E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha kërkon që KRRTRSH të mbetet edhe në ligjin e ri të urbanistikës

Kryeministri Berisha kërkoi sot në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH) që ky institucion të mbetet dhe me ligjin e ri të urbanistikës për shkak të transparencës që krijojnë mbledhjet e KRRTRSH-së.

“Për shkak të transparencës që mbledhja e KRRTRSH-së ka mundësi të krijojë, ky institucion do të mbetet edhe në ligjin e ri të urbanistikës. Ligji i ri i urbanistikës parashikonte një formë tjetër, në vend të KRRTRSH-së këto atribute ia jepte Këshillit të Ministrave. Mirëpo Kushtetuta e Shqipërisë është taksative në detyrimin e mbledhjeve të mbyllura të qeverisë. Por, të diskutohen çështje të territorit pa praninë e grupeve të interesit, pa praninë e shoqatave dhe aktorëve të tjerë, ky proces dëmtohet dhe në vend që të rritej transparenca, shkohej në kah të kundërt”, u shpreh Kryeministri.

Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi se ka kërkuar nga Ministri i Punëve Publike që KRRTRSH-ja të mbetej siç është aktualisht dhe është kërkuar që të pranishëm në këto mbledhje të jenë edhe përfaqësues të shoqatave të qeveritarëve vendor, shoqatave të bashkive, komunave dhe shoqatave të qarqeve. 

“Kjo e rrit transparencën e këtij forumi, të cilin mendoj që duhet ta mbajmë kështu siç është aktualisht", u shpreh Kryeministri Berisha


13/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›