E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron besimtarët ortodoksë shqiptarë me rastin e Pashkës

Me rastin e Ditës së Pashkës, Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja, zonja Liri Berisha vizituan sot, selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, ku u prit nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit  dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos.

Kryeministri Berisha uroi Kryepeshkopin Janullatos dhe të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë për Ditën e Pashkës. Në urimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Ditë e shenjtë, ditë e ringjalljes së Krishtit, e ringjalljes së shpesës së pashuar, ditë e përjetësisë. Ndaj në këtë ditë, dua të përcjell urimin tim më të përzemërt e të qeverisë shqiptare për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë, për të gjithë besimtarët e krishterë, për të gjithë besimtarët e Zotit dhe i uroj shumë gëzime e mbarësi në këtë ditë të veçantë, uroj që Pashka tjetër të na gjejë edhe më mirë, sëbashku me vëllezërit ortodoksë ta festojmë në Katedralen e re.

Ne shqiptarët kemi motive më të mëdha se kushdo tjetër, t’i falemi Zotit, ti lutemi atij, sepse ne jemi një komb i rilindur, sepse besimet tona janë besime të rilindura, sepse asnjë komb tjetër nuk pati fatin tonë, të izolohej në errësirat më të thella, të privohej nga besimet dhe shpresa. Këto 20 vite janë vite të rilindjes së vërtetë të shqiptarëve, të besimeve të tyre të mëdha.

Shqiptarët kanë një motiv tjetër për të festuar sëbashku këtë ditë, mbasi në të gjitha vlerat e tyre morale, por jo vetëm të tyre, në të gjitha vlerat morale të njeriut të qytetëruar, asgjë nuk shndrit më shumë, sesa respekti i palëkundur që kanë shqiptarët për besimin e njëri-tjetrit, sesa toleranca e tyre e shkëlqyer fetare. Sot, kur hedh sytë në hartën e planetit, konstaton se ende janë të pranishme, për të mos thënë pantotemike, të gjithëkudogjindshme, shpërthime të fakulteteve të errëta njerëzore, shpërthime që dalin nga skutat e psikikës më të prapambetur e arkaik dhe marrin karakterin e urrejtjes fetare apo urrejtjes ndëretnike. Shqiptarët janë modeli, me të cilin mund dhe duhet të krenohen. Askund si në këtë vend nuk të jetojnë në paqe, harmoni e respekt të gjitha besimet e mëdha të qytetërimit perëndimor.

Por këtë vit, ne kemi një motiv tjetër të madh, 100 vjetorin e pavarësisë. Ndaj duhet të ulemi me nderimin më të madh para udhëheqësve të klerit ortodoks shqiptar, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në njohjen dhe konsolidimin e shtetit të pavarur. Në tërë historinë e tyre, shqiptarët do të kenë Fan Nolin, kryetarin e Kishës Autoqefale Shqiptare, njëkohësisht jo vetëm njërin prej personaliteteve më të mëdha të letrave shqipe, njërin prej kolosëve të kulturës shqiptare, por edhe diplomatin e parë të tyre, i cili bëri gjithçka për konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë.

Ne jemi në këtë 100 vjetor, pasi kemi kaluar një kalvar të vërtetë zhvillimesh, por vijmë të ringjallur, vijmë të pavdekshëm si komb. Prandaj duhet të falenderojmë Zotin, më shumë se gjithë të tjerët. Gëzuar!” 


15/04/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›