E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha u ndal në një takim me banorë të qytetit të Fierit. Duke përshëndetur qytetarët, Kryeministri Berisha u shprehu atyre urimet për këtë ditë që simbol

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha u ndal në një takim me banorë të qytetit të Fierit. Duke përshëndetur qytetarët, Kryeministri Berisha u shprehu atyre urimet për këtë ditë që simbolizon dashurinë, ndërsa theksoi se vota e 18 shkurtit do të jetë votë e fitores dhe e ndryshimit të madh për këtë qytet, për më shumë paqe, zhvillim dhe integrim. Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri theksoi:

"Gëzuar fitoren e 18 shkurtit, fitoren e çdo qytetari të këtij qyteti të madh dhe të fuqishëm. Sot, është 14 shkurti, ditë në të cilën njeriu nderon dashurinë, si forca më fisnike, më magjike, e njeriut për veten, për bashkëshorten, për të dashurit, për prindërit, për miqtë dhe për gjithë Shqipërinë.

Në 18 shkurt, ju, me votën tuaj, firmosni ndryshimin e madh në këtë qytet, firmosni që të vazhdojmë së bashku dhe unë jam këtu për t'ju premtuar se, të vazhdojmë së bashku do të thotë më shumë paqe, më shumë siguri për çdo qytetar të Fierit, për fëmijët tuaj, për rrugët, rrugicat, sheshet e qyteteve tuaja. Tolerancë zero do të jetë qëndrimi ynë ndaj krimit, jeta dhe siguria juaj dhe e fëmijëve tuaj është qëllimi ynë më madhor.

Të vazhdojmë së bashku, sepse ne, më të çmuar dhe më të shtrenjtë se çdo gjë, kemi fëmijët tanë. Ju jap fjalën se, këto katër vjet, do të dyfishojmë investimet për fëmijët tanë, në mënyrë që ata të shkollohen në shkolla moderne, që ata të mësohen nga mësues të motivuar në punën e tyre. Ndaj dhe ne rritëm rrogat e tyre me 23 përqind dhe ju jap fjalën mësuesve të Fierit se, gjatë këtij mandati, rrogat do të dyfishohen dhe se këtë vit do të rriten 20 përqind.

Këtë vit ne hapëm dyert e universiteteve për fëmijët tanë dhe ju jap fjalën se Universiteti i Myzeqesë do të jetë një nga universitetet më të rëndësishme të vendit. Me degët e tij në Fier, Berat, Lushnje do të jetë një nga universitetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Sikundër dua t'ju premtoj qytetarëve të këtij rrethi se, kudo që ata të ndodhen, ne do të punojmë që të ndërtojmë konvikte moderne, në mënyrë që fëmijët e tyre që mbarojnë shkollën 9 vjeçare të kenë mundësi të ndjekin shkollën e mesme dhe çdo fëmijë që ndjek shkollën e mesme të ndjekë dhe universitetin. Kjo është motoja jonë. Ja pse ne, në 4 vjet do të dyfishojmë investimet për fëmijët tanë.

Të vazhdojmë së bashku se, në rast se ne do të përqëndrohemi kaq shumë te fëmijet, kurrë nuk do të harrojmë dhe pensionistët tanë. Dhe ua faktuam këtë. Këtë vit, të dashur pensionistë, në fondin e pensioneve tuaja ne kemi vendosur 94 milionë euro, kemi bërë rritjen më të madhe të 15 viteve të fundit, duke vendosur pensionin minimal në qytet 100 mijë lekë dhe pensionin minimal të fshat 50 mijë. Unë sërish zotohem në këtë shesh, para tyre, se do të kemi prioritet të madh rritjen e mëtejshme të pensioneve të tyre.

Të vazhdojmë së bashku, sepse Fieri është një qendër e fuqishme biznesi dhe industrie. U kam premtuar para 3 korrikut biznesmenëve të Fierit se do të përgjysmonim taksat e biznesit të vogël dhe ne e kemi bërë këtë. Kemi ulur 32 përqind sigurimet shoqërore, kemi ulurt 33 përqind çmimin e energjisë për biznesin. Të gjithë këto vetëm dhe vetëm që biznesmenët e Fierit të mund të zgjerojnë bizneset e tyre, në mënyrë që të punësojnë sa më shumë qytetarë.

