Kryeministri Berisha ka zhvilluar sot në mesditë edhe një takim me banorë të Pogradecit. Duke shprehur besimin për fitoren e 18 shkurtit, për ndryshimin e Pogradecit, për më shumë siguri e m
Kryeministri Berisha ka zhvilluar sot në mesditë edhe një takim me banorë të Pogradecit. Duke shprehur besimin për fitoren e 18 shkurtit, për ndryshimin e Pogradecit, për më shumë siguri e mirëqenie, Kryeministri theksoi:
"Dëshiroj t'ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe t'ju uroj gëzuar fitoren e 18 shkurtit. Dua t'ju siguroj se fitorja e 18 shkurtit, vendosja në shtëpinë e parë tuajën të një djali të shkëlqyer të traditës, kulturës dhe shpirtit tuaj, zotit Shpëtim Guxholli shënon një kapitull të ri për mbarë qytetarët e këtij qyteti të bekuar e të mrekullueshëm.
Unë zotohem para jush se me zotin Guxholli do të inagurojmë unazën e qytetit, do të inagurojmë përfundimin e sistemit të kanalizimeve nga Lini në Tushemisht në mënyrë që liqeni të ruajë pastërtinë. Ju siguroj se do të zbatojmë projektin e madh të Pogradecit turistik, të Pogradecit të kulturës e të shërbimeve më të mira për qytetarët e tij.
Më 18 shkurt, në kutitë e votimit përballen sy sisteme, përballen dy morale, dy vizione, përballen morali i duarve të pastra, që do të thotë që taksat tuaja, paratë që ju paguani, buxheti juaj i dytë të shndërrohet në një mirësi për secilin prej jush, të shndërrohet në rritje rrogash e pensionesh, në asfaltim të rrugëve të Pogradecit dhe gjelbërimin e tyre, në shkolla moderne për fëmijët tuaj, në paga për mësuesit, infermierët e punonjësit e Pogradecit, në ulje taksash, në ndryshim për Pogradecin. Përballë saj është kleptokracia, është platforma me moralin ‘vidh e puno'. Nëse vini në Tiranë, në qendër të kryeqytetit, mbrapa hotel Tiranës, ngrihet mbi rrugën publike pallati 13 kate i Edvin Ramës. Ndërsa në Pogradec shikoni shkollën e kandidatit të majtë. Të ndalohet që të kesh veprimtari private, për të cilën mund të shfrytëzosh detyrën tënde, për të vjedhur fondet e shkollave publike e për t'i hedhur ato në shkollën tënde private. Ky është morali i Edvin Ramës. Ligji nuk e lejon zyrtarin që të ketë biznese. Ligji e detyron atë që edhe familjarët e tij të mos jenë në konflikt interesi. Shoku Artan Shkëmbi më 18 shkurt qytetarët e Pogradecit firmosin largimin tënd nga detyra. Në emër të këtyre qytetarëve, unë të garantoj se do të përballesh me ligjin, sepse nuk e kemi karrigen për të ushqyer bizneset tona, por për të ushqyer bizneset e biznesmenëve, për t'i shërbyer qytetarëve e jo për t'u pasuruar ne, sepse në të kundërt pushtetin e merr korrupsioni.
Qytetarë të Pogradecit,
Çdo votë për Shpëtim Guxhollin është votë për veten tuaj, për shkollat e fëmijëve tuaj, për rrogat e mësuesve tuaj, për pensionet e prindërve tuaj, për infrastrukturën e këtij qytet, është votë për rendin e sigurinë, votë për legalizimin e të gjithë të ardhurve, për turizmin në Pogradec, votë për misionin tuaj të shkëlqyer.
Dje ishte Shën Valentini. Sot jemi të bashkuar në këtë shesh, por sot është ‘shën vetmia'. Le t'i dërgojmë një urim Edvin Rramës në ditën e vetmisë së madhe, sepse ‘don vetmia' apo don Edvini nuk do njeri, por edhe nuk e do njeri. Unë dua t'ju siguroj se po i duken sekondat ditë, e minutat muaj, sepse është futur në një proces tmerri për shkak të humbjes.
Ndaj dhe ne të votojmë më 18 shkurt si qytetarë të lirë, në lartësinë e vlerësimit të votës. Më 18 shkurt fiton Pogradeci, fiton Shpëtim Guxholli, fiton Shqipëria."