Kryeministri Berisha investitorëve çekë: Vendosmëria juaj për të konsideruar që të investoni në Shqipëri është shprehja më e lartë e besimit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve
Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha falënderoi kryeministrin çek i cili u shoqërua në këtë vizitë nga një prani e rëndësishme e biznesit çek, pjesëmarrës në Forum, duke e vlerësuar këtë si dëshmi e vullnetit te qeverisë çeke për të intensifikuar marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe kombeve.
Kryeministri prezantoi në fjalën e tij, Shqipërinë, si vendin e potencialeve të mëdha për investime në turizëm, miniera, energjitikë, etj. Duke ftuar investitorët çekë të shohin dhe prekin nga afër këto mundësi, Kryeministri i siguroi ata se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për të kthyer investimet e tyre në histori të vërteta suksesi. “Në Shqipëri, mos harroni se do të gjeni një mik të çmuar që ndan me ju të njëjtat mendime për tregun dhe lirinë e tij dhe kjo është qeveria shqiptare që do të bëjë gjithçka për një histori suksesi për investitorët çekë dhe të tjerë në vendin tonë.”
Në mbyllje të ceremonisë u firmos Protokolli i Komitetit të Përbashkët midis Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë së Republikës Çeke.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Është një kënaqësie e veçantë të mbyllim këtë ditë të një vizite të shkëlqyer të kryeministrit çek në Shqipëri me këtë aktivitet, këtë forum ekonomik shumë të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
Ndaj dhe unë dua tu falënderoj edhe njëherë përzemërsisht, zoti kryeministër për ardhjen tuaj me një prani kaq të rëndësishme të biznesit çek në Shqipëri, dëshmi e vullnetit tuaj dhe te qeverisë tuaj për të intensifikuar marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe kombeve tona.
Midis dy vendeve tona ekziston një kuadër ligjor shumë i mirë për bashkëpunimin në fushën ekonomike, por janë projektet e këtyre zotërinjve dhe zonjave që do të besojnë ti zbatojnë në Shqipëri, ato që do ti japin jete këtij kuadri më shumë se çdo gjë tjetër.
Ndaj dhe unë ju uroj ju, mirëseardhjen në Tiranë, ju zonja dhe zotërinj biznesmenë dhe tu siguroj se unë vlerësoj më shumë se çdo gjë tjetër besimin si të tillë. Vendosmëria juaj për të konsideruar që të investoni në Shqipëri është shprehja më e lartë e besimit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, është shprehja më e bukur e tij.
Projektet janë ëndrrat e ditës të biznesmenëve dhe te cilitdo që i projekton ato, ndaj dhe ju siguroj që në këtë vend do të gjeni një mbështetje të fuqishme që ju ti shndërroni ato në realitet dhe histori suksesi. Vendet tona kanë shumë e shumë dekada marrëdhëniesh, veçse miqësore. Në atë traditë zhvillimi ajo ka qenë veçse pozitive. Ekziston një vlerësim i madh ne Shqipëri për vendin tuaj për kombin tuaj, për arritjet tuaja. Vaslav Havel është një nga personalitet e huaja më të respektuara ne kombin shqiptar. Vendi juaj i dha një ndihme shumë të çmuar Shqipërisë në rrugën e integrimit në NATO dhe i jep mbështetje të sigurtë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Krahas këtij kuadri të marrëdhënieve tona politike, qeveria shqiptare ka firmosur dhe do të firmosë çdo marrëveshje që lehtëson veprimtarinë tuaj në Shqipëri.
Ndërkohë, ju gjeni në këtë vend një klimë miqësore ndaj biznesit. Qeveria shqiptare është njëra prej 10 qeverive më të vogla në botë. Është një nga 10 qeveritë më dorëshkurtra në drejtim të biznesit. Sot në botë ka një debat të madh midis parimeve të liberalizimit dhe të themi të kapitalizmit shtetëror. Ne nuk jemi lëkundur nga parimet e liberalizimit, ne ju besojmë atyre. Ne kemi vendosur në Shqipëri nivelin fiskal më të ulët në Evropë dhe ju garantoj se qeveria konsideron ulje të mëtejshme të nivelit të taksave.
