ashtu sikundër e dëgjoi opozita, po e dëgjonte dhe Sali Berisha, i cili në fakt është duke e injoruar tërësisht perëndimin, duke njohur mirë dobësitë e veprimit të përbashkët perëndimor në kriza të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›