Kryeministri Berisha pret Kryeministrin e Republikës së Çekisë, z. Petr NeČas
Kryeministri Berisha priti sot Kryeministrin e Republikës së Çekisë, z. Petr NeČas, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, me ftesë të Kryeministrit Berisha. Kryeministri NeČas u prit në një ceremoni zyrtare në kryeministri dhe më pas, dy homologët zhvilluan një takim tete a tete, i cili u pasua nga bisedimet mes dy delegacioneve respektive. Gjithashtu, në prani të dy kryeministrave, në Sallën e Marrëveshjeve të Këshillit të Ministrave u nënshkruan 2 marrëveshje:
- Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Çekisë, për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës për vitin 2012-2015.
- Protokolli Marrëveshjes së ripranimit midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës Çeke.
Më pas, të dy Kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për median në të cilën bënë këto komente:
Kryeministri Berisha: “Marrëveshjet që sapo u firmosën dhe bisedimet e shkëlqyera që pata me Kryeministrin e Republikës çeke Petr NeČas, në këtë vizitë zyrtare, janë një nxitje e fuqishme e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe kombeve tona. Së pari, unë shfrytëzova rastin për të falënderuar shumë përzemërsisht Kryeministrin Petr NeČas për këtë vizitë, për t’i shprehur mirënjohjen time më të thellë, vendit, kombit dhe qeverisë së Republikës së Çekisë, për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve këto vite, në përpjekjet e tyre për integrim euroatlantik dhe evropian dhe ndërtimin e sistemit të bazuar në vlerat e demokracisë dhe tregut. Në 100 vjet pavarësi, Shqipëria ka pasur gjithnjë mbështetje nga kombi çek dhe Republika çeke.
Por natyrisht, në axhendën e bisedimeve tona, krahas vlerësimit për ato që janë arritur, vend kryesor zë perspektiva e këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat. Kryeministri çek më garantoi se Kryeministri, qeveria dhe vendi i tij, mbështesin plotësisht perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Unë e sigurova atë se për qeverinë time dhe vendin tim, projekti i integrimit në BE është projekti më kryesor dhe më i rëndësishëm sot dhe se, ne e marrim këtë si një proces tërësisht të bazuar mbi meritën dhe performancën.
Ne diskutuam gjerësisht mbi intensifikimin e marrëdhënieve tona në të gjitha fushat, në fushën e arsimit, kulturës e në çdo fushë tjetër. Por me një theks shumë të veçantë, diskutuam për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve tona, nxitjen dhe angazhimin e investimeve çeke në Shqipëri, në fushë e energjisë, turizmit, mjedisit, minierave e çdo fushë tjetër. Kryeministri më garantoi se ai dhe qeveria e tij do të mbështesin fuqishëm biznesin çek në projektet e tyre për të investuar në Shqipëri.
Kryeministri shoqërohet nga një grup i fuqishëm biznesi i vendit të tij, me të cilët do të kemi edhe një forum sot gjatë pasdites, dëshmi kjo e vendosmërisë së qeverisë çeke dhe Kryeministrit, për të nxitur dhe inkurajuar investitorët çekë të investojnë në Shqipëri. Unë e garantova Kryeministrin se do të bëjmë gjithçka që historitë e investimeve çeke në Shqipëri të jenë histori të vërteta suksesi.
Edhe njëherë, dua të falënderoj mikun tim për këtë vizitë të shkëlqyer, që është një nxitje e fuqishme për marrëdhëniet mes dy vendeve tona, në vitet që vijnë. Dua ta falënderoj atë edhe për mbështetjen e madhe qe vendi i tij na ka dhënë për anëtarësimin në NATO dhe na jep në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”.
