E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha mbush 65 vjeç

16/10/2009  Kreu i qeverisë festoi ditëlindjen me stafin dhe kabinetin qeveritar

Ministrat dhuratë një pjatë argjendi, ku shkruhej: “Një burrë kurajoz bën shumicën”

Kryeministri Sali Berisha ka mbushur dje plot 65 vjet. Ndryshe nga ditët e tjera, në ambientet e selisë së Kryeministrisë më shumë janë futur korrierë me buqeta lulesh, se ata që përcillnin shkresa zyrtare apo korrespondencë shtetërore. Burimet thanë se zyra e kryeministrit ishte mbushur plot me tufa lulesh, të cilat i ishin dërguar nga punonjës të aparatit dhe nga miq të tij. Rreth orës 10 të paradites, kryeministri ftoi në një koktej të gjithë këshilltarët e tij për të festuar një ndër ditët më të rëndësishme të jetës së tij. Burimet thanë se, megjithëse ishte një ditë feste personale për kryeministrin, dhe në të tilla raste mund të bëhet ndonjë tolerancë e vogël, puna në godinën e Kryeministrisë ka rrjedhur normalisht, për të mos thënë se ngarkesa ishte më e madhe. Më pas në zyrën e kreut të qeverisë shqiptare kanë mbërritur një grup nxënësish, që shoqëroheshin nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj. Ata i kanë uruar kryeministrit ditëlindjen dhe, si për të respektuar traditën, i kanë dhuruar tufa me lule.

Pavarësisht festës, kryeministri Berisha nuk ka bërë pushim, ndoshta ngaqë nuk kishte kujt t’i merrte leje. Rreth drekës ai ka marrë pjesë në një aktivitet të organizuar në kuadër të Javës Europiane të Demokracisë Lokale, ku të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të bashkive, komunave, rretheve, qarqeve dhe shoqatave të qeveritarëve vendorë etj. Çastet e vetme kur shefi i ekzekutivit ka mundur të festojë kanë qenë ato të mbrëmjes. Së bashku me familjarët dhe miqtë e ngushtë ai ka festuar 65-vjetorin e lindjes.

Festa me ministrat

Kryeministri Berisha ka thirrur të gjithë anëtarët e kabinetit të tij qeveritar për të festuar përvjetorin e tij të lindjes. Në një koktej simbolik kreu i qeverisë ka marrë urimet nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, ish-rivali i tij politik, tashmë aleat, Ilir Meta, kryetari i Partisë Republikane, ministri i Mjedisit Fatmir Mediu si dhe gjithë ministrat e tjerë, pjesë të Partisë së tij Demokratike. Dhurata që kryeministri Berisha mori prej tyre në këtë përvjetor ishte një pjatë argjendi, në të cilën shkruhej në anglisht: “One man with courage makes a majority”, që në shqip përkthehet: “Një burrë kurajoz bën shumicën”. Gjatë këtij takimi miqësor mësohet se shefi i ekzekutivit ka falënderuar të gjithë anëtarët e qeverisë për urimet që i përcollën. Ai i ka falënderuar ata për punën e bërë prej tyre gjatë këtyre viteve në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, si dhe për përkushtimin që kanë treguar në ndërmarrjen e reformave të domosdoshme, të cilat e kanë afruar vendin me Bashkimin Europian, aspirata e të gjithë shqiptarëve. Por gjatë këtij takimi jozyrtar kryeministri Berisha ka shkëmbyer batuta të ndryshme me ministrat e qeverisë që drejton. Megjithatë, nuk dihet nëse gjatë ditës së djeshme kreu i qeverisë ka marrë edhe urime me rastin e festës së ditëlindjes nga kundërshtari i tij kryesor politik, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama. Por vetë Berisha pak muaj më parë nuk ka harruar të urojë Ramën me rastin e ditëlindjes. Më 4 korrik, pak ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve, kryesocialisti mbushi plot 45 vjet. Berisha, i sigurt në fitoren e përballjes elektorale, uroi publikisht Ramën duke i hedhur një batutë. “Edi Ramës i uroj gëzuar ditëlindjen! Uroj që vitet që vijnë t’i sjellin më shumë rini!”, - tha kryeministri Berisha. Ky urim pa dyshim nuk i shkoi shumë për mirë Ramës, pasi çdo minutë që kalonte e bënte më të sigurt fitoren e PD-së në zgjedhje.

Dhurata për Berishën në Parlament

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli uron kryeministrin

Një dhuratë për kreun e qeverisë e ka bërë edhe Kryetarja e Kuvendit në seancën plenare të pasdites së djeshme. Pasi kryeministri kishte zënë vend në sallën e seancave, atij i mbërriti një shportë e madhe me lule, dhuratë nga ana e kryeparlamentares Topalli. Në fakt, numri një i Kuvendit të Shqipërisë është treguar gjithnjë e kujdesshme në raste të tilla. Gjatë legjislaturës së kaluar ajo bëri të njëjtin gjest me rastin e ditëlindjes së nënkryetarit të Kuvendit, zotit Ylli Bufi. Po gjatë seancës plenare një ndër punonjëset e Kuvendit i dërgoi nënkryetarit të atëhershëm të Kuvendit, deputetit të Partisë Socialiste, një tufë me lule, që mbante një dedikim nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

Mësohet se kryeministri Berisha ka marrë mesazhe urimi nga shumë deputetë të tjerë të Partisë Demokratike. Në telefonin e tij celular kanë mbërritur mesazhe të shumta urimi me rastin e 65-vjetorit të lindjes. Kjo festë e ka gjetur kryeministrin Berisha në një pikë shumë të rëndësishme të karrierës së tij politike. Ai tashmë drejton qeverinë shqiptare në të dytin mandat qeverisës dhe pritet të jetë një ndër kryeministrat më jetëgjatë në detyrë.

