Kryeministri Berisha merr pjesë në Konferencën Rajonale të Uniqa Group Austria

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në Konferencën Rajonale të Uniqa Group Austria. Në këtë konferencë të organizuar nga Sigal Uniqa Group Austria, merrnin pjesë Konstantin Klien CEO i Uniqa Group Austria, Jeffrey Griffin, kryetar i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërrmarrjeve, si dhe kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Sigal Holding, Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i Sigal Uniqa Group Austria, si dhe përfaqësues të shoqërive të sigurimeve në rajon dhe ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik.
Kryeministri Berisha në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi drejtuesit e Uniqa Group Austria për aktivitetin e suksesshëm që zhvillojnë në Shqipëri, duke vlerësuar se në këtë vit të krizës botërore, tregu i sigurimeve njohu rritje.
“Së pari, dua t’ju përshëndes që zgjodhët Shqipërinë për zhvillimin e kësaj konference rajonale, si një besim të madhe për vendin tim dhe unë e konsideroj një privilegj të madh. Ju zgjodhët Shqipërinë, sepse Shqipëria është shndërruar në një histori suksesi. Që kur nisët aktivitetin tuaj dhe deri më tani, ju udhëhiqni tregun sigurimeve në vend. Tregu i sigurimeve, pikë së pari, është besim dhe asgjë nuk është më i çmuar, sesa besimi. Rritja e aktivitetit e këtij tregu është një nga treguesit më sinjifikativë në tregun e përgjithshëm. Ne kemi qenë të lumtur ta konstatojmë këtë, këtë vit, viti më i vështirë për ekonomitë më të mëdha në Europë dhe në botë. Tregu i sigurimeve u rrit me 26 përqind dhe unë mendoj se kjo është rritja më e madhe, por që gjithsesi është ende larg nivelit të Bashkimit Europian. Por dinamika e rritjes është vërtet premtuese”.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh para të pranishmëve se Qeveria Shqiptare do marrë të gjitha masat në përmirësimin e legjislacionit, në funksion të tregut të sigurimeve. “Unë dua t’ju siguroj se qeveria do të vazhdojë të mbështesë tregun e sigurimeve. Ne po përmirësojmë legjislacionin. Ne po hapim hapësira të reja, jemi gjithnjë e më shumë për sigurimin e jetës në disa sektorë ku risku është i lartë si sektori i ndërtimit, transporti, minierat. Ne po punojmë për gjetur stimuj fiskalë për ata, të cilët sigurojnë jetën apo për pensionin e tyre. Fondi privat i pensioneve, në të ardhmen e afërme, do të jetë një nga aktivitetet më të rëndësishme të kompanive në tregun e sigurimeve. Brenda një kohë të shkurtër, një progres real është bërë në përmirësimin e legjislacionit, por mbetet ende për të bërë”.
Kryeministri Berisha në fjalën e tij, gjithashtu inkurajoi kompanitë që operojnë në tregun e sigurimeve në Shqipëri, që të kthehen në investitorë të fuqishëm në fusha të ndryshme, duke i siguruar se përmirësimi i klimës së biznesit në Shqipëri është një përparësi e qeverisë.
“Aktiviteti i kompanive të sigurimit duhet të penetrojë në të gjitha fushat dhe veçanërisht në ato ku risku është i lartë. Në këtë aspekt, ne do të inkurajojmë biznesin dhe për ata që do të sigurohen, shpenzimet që ata do të bëjnë do të njihen nga sistemi ynë fiskal. Unë kam besim se UNICA dhe e kompanive të tjera të sigurimit në Shqipëri do të kthehen në investitorë të rëndësishëm në fusha të ndryshme në vend. Ne po punojmë fort për të përmirësuar edhe më shumë klimën e biznesit në Shqipëri. Ju e dini se investitorët e huaj po veprojnë me shumë sukses, në fushat më të rëndësishme në vend”.
23/10/2009