Kryeministri i Çekisë, z. Petr NeČas: “Dua të falënderoj zotin Kryeministër për mikpritjen e tij në këtë vizitë timen sot, ndërkohë që këtë vit është dhe 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë gjithashtu edhe 90 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera dhe jam gjithashtu i kënaqur që ato janë ndihmëse në bashkëpunimin tonë. Republika e Shqipërisë e ka dorëzuar kërkesën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian pikërisht në Pragë dhe jam i kënaqur për zhvillimet e muajve të fundit këtu, ku është konsideruar një përparim dhe ecje para në këtë proces. Ballkani Perëndimor do ketë gjithmonë përkrahjen tonë në zhvillimin e tij dhe në anëtarësimin e tij në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, jam i kënaqur që sot zhvillohet edhe Forumi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona. Së bashku me mua, sot kanë ardhur dhe 15 përfaqësues të kompanive private çeke. Ne kemi interes që të zhvillohet bashkëpunimi ekonomik dhe gjithashtu dhe investimet çeke këtu në Shqipëri, në disa fusha specifike. Si çështje kyçe shikoj zhvillimet dhe investimet në sektorin energjetik dhe minierat. Industria çeke ka qenë gjithnjë cilësore dhe ndaj e shikoj si fushën ku mund të investohet dhe të zhvillohet bashkëpunimi, por dhe në fusha si transporti, hekurudhat, etj. Kompanitë çeke janë të përgatitura që të ofrojnë produktet e tyre në fushë e mjedisit, por gjithashtu shikoj si fushë kyçe dhe zhvillimin e turizmit.
Jam i kënaqur që mund të shprehemi këtu për forcim të marrëdhënieve çeko-shqiptare. Gjithashtu, dua të falënderoj zotin Kryeministër për ftesën që më ka bërë për të vizituar Shqipërinë dhe dua ta siguroj atë se do të ketë gjithmonë përkrahjen tonë në proceset për integrimin e Shqipërisë”.
Pyetje: Zoti Kryeministër i Çekisë, përse kompanitë çeke janë të interesuara të investojnë në Shqipëri, ndërkohë që modeli i investimit më të madh çek, kompania CEZ, nuk ka rezultuar i suksesshëm në Shqipëri?
Kryeministri çek Petr NeČas: Dua të them se për ne, është me interes që investimi i CEZ të jetë një model i suksesshëm. Gjithashtu, Kryeministri Berisha më siguroi sot që edhe pala shqiptare ka interes që ky proces të dalë i suksesshëm. Ne jemi të ndërgjegjshëm që në këtë proces ka pasur shumë mosmarrëveshje dhe mendojmë, shpresojmë dhe besojmë se do t’i zgjidhim këto mosmarrëveshje që kanë ndodhur. Besoj se zgjidhja e kësaj situate dhe problemi me CEZ këtu, në Shqipëri, do të jetë kyç dhe do të jetë një sinjal i mirë edhe për Evropën Perëndimore, e cila dëshiron ta shohë këtë si sukses të madh, pasi CEZ është një nga 5 kompanitë më të mëdha energjetike të Evropës, ndaj duhet që ky model të bëhet model i suksesshëm. Kryeministri Berisha më siguroi sot se pala shqiptare do të bëjë çmos që kjo gjë të zgjidhet dhe kemi diskutuar bashkërisht që kjo të zgjidhet.
Pyetje: A ka ndërmend CEZ, me qendër në Pragë, të ndryshojë menaxhimin e CEZ në Shqipëri?
Kryeministri çek Petr NeČas; Ka ndodhur para disa muajve një ndryshim dhe mendojmë se kjo do të japë një ndikim pozitiv në këtë aspekt.
Pyetje: Zoti Berisha, ju thatë se do bëni gjithçka që investimet çeke, ashtu si çdo investim tjetër, të jetë një histori suksesi në Shqipëri. Në rastin e CEZ, çfarë do të bëni, do të ketë ndonjë lehtësim?
Kryeministri Berisha: Lidhur me pyetjen tuaj, mendoj se kompanitë çeke kanë shumë arsye që të investojnë në Shqipëri dhe fakti që aty ku krijohen probleme, ne i diskutojmë së bashku në mënyrën më transparente, për zgjidhjet më të drejta dhe më të ndershme, është në favor të kësaj që unë them dhe besoj. Problematika lidhur me CEZ, marrëdhëniet komplekse me faktorë të tjerë në Shqipëri, është trajtuar nga të dy palët gjerësisht gjatë kësaj periudhe dhe besoj se po shkohet drejt dhënies së zgjidhjes më të mirë të problemeve të krijuara. Unë kam besim të plotë në kapacitetet e mëdha investuese dhe menaxhuese të CEZ, si një nga korporatat më të mëdha në Evropë dhe në mbështetjen që qeveria çeke, institucionet financiare të këtij vendi, i japin korporatës për të investuar aty ku ajo është, ndër to, edhe në Shqipëri .