Liria fiskale është një nga liritë më kryesore në lirinë e tregut. Shqipëria është një vend i vogël në hartë, por me potenciale të jashtëzakonshme për investitorë të të gjitha vendeve. Ndofta në Shqipëri janë në zhvillim e sipër investimet më intensive në fushën e energjisë ujore, nga projekti më i madh prej 1 milard euro i EVN, Austri dhe Shtatkraft i Norvegjisë tek dhjetëra e dhjetëra projekte të tjera në të katër anët e vendit. Vetë gjeografia e këtij vendi e bën Shqipërinë një basen të vërtet të energjisë ujore në rajon.
Ne po vendosim kuadrin rregullator më të mirë për të gjithë ata që vendosin të investojnë në energjinë e rinovueshme. Ne jemi një vend shumë afër Italisë, ndofta njëri prej tregjeve më të uritura në Evropë. Shqipëria ka disa platforma ere ndër më të fuqishmet në kontinent. Është vendi më me diell, do të bëhet me siguri një një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme ne rajon. Duke zbritur në aeroportin e Rinasit, ata që kanë patur mundësi të shikojnë nga dy dritaret e avionit, kanë konstatuar nga njëri krah male me dëborë të pafundme dhe në krahun tjetër një det blu ndër më të bukurit. E para gjë që të bie ndërmend është se Shqipëria ngjan me një Zvicër me det, kur zbret në tokë e kupton që është një Zvicër për tu ndërtuar. Ndaj dhe unë ju ftoj ju të konsideroni seriozisht mundësinë për të investuar në turizëm në Shqipëri. Fluksi i turistëve po rritet në një mënyrë shumë të ndjeshme në këtë vend, nga 300 mijë që ishin në vitin 2004 arriti në 4 milion turistë e vizitorë vitin e kaluar. Të gjithë ata që do të investojnë në zonat malore të këtij vendi do të jenë pa taksa për 8 vite. Ata që do të zgjedhin brigjet et do të kenë rrethanat më lehtësuese. Në rast se toka është publike do ta marrin për 1 euro. Nga të gjitha brigjet e rajonit, koha vjen dhe bëhet e brigjeve shqiptare. Shqipëria është vendi më malor ne Evropë. Malet e saj janë plot me minerale. Shqipëria ka pellgje botërore kromi, hekur-nikeli dhe mineralesh të tjera. Vendi disponon fushën naftëmbajtëse më të madhe të kontinentit. Masive të tëra gurësh dekorativë shtrihen në malet e Jugut. Jeni të ftuar të konsideroni me seriozitetin më të madh investimet në fushën e minierave. Shqipëri ka tregun e punës ndër më të leverdishmit në Evropë, një treg pune fleksibël, me punëtorë të shkolluar mirë, të rinj dhe të vendosur të punojnë shumë dhe kjo përbën një avantazh tjetër për të gjithë ata që konsiderojnë të investojnë në Shqipëri.
Në Shqipëri, mos harroni se do të gjeni një mik të çmuar që ndan me ju të njëjtat mendime për tregun dhe lirinë e tij dhe kjo është qeveria shqiptare që do të bëjë gjithçka për një histori suksesi për investitorët cekë dhe të tjera në vendin tonë.
Do ta mbyll këtë fjalë duke ju falënderuar ehe njëherë i dashur mik, kryeministri çek, zoti Petr NeČas. Nuk mund të ketë një mënyrë më të bukur, më të mirë për të kurorëzuar vizitën tuaj në Shqipëri, të shkurtër, por intensive, sesa ky forum i mrekullueshëm i mbledhur sot.
16/04/2012