Të vazhdojmë së bashku, sepse ne jemi të vendosur të mbrojmë paratë tuaja. Në këtë shesh dhe në çdo shesh tjetër, ne kemi premtuar se do të mbrojmë paratë tuaja. Vij sot këtu tek ju për t'ju raportuar se në vitin 2006, ne shpëtuam nga kthetrat e qeveritarëve të babëzitur dhe të korruptuar, nga kthetrat e kontrabandistëve dhe evazionit fiscal, 600 milionë euro. Ju jap fjalën se shumë më tëpër do të shpëtohen gjatë këtij viti dhe vitit që vjen. Ne duam duar të pastra sepse, pikërisht lufta kundër korrupsionit ishte ajo që na bëri të mundur të rrisnim pensionet, të rrisnim rrogat, bëri të mundur të prokurojmë 2 muajt e fundit të vitit që shkoi dhe në 2 muajt e parë të këtij viti, rrugë, ura, autostrada, më shumë se në 50 vite të marra së bashku.

Sot, në Panaja, ne inaguruam fillimin e punimeve të autostradës Fier - Vlorë me 4 korsi. Ju jap fjalën se, në mesin e këtij viti do të nisin punimet për by-pass-in e Fierit, fiancancimi i të cilit është siguruar totalisht. Me kryetarin e ardhshëm të Bashkisë, Ferdinand Muratin, do të presim shiritin e tij.

Ju ftoj së vazhdojmë së bashku, sepse, në këtë shesh, kemi premtuar që do të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe ia dolëm që në 12 qershor ta nënshkruajmë atë. Po ashtu, kemi marrë mesazhin e shkëlqyer nga NATO-ja.

Unë ju ftoj të votoni për Ferdinand Muratin dhe ju jap fjalën se do të shndërroj në realitet çdo projekt të tij, për rrugët e qytetit, për furnizimin me ujë dhe kanalizimet e tij, për Gjanicën dhe fushën e sportit, për qëndrën kulturore dhe qendrën e biznesit. Ne na duhen duart e pastra, sepse shoku Baftjar nuk del ne debat me Ferdinandin. Unë dua t'i them shokut Baftiar se njeriu, çfarëdo që të jetë, nëse ka frikë nga kundërshtari ka frikë nga vetja e tij. Shoku Baftjar, frika jote nga vetja jote na tremb edhe ne ndaj teje, sepse paratë e qytetarëve duhet të dalin në rrezen e diellit, duhet të përdoren për qytetarët dhe jo të përfundojnë në xhepat e klaneve të tua.

Në qershor nis projekti i madh i 6 mijë kilometrave rrugë rurale dhe rrugë dytësore të qyteteve tona. Unë ju garantoj se Lushnja, Fieri, Korça, do të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij projekti. Ndaj ftoj kryetarët e komunave të bëjnë të gjithë projektet për rrugët e rrugicat e tyre, në mënyrë që ne t'i asfaltojmë ato, ndërsa bashkia të përballojë gjelbërimin e tyre.

Këtë 4- vjeçar, për rrugë, ura dhe autostrada të Shqipërisë, do të investohen 1.4 miliardë euro dhe dua t'ju garantoj se investimet që parashikohen në Fier do të jenë nga më gjigandet në Ballkan. Fieri do të ketë miliarda dollarë investime në parkun e tij industrial, që do ta inagurojmë bashkë me zotin Ferdinand Murati.

Para 3 ditësh, një gjimnazist i Fierit më dërgoi një mesazh në celularin tim, duke më bërë një pyetje: A do ta mbash fjalën për të sjellë internetin në shtëpitë tona? I them sot publikisht, po, do ta mbajmë fjalën dhe ju do të keni internet në shtëpitë tuaja. Ndaj, le ta shdërrojmë 18 shkurtin në festën e gjithsecilit, të votojmë si qytetarë të lirë. Përballë është koalicioni i ciflitur. Dua ta pyes sërish shokun Baftjar; kolegu yt në Patos është kandidat vetëm i Ramës së madh dhe i Ramës së vogël, sepse parlamentarët e PS-së mbështesin ate tjetrin. Po ty kush të mbështet? Thuaja mirë këtë socialistëve të Fierit, sepse Rama e thërrmoi PS-në dhe jam i bindur se pas këtyre zgjedhjeve, pasi të bëhet kurban i zgjedhjeve, do të dalë në profesion të lirë si piktor i dështuar i Shqipërisë. Sërish, mazhoranca dhe opozita do ta çojnë Shqipërinë me shpejtësi drej Europës".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›