Kryeministri Berisha pret Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Italisë, Prefektin Antonio Manganelli
- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane, z. Antonio Manganelli e njohu Kryeministrin Berisha me vendimin e palës italiane që zyra ndërlidhëse e policisë italiane në Tiranë, të transformohej në zyrën kryesore të të gjitha zyrave të rajonit të Ballkanit.
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Italisë, Prefektin Antonio Manganelli. Z. Manganelli shoqërohej nga ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Saba D’Elia dhe stafi i tij.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shpreh se sot është një ditë historike për Policinë e Shtetit, pasi ajo feston 96 vjetorin e krijimit të saj. Kryeministri theksoi se vizita e delegacionit italian në këtë ditë festive për policinë e shtetit tregon më së miri nivelin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy institucioneve, për të mirën e vendit. Të dy palët ndanë të njëjtin vlerësim se bashkëpunimi mes dy vendeve është absolutisht i shkëlqyer.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Italisë, duke shprehur konsideratat më të larta për policinë shqiptare, e falënderoi atë për nivelin e lartë të bashkëpunimit. Z. Manganelli tha se vlerësonte në maksimum ndihmën që jepte policia shqiptare asaj italiane në goditjen e kriminalitetit dhe krimit të organizuar. Ai theksoi se marrëdhëniet midis dy institucioneve të policisë nuk janë vetëm marrëdhënie pune, por edhe marrëdhënie të ndihmës reciproke dhe karakterizohen nga ndjenja miqësie. Drejtori Manganelli, theksoi se ndërsa ai takohej me zyrtarë të lartë, grupi i ekspertëve që e shoqëronte atë, po punonin me palën shqiptare për koordinimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës, dhe mafies.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane, z. Antonio Manganelli, njoftoi Kryeministrin Berisha se pala italiane kishte marrë vendimin që zyra ndërlidhëse e policisë italiane në Tiranë, të transformohej në zyrën kryesore të të gjitha zyrave të rajonit të Ballkanit. Ai tha se Tirana dhe Bukureshti do të jenë në të ardhmen pikat e referencës për policinë italiane në rajonin e Evropës Juglindore.
Po ashtu, Drejtori Manganelli njoftoi Kryeministrin Berisha se pala italiane po punonte me partnerët e tjerë europianë për ngritjen e një grupi pune me oficerët e kontaktit të këtyre vendeve në Shqipëri, duke theksuar se bashkëpunimi midis dy policive tona duhet të kthehet në model referimi për vendet e tjera. Sipas tij, ky proces bashkëpunimi dhe koordinimi do të udhëheqë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.
Nga ana e tij, Kryeministri shprehu kënaqësinë dhe falënderoi mikun italian që vendi i tij kishte zgjedhur Shqipërinë si pikën kryesore nga ku do të drejtonte aktivitetin e saj, në bashkëpunim me policinë shqiptare, në luftën kundër kriminalitetit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se ky vendim është i një rëndësie të jashtëzakonshme për luftën ndaj krimit përtej kufijve. Kryeministri tha se jemi absolutisht të hapur për bashkëpunim, ndërsa renditi arritjet e policisë shqiptare në goditjen e qindra grupeve kriminale.
Kryeministri Berisha i kërkoi bashkëbiseduesit mbështetje për sa i përket programit të mbrojtjes së dëshmitarëve, kërkesë e cila u mirëprit nga bashkëbiseduesit. Ata ranë gjithashtu dakord që të krijohen ekipe të përbashkëta hetuese për të përballuar fenomenet kriminale.
13/01/2009