E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në 15 vjetorin e themelimit të Gazetës “55”

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në  ceremoninë e organizuar për 15 vjetorin e themelimit të Gazetës së përditshme “55”. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha,  ambasadori i SHBA në Tiranë Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE në Tiranë Ettore Sequi, Ambasadori i Prezencës së OSBE Eugen Volfarth si dhe shumë miq dhe të ftuar nga politika, arti, gazetaria etj. Kryeministri Berisha në përshëndetjen e tij uroi botuesin e gazetës “55” zotin Fahri Balliu, stafin dhe bashkëpunëtorët e tij për punën e madhe që ata kanë bërë në mbrojtje të fjalës së lirë në Shqipëri.

 Kryeministri theksoi se janë me mijëra ata që nderojnë sot gazetën “55”,  sepse ajo u bë zëdhënëse e mendimit të tyre. "Gazeta guxoi kur ata ndoshta dhe nuk guxonin. Gazeta shprehu mendimin e tyre kur ato dhe mund të mbeteshin të ndrydhura", u shpreh kryeministri. 

Ai e cilësoi Gazetën “55”, në 15 vite si një avokate të pamposhtur e interesit kombëtar të shqiptarëve. "Faqet e saj kanë qenë gjithnjë të hapura për zërin e shqiptarëve kudo që ata jetonin, në Shqipëri, në Kosovë, në diasporë, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe kudo.  Ata kishin në këtë gazetë një mik të çmuar për të përcjelle mesazhin e unitetit kombëtar, mesazhin e bashkimit kombëtar, mesazhin e idealit kombëtar.  Gazeta qëndroi e vendosur në vokacionin perëndimor të kombit shqiptar", theksoi kryeministri.

Gjatë fjalës së tij kryeministri u shpreh:

I nderuar President i Republikës, Bujar Nishani

E Nderuar Kryetare e Parlamentit, Jozefina Topalli

Zoti kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha

Zoti Ambasador i SHBA, Aleksandër Arvizu

Zoti Ambasador i BE, Ettore Sequi

I dashur zoti Fari Balliu

Të nderuar miq dhe të ftuar

Është një nder i madh për mua, të përshëndes sot shumë përzemërsisht drejtorin, krijuesin e  gazetës  “55” dhe të shtëpisë botuese “55”, në këtë ditë përvjetori të madh të gazetës, 15 vjetorin e krijimit të saj, që përbën një festë të madhe të vërtetë për gazetën, ekipin e saj , për shtypin shqiptar, për shoqërinë shqiptare.

Festa e gazetës është festë e fjalës së lirë, është nderim për fjalën e lirë, e cila përbën thelbin e të gjitha lirive të tjera, përbën faktikisht thelbin e dinjitetit të njeriut.

Gazeta “55” e ngritur në nderim të sakrificës mbinjerëzore që shqiptarët bënë në 45 vite për fjalën e lirë, e cila në Shqipëri si në asnjë vend tjetër në ligjet barbare të atij regjimi ishte  e dënuar me dënim kapital, e ngritur në mirënjohje të thellë ndaj tyre dhe në zotim solemn se kurrë më në këtë vend nuk do të mund të vendoset censura, ndonëse kjo në momentet më kritike për fjalën e lirë. Shkrimtari, publicisti, dramaturgu i talentuar Fahri Balliu konstatoi se, një kërcënim i madh i kanosej fjalës së lirë në Shqipëri dhe pas saj natyrisht  lirive të tjera.  Nëse ky kërcënim vinte direkt nga përpjekjet e fuqishme të një bote, në të cilën shqiptarët ishin ndarë, por që po bënte gjithçka për restaurim, Fahriu sot ka një numër të madh miqsh, por me mijëra të tjerë nderojnë sot gazetën “55”,  sepse ajo u bë zëdhënëse e mendimit të tyre. Gazeta guxoi kur ata ndoshta dhe nuk guxonin. Gazeta shprehu mendimin e tyre kur ato dhe mund të mbeteshin të ndrydhura.  Drejtori i saj qartësoi këtu se,  një nga drejtimet kryesore do të ishte anti komunizmi, për arsye se, rënia e perdes së hekurt dhe përmbysja e diktaturave komuniste u shoqërua me shpërndarjen në atmosferën e demokracive të reja të këtij pluhuri të kuq toksik, që synonte të merrte frymën e tyre.  Në qoftë se njerëzimi në një mënyrë ose në një tjetër u nda me sistemet e tjera barbare totalitare, e vërteta është se shoqëria e qytetëruar perëndimore dha kontribut të jashtëzakonshëm për përmbysjen e këtyre diktaturave, por nuk arriti kurrë të japë kontributin e duhur në  de-komunitizimin e shoqërive post diktatoriale. Në të kundërt ndodhi që në një formë apo në një tjetër, për një arsye apo për një tjetër ti bëjnë dhe një farë avokatie të heshtur, në raste të caktuara.

