Kryeministri Berisha me ushtarë tanë në Herat: Po dëshmoni normat e standardet më të larta të ushtrisë shqiptare
Në ditën e dytë të qëndrimit në Afganistan, Kryeministri Berisha vizitoi efektivin e kontingjentit të Forcave të Armatosura Shqiptare në Kamp Arena, në Herat. Fillimisht, Kryeministri pati një takim me Komandantin e Komandës Rajonale Perëndimore, Gjeneral Brigade Luigi Chiapperini, i cili vlerësoi gjithashtu kurajën, profesionalizmin dhe vendosmërinë e ushtarakëve shqiptare që shërbejnë nën komandën rajonale perëndimore me bazë në Herat. Ai e cilësoi këtë vizitë një nder për ushtarakët italianë, spanjollë, shqiptarë etj. që shërbejnë në këtë bazë.
Aktualisht, në Herat shërbejnë dy kompani këmbësorie të Forcave tona të Armatosura, 222 ushtarë, oficerë e nënoficerë, me mision kryesor garantimin e sigurisë së aeroportit dhe bazës së tij ushtarake. Kryeministri u takua përzemërsish me ushtarakët shqiptarë, u njoh nga afër me kushtet e tyre, zhvilloi bashkëbisedime me ta dhe sëbashku me efektivin e kontingjentit tonë drekoi në mensën e bazës në Kamp Arena.
Kryeministri iu drejtua më pas me një fjalë ushtarakëve shqiptarë.
“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, të shpreh nderimin tim, të qeverisë shqiptare dhe të mbarë shqiptarëve për ju, për familjet tuaja, për misionin e shkëlqyer e fisnik që ju kryeni këtu, në Afganistan, në të cilin paqja, siguria dhe stabiliteti përbën një problem jo vetëm kombëtar të këtij vendi, por përbën një problem për paqen dhe sigurinë botërore.
Unë gjatë këtyre dy ditëve jam takuar me njësitë tona në Kabul, me ushtarakët tanë në Spin Buldok, në Kandahar dhe tani erdha këtu. Në të gjitha njësitë, unë gjej luftëtarë, qytetarëve e atdhetarë të përkushtuar që japin çdo ditë një kontribut shumë të madh për këtë vend, por edhe për vendin e tyre.
Të dashur ushtarakë,
Ne kemi këtë vit, vitin e 100 vjetorit të pavarësisë. Në këto 100 vjet, rruga e shqiptarëve ka qenë një rrugë e vështirë. Po të kujtojmë kohërat e fillimit të kësaj rruge, kohëra kur bëhej çdo përpjekje për t’i nxjerrë shqiptarët nga harta politike e Europës dhe sot, në 100 vjetorin e pavarësisë së tyre, shqiptarët janë anëtarë të Aleancës më të fuqishme të lirisë e sigurisë së kohërave, Aleanca e Atlantikut të Veriut; jo vetëm janë të sigurt në vendin e tyre, por në kuadrin e kësaj Aleance japin kontributin e tyre për sigurinë e një kombi tjetër, që e ka atë më të rrezikuar se të tjerët, mendoj se arritja është e jashtëzakonshme dhe me praninë tuaj këtu ka një motiv krenarie çdo shqiptar.
