Kryeministri Berisha takon trupat tanë në Kandahar: Shqiptarët, krenarë me ju!
Kryeministri Berisha vizitoi bazën ushtarake ajrore të Kandaharit, ku u prit nga Komandanti i Njësisë Shqiptare, Nënkolonel Behar Mara dhe Zëvendëskomandanti i Komandës Rajonale Jugore Chriss Fields. Kryeministri mori vlerësimet më të larta për përformancën e shkëlqyer të ushtarakëve shqiptare dhe duke shfrytëzuar këtë vizitë, ata i ri shprehën Kryeministrit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetës së Kapiten Veti Voglit dhe vlerësimin më të madh për të si një oficer dhe mik i shkëlqyer.
Nga kjo bazë, Kryeministri Berisha iu drejtua bazës operacionale Spin Buldok në Kandahar, në të cilën ndodhen të dislokuar së bashku me njësitë amerikane edhe kontingjenti “Eagle 4”, i përbërë nga 44 ushtarakë të Forcave Speciale të Republikës së Shqipërisë. Pjesë e këtij kontingjenti ishte edhe Kapiteni Feti Vogli.
Nënkolonel Mara e informoi Kryeministrin për misionin dhe zbatimin me sukses të detyrave të rëndësishme që i janë ngarkuar njësisë së tyre gjatë kësaj periudhe, përfshi edhe operacionet anti elementeve talebanë. Në këtë kontekst, Nënkolonel Mara e informoi Kryeministrin edhe për incidetin e sulmit të pabesë të policit afgan, gjatë të cilit ra në krye të detyrës Kapiten Feti Vogli dhe u plagos Tetar Aleksandër Peci, si dhe u plagosën disa ushtarakë të SHBA-së.
Kryeministri Berisha i falenderoi ushtaraket shqiptarë të Forcave Speciale, por edhe kolegët e tyre amerikanë, për punën e shkëlqyer dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ata po japin për konsolidimin e sigurisë në këtë rajon jashtëzakonisht të rëndësishëm për misionin e Koalicionit, për të shkatërruar elementet talebanë e terroristë dhe konsolidimin e paqes e sigurisë në këtë vend mik.
Në vijim, në mjediset e bazës u zhvillua një ceremoni për nder të vizitës së Kryeministrit Berisha. Gjatë saj, Komandanti amerikan i bazës, Kolonel Johnson theksoi në fjalën e tij se ushtarakët shqiptare të Forcave Speciale “Eagle 4” që shërbejnë në Kandahar janë ndër ushtarakët më të mirë që ai ka njohur gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake, të përkushtuar, luajalë e të vendosur. Unë, - tha Kolonel Johnson - ia kam besuar dhe do t’ia besoja jetën time, në çdo moment, këtyre ushtarakëve të shkëlqyer.
Koloneli Johnson, duke prezantuar para ushtarakëve amerikanë Kryeministrin Berisha, theksoi se është një nder i jashtëzakonshëm të kemi sot, mes nesh, një figure kaq të spikatur, që prej njëzet vjetësh i është përkushtuar tërësisht, me vizion e vendosmëri, konsolidimit të lirisë dhe demokracisë në Shqipëri. Kjo vizite, tha ai, është një inspirim dhe një inkurajim i jashtëzakonshëm për të gjithë ushtarakët që shërbejnë në këtë bazë.
Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Berisha në këtë ceremoninë.
“Është një nder dhe privilegj për mua t’ju përshëndes dhe t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë për misionin tuaj të madh, por, gjithashtu, t’ju siguroj se nuk ka ditë, në të cilën zemra e mendja ime të mos jetë me ju, familjet tuaja, misionin tuaj fisnik, sukseset e vështirësitë tuaja. Ndaj erdha t’ju shpreh nderin e të gjithë kombit për misionin tuaj dhe t’ju siguroj se çdo shqiptar ndihet shumë krenar me ju.
Ju punoni sëbashku, luftoni sëbashku, ndani të njëjta kërcënime dhe të njëjtat qëllime, me anëtarët e ushtrisë më të shkëlqyer, asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ju punoni në një rajon shumë strategjik, për të siguruar qarkullimin e mallrave dhe lëvizjes drejt këtij vendi. Ju po punoni gjithashtu të ndihmoni komunitetin, për të kthyer faqen e të ndërtojë të ardhmen. Ju po punoni që t’i siguroni ata, nga armiqtë më të rrezikshëm e të egër të paqes jo vetëm të popullit afgan, por edhe të botës, që janë Al Qaeda dhe talebanët. Kauza për të cilën ju luftoni është tepër fisnike. Por, si shqiptarë, ju e kuptoni më mirë sa themelor dhe jetik është për këtë vend të ndërtojë të ardhmen e tij në liri. Afganistani është një vend me potenciale të mëdha, por edhe më i varfëri në botë, sepse ata nuk janë të lirë të ndërtojnë të ardhmen, nuk janë të lirë të shfrytëzojë potencialet tij, humane, natyrore e të të gjitha llojeve.
Dje, Gjenerali Allen më tha se nga 1 milion fëmijë që ndiqnin shkollën pak vite më parë, tani janë 8 milionë. Nuk ka rrugë tjetër për këtë vend, veçse dija, që të zhvillohet.
Në një nga këto misione, një nga vëllezërit tuaj, një mik i juaji, kapiten Feti Vogli humbi jetën e tij. Ai ishte atje sëbashku me ju të ndihmonte autoritetet civile, për të rindërtuar një shkollë për fëmijët e fshatit, në Rabat. Dikush e goditi atë nga mbrapa. Një armik i infiltruar në Policinë Afgane kreu këtë krim, por reagimi juaj ishte për t’u admiruar, ishte reagimi më kompetent nga pikëpamja ushtarake, më human dhe i qytetëruar. Ju e kaptë atë kriminel dhe e dorëzuat para drejtësisë. Në të njëjtën kohë, ju bëtë gjithçka për të shpëtuar jetën e dy shokëve tuaj, të cilët ishin dëmtuar seriozisht. Unë isha i sigurt, por njëkohësisht i lumtur, kur kolonel Mara më tha se ditën tjetër, ju vazhduat misionin tuaj dhe në të njëjtën kohë, edhe në emër të mikut tuaj të rënë.
Unë dua t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë Kolonelit Jonhson, Gjeneralit Fields, Kolonelit Johns për komandën e shkëlqyer që kanë treguar në këtë rajon, që është edhe më i nxehti, për mbështetjen e madhe që ju kanë dhënë dhe për fjalët e tyre të përzemërta për përformacën, trimërinë dhe angazhimin tuaj.
Më lejoni ta mbyll se ne do të qëndrojmë këtu, deri sa miqtë tanë do të jenë këtu. Ne po bëjmë përpjekje sëbashku me ushtrinë amerikane të ndihmojmë këtë vend. Ne do të bëjmë më të mirën tonë, për të dhënë edhe ndihmën tonë, modeste për qytetarët afganë në fushën e arsimit dhe në fusha të tjera. Edhe një herë ju falënderoj për misionin tuaj të madh dhe t’ju siguroj se jemi shumë krenarë për ju.”
15/04/2012