Unë e garantova Kryeministrin se ne jemi të interesuat plotësisht për suksesin e CEZ dhe ramë dakord të bashkëpunojmë për të arritur një histori suksesi, në interesin më të mirë të konsumatorëve shqiptarë, në interesin më të mirë të korporatës CEZ në Shqipëri.
Pyetje: Zoti Kryeministër Petr NeČas, ju me të drejtë thatë se Shqipëria e dorëzoi aplikimin në vitin 2009 për të marrë statusin e vendit kandidat në BE, por që nga ajo kohë ne kemi humbur dy vite të vyera dhe dy shanse të tilla. Ndërkohë ju përshëndetët edhe progresin e fundit në vendin tonë, por a konsideroni që ka progres të mjaftueshëm që Shqipëria të mos e humbasë shansin në 2012 për të marrë statusin e vendit kandidat në BE?
Kryeministri çek Petr NeČas: Mund të them se muajt e kaluar Shqipëria ka arritur një progres pozitiv në rrugën e saj të integrimit. Shikoj si pozitiv lajmin që është zhbllokuar procesi i funksionimit të parlamentit. Çështja kyçe do jetë plotësimi dhe vlerësimi i 12 rekomandimeve që i janë dhënë Shqipërisë nga Komisioni Evropian, në vitin 2012. Rruga për në Bashkimin Evropian kërkon shumë punë, shumë durim dhe vullnet të madh. Vet Republikës çeke iu deshën 7 vjet, pasi mori statusin e vendit kandidat, që të anëtarësohej në BE. Dua të përsëris sërish se Republika çeke përkrah zgjerimin e BE dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në të dhe gjithashtu, dëshiron që Shqipëria të jetë e suksesshme në rrugën e saj për integrimin në BE. Gjithashtu është i rëndësishëm edhe stabiliteti rajonal.
Pyetje: Zoti Kryeministër Berisha, duke pasur parasysh edhe zhvillimet e fundit në parlament por dhe disa komente të ambasadorëve të akredituar në Tiranë, a mendoni se do të duhet fryma e mirëkuptimit me opozitën që kjo të mos cenojë procesin, duke pasur parasysh edhe problematikën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në vend?
Kryeministri Berisha: Së pari, edhe njëherë dua të theksoj se në bindjen time më të thellë, integrimi duhet të jetë një proces kryekëput i bazuar mbi meritën dhe performancën, duhet të jetë proces i bazuar në gjithëpërfshirjen. 94 për qind e shqiptarëve mbështesin integrimin, kërkesat që Komisioni Evropian parashtron ndaj Shqipërisë janë shumë të drejta. Qëndrimi ndaj tyre është një qëndrim i përgjegjësisë që kanë forcat politike në procesin e integrimit. Këtij vendi, askush nuk mund t’i zëvendësojë opozitën apo faktorët e tjerë politikë, ndaj dhe përmbushja e detyrimeve duhet të jetë diçka e brendshme, e gjithsecilit ndaj vendit të tij.
Për sa i përket zhvillimeve në parlament, unë i konsideroj ato nga më normalet. Për një post u paraqitën 2 kandidatura. Unë nuk kam gjë tjetër veçse respekt për opozitën që paraqiti kandidaturën e vet. Natyrisht, opozita ka të drejtën e taktikimeve të veta politike. Në parlament kërkoi që të mos viheshin firma në fletë votimi se kishte frikë se mos viheshin shenja apo “bishta”. Për të shmangur çdo obsesion ndaj shenjave e “bishtave”, iu referuam butonit, me votim të fshehtë. Opozita taktikoi dhe mori vendimin e vet, në këtë rast, gjë e cila është krejt normale. Tërheqja nga kandidatura jote mund të bëhet në çdo kohë, në çdo formë, ndaj dhe e gjithë ajo situatë ishte një furtunë në një gotë uji.
16/04/2012