Në këto rrethanë gazeta “55”  feston sot 15 vjetorin para shqiptarëve dhe mbarë opinionit publik të vendeve ish komuniste, si kampione e vendosur e kësaj lufte, e kësaj beteje, për nxjerrjen  e të vërtetave historike të një regjimi,  të cilin Bernard Henri Leb do ta quante barbari me fytyrë njerëzore, në fakt edhe fytyrën se kishte njerëzore.  Gazeta “55”, në 15 vite është një avokate e pa mposhtur e interesit kombëtar të shqiptarëve. Faqet e saj kanë qenë gjithnjë të hapura për zërin e shqiptarëve kudo që ata jetonin, në Shqipëri, në Kosovë, në diasporë, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe kudo.  Ata kishin në këtë gazetë një mik të çmuar për të përcjelle mesazhin e unitetit kombëtar, mesazhin e bashkimit kombëtar, mesazhin e idealit kombëtar.  Gazeta qëndroi e vendosur në vokacionin perëndimor të kombit shqiptarë.  Që në themelimin e saj do të themelonte institutin De Gasperi, të këtij  italiani dhe europiani gjenial, që sëbashku me evropianë të tjerë të mëdhenj, themeloi Bashkimin Europian.  Gazeta do të ishte një gazetë, e cila me respektin e saj të palëkundur ndaj besimeve të ndryshme fetare do të bënte gjithçka për të mbështetur këtë thesar të çmuar shpirtëror të shqiptarëve, që është respekti ndaj besimit të njëri-tjetrit.

Nga gazeta lindi Shtëpia Botuese “55”,  shtëpia që ka botuar në shqip librat më të mëdhenj të shekullit që shkoi. Shtëpia, që ka pasuruar libraritë, bibliotekat e lexuesve shqiptarë, e të rinjve shqiptarë, e intelektualëve shqiptarë, e libërtarëve shqiptarë me kryeveprat botërore të letërsisë, të zhanreve të ndryshme.

Nga memoriet e Max Cleland   heroit të shekullit të XX, tek kryeveprat e Montefiores,” Stalini i Kuq”,   libri i cilësuar si libri i shekullit. Memorien e presidentit  George Bush, Tony Blair, heronj kombëtar këta të kombit shqiptar me vendimet e tyre historike,  në momente kritike për kombin.

Gazeta “55” dhe shtëpia botuese janë një pasuri e madhe në letrat, fjalën, shtypin shqiptar.  Fahri Balliu është autor i veprave më të arrira që në rininë e tij dhe në rast se ndalemi tek arkitekti dhe dramat, natyrisht ato shkëlqejnë si perla në letërsinë shqiptare, por do të thosha se “Zonja e Zezë”, e Fahri Balliut përbën një kryevepër jo vetëm për shqiptarët, por për të gjitha kombet që vuajtën aq shumë nga "zonja e zeza", nga Nexhmie Hoxha  tek Cian Cini, tek  Elena Çaushesku dhe tek zonja të tjera të zeza, që u bënë gjëmën kombeve të tyre në kohën e sundimit të burrave të tyre mizor. Ndaj dhe në këtë 15 vjetor le të falenderojmë me mirënjohje të madhe Fahri Balliun dhe të shpreh kënaqësinë time të madhe për realizimet e tij.

Duhet ta mbyll këtë fjalë me një adresim miqësor ndaj tij: - guximi i dashur  Fahri është nëna, është burimi i të gjitha sukseseve. Të kam njohur në vitet e diktaturës së thellë, të kam njohur një mik të guximshëm, gjithmonë ke guxuar dhe gjithmonë guximi yt të ka sjellë suksese gjithnjë e më të mëdha dhe unë jam i bindur se, suksese të tjera të presin.

Faleminderit shumë për të gjithë kontributin tënd.”


07/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›