Unë takova ushtarakët e OMLT-së 2 në Kabul dhe po kështu edhe oficerët e policisë. Në kushte të vështira, ata po trajnojë oficerë të Forcave të Sigurisë Afgane, po trajnojnë policët e këtij vendi. Isha gjithashtu në Spin Buldok dhe fluturova edhe mbi Rabatin, fshati ku vëllai juaj, Kapiten Feti Vogli ra për t’u bërë i pavdekshëm. Po përse ra Fetiu? Kapiten Vogli po shoqëronte një mision civil, i cili kishte shkuar në këtë fshat për ndërtimin e shkollës së fshatit, në mënyrë që fëmijët e këtij fshati të shkollohen, siç shkollohen fëmijët në botë, të lirë. Natyrisht, humbja e tij është një dhimbje e pakompensueshme, por, nga ana tjetër, është një krenari e madhe, e ligjshme, për mënyrën burrërore si ai ra dhe reagimin e shkëlqyer të bashkëluftëtarëve të tij. Ata neutralizuan policin që i qëlloi në pabesi të plotë. Ajo që të bën shumë përshtypje është se nuk e ekzekutuan, por e dorëzuan para ligjit dhe ky është dallimi më thelbësor i atij që lufton për liri dhe tjetrit që lufton për errësirën. Ai që lufton për liri ka gjithnjë një parim, duhet të jetë më i mirë se armiku i tij, në çdo rrethanë, në të gjitha aspektet. Dhe, në fakt, në Rabat kjo u faktua. E them këtë, sepse ky kontribut e ky proces është njëkohësisht jashtëzakonisht i dobishëm për ushtrinë shqiptare, për normat, standardet morale të saj. Ushtri, e cila ju garantoj se ka dhe do të ketë mbështetjen e fuqishme të qeverisë dhe se qeveria do të bëjë gjithçka për pajimin e përsosjen e saj.
Shkolla juaj në këtë teatër vështirësish të gjithanshme është dhe do të mbetet një trashëgimi shumë pozitive për ju dhe ushtrinë shqiptare. Unë ju kam parë në tre vitet e fundit, në rrethana ndër më të vështirat në Shqipëri dhe absolutisht, ushtria ka luajtur një rol përcaktues në përballimin pa humbje jetësh, të atyre rrethanave.
Në këtë vit, që është viti i 100 vjetorit të pavarësisë, shqiptarët kanë një projekt të madh dhe ky është viti i avancimit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në Shqipëri, një situatë normale është vendosur. Mazhoranca dhe opozita po bashkëpunojnë në parlament, për të përmbushur detyrimet, të cilat kanë absolutisht asnjë qëllim tjetër, veçse të bëjnë qytetarët shqiptarë më të sigurt, më të mëkëmbur e më të lirë. Ndaj, ne jemi të vendosur ta ndjekim me një univers të tërë reformash këtë proces.
Unë dua të shfrytëzoj këtë rast për t’i shprehur një mirënjohje shumë të thellë qeverisë italiane, Forcave të Armatosura të këtij vendi mik, Gjeneralit Chiapperini, për të gjithë mbështetjen që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë si anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut, në misionet e saj këtu, në Herat. Italia është një vend mik që ka ndihmuar Forcat tona të Armatosura këto 20 vjet, me një ndihmë shumë të çmuar, por fjalët e komandantit për ju, për komandantin e drejtuesit e tjerë dhe për të gjithë efektivin shqiptar janë mënyra më e mirë, për të justifikuar këtë mbështetje të fuqishme dhe për të nderuar ashtu siç e keni nderuar veten, familjet tuaja dhe kombin tuaj.
Ndaj dua të shpreh edhe një herë falenderimin tim ndaj autoriteteve italiane. Uroj ta përmbushni me faqe të bardhë misionin, të ktheheni shëndoshë e mirë në Shqipëri dhe secili prej jush, gjatë gjithë jetës do të ketë në memorie e do të krenohet me kontributin që dha për këtë vend. Ky vend ka pasur nevojë jetike për ju, ka pasur nevojë jetike për të gjithë forcat e Aleancës së Atlantikut të Veriut që ndodhen sot, këtu. Nga ky udhëtim i shkurtër, mësoj se progresi është i pashmangshëm. Problemet janë shumë të mëdha, por progresi është i lavdërueshëm. Edhe mbrëmë, gjatë takimit që pata me përfaqësuesin e NATO-s ambasadorin Gass, me komandantin e forcave të Aleancës në Afganistan, Gjeneralin John Allen i sigurova se Shqipëria do të qëndrojë në Afganistan për sa kohë të qëndrojë Aleanca, për aq kohë sa të qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe një herë ju uroj shumë suksese. Atyre që nesër festojnë Pashkën, ju uroj nga zemra shumë gëzime dhe Pashkën tjetër ta bëjmë edhe më mirë.”
15/04/2012