Festa me familjarë dhe miq

Në mbrëmje festë me njerëzit më të afërt

Shefi i ekzekutivit ka mundur të festojë ditëlindjen e tij vetëm në darkë. Megjithëse gjatë paradites ai organizoi dy kokteje, njërin me këshilltarët e tij dhe tjetrin me anëtarët e kabinetit qeveritar, festa e vërtetë, edhe ajo jo shumë e bujshme, u zhvillua në darkë. Kështu, çastet e vetme kur shefi i ekzekutivit ka mundur të festojë kanë qenë ato të mbrëmjes. Së bashku me familjarët e tij dhe me miqtë më të ngushtë ai ka festuar 65-vjetorin e lindjes. Sigurisht që ka marrë dhurata, por ato kanë mbetur vetëm personale. Mësohet se festa nuk ka qenë shumë e gjatë, pasi dhe angazhimet e tij nuk i dhanë mundësi të kishte më shumë kohë në dispozicion. Kryeministri Berisha gjithë pasditen e deri në mbrëmje ka marrë pjesë në seancën parlamentare. Duke vazhduar traditën e tij të pjesëmarrjes aktive në seanca plenare, shefi i ekzekutivit është treguar shumë i angazhuar në debatet parlamentare. Festa e djeshme për kryeministrin Berisha është zhvilluar nën shenjën e angazhimit në punë, sa në Kryeministri në takime të ndryshme, për ta mbyllur në seancën parlamentare. Kështu, festa për 65-vjetorin me familjarët dhe miqtë e ngushtë u zhvillua në darkë, bashkë me familjarët dhe miqtë e ngushtë.

Takimi

Shqipëria dhe Kroacia marrëdhënie të shkëlqyera

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka pritur në një takim të veçantë ambasadorin e Republikës së Kroacisë në Tiranë, Darko Javorski. Gjatë këtij takimi të dyja palët ndanё mendimin e pёrbashkёt pёr nivelin e shkёlqyer tё marrёdhënieve midis dy vendeve. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë MPJ-së, ministri Meta vlerёsoi bashkёpunimin e shkёlqyer me palёn kroate nё planin dypalёsh nё kuadёr tё rajonit dhe tё nismave rajonale, nё kuadёr tё NATO-s dhe BE-së, duke u ndalur nё mёnyrё tё veçantё nё shkёmbimin e eksperiencës pёr çёshtjet e integrimit evropian. Bashkёbiseduesit ndanё gjithashtu mendimin e pёrbashkёt se ekzistojnё tё gjitha mundёsitё pёr zhvillimin e mёtejshёm tё bashkёpunimit nё fushёn ekonomike, shkёmbimeve tregtare dhe biznesit, duke u ndalur konkretisht nё disa fusha me interes tё ndёrsjellё, si energjia, infrastruktura, marina etj. Sё bashku me urimet e ministrit tё Jashtёm tё Kroacisё, ambasadori Javorski i pёrcolli zotit Meta ftesёn pёr tё vizituar Kroacinё, i cili shprehu interesin për ta realizuar këtë vizitë gjatë vitit të ardhshëm.

Pushteti vendor

Qeveria do t’u përgjigjet të gjitha nevojave

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në pritjen e organizuar në kuadër të Javës Europiane të Demokracisë Lokale se qeveria do të vazhdojë të thellojë e konsolidojë më tej procesin e decentralizimit në interesin më të mirë të një qeverisjeje efiçente për qytetarët shqiptarë. Duke iu referuar disa lëvizjeve fiskale të bëra nga qeveria, të cilat mund të kenë prekur qeveritë vendore, kryeministri siguroi se qeveria do t’u përgjigjet. “Secili prej jush do të llogarisë sa është humbja që keni pësuar nga kjo lëvizje e qeverisë qendrore dhe unë ju garantoj se qeveria do t’ju përgjigjet qindarkë për qindarkë me buxhetin tuaj”, - tha ai. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë tha se, në rast se ne deri më sot qeveria ka katërfishuar grantin për qeverisjet vendore, shumëfishime të tjera të tij do të bëhen. “Ne kemi vendosur të krijojmë Fondin e Zhvillimeve të Rajoneve. Qëllimi është që të ulim maksimalisht kompetencat e dikastereve qendrore dhe t’i kalojmë ato te ju”, - tha ai. Kryeministri Berisha u shpreh se në vitin 2010 përparësi absolute do të ketë ultësira bregdetare turistike. Çdo rrugë që zbret drejt detit do të asfaltohet brenda vitit 2010, të gjitha pa përjashtim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›