Kryeministri Berisha takon eurodeputetin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PPE, z. Antonio López-Istúriz
Gjatë Samitit të Dubrovnikut, Kryeministri Berisha takoi eurodeputetin dhe njëkohësisht Sekretarin e Përgjithshëm të Partive Popullore Evropiane z. Antonio López-Istúriz. Në takim u bisedua për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e Partisë Demokratike me Partitë Popullore Evropiane.
Kryeministri Berisha falënderoi PPE-në, grupin e saj parlamentar dhe drejtuesit e tyre Martens dhe Daul për rolin, kontributin dhe mbështetjen e pandërprerë në favor të qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Berisha dhe Shqipërisë në përgjithësi, sidomos në lidhje me proceset e integrimit dhe liberalizimit të vizave.
Kryeministri e informoi z. Lopez-Isturiz mbi progresin ekonomik të vendit pavarësisht krizës ekonomike dhe vështirësive ekonomike që ajo ka sjellë, proceset e reformave në vend, procesin e suksesshëm zgjedhor të 28 qershorit, i cili arriti shumicë e standardeve ndërkombëtare dhe situatën e krijuar nga Partia Socialiste pas humbjes në zgjedhje.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha u ndal në ofertat që mazhoranca ka bërë me qëllim arritjen e kompromisit politik, por që kanë ndeshur në refuzim të paarsyeshëm nga opozita.
Zoti Lopez-Isturiz e falënderoi Kryeministrin për ekspozenë dhe theksoi se miratimi i rezolutës nga Parlamenti Evropian ishte një shenjë e qartë mbështetje për përpjekjet që Shqipëria ka bërë në procesin e integrimit evropian dhe mbështetjen që PPE i jep qeverisë së drejtuar nga zoti Berisha. Ai mbështeti fokusin e qeverisë në procesin e reformave dhe zgjidhjen e problematikave.
10/07/2010