E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr mesazh urimi nga Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico, me rastin e rizgjedhjes së tij në këtë detyrë

Kryeministri Berisha ka marrë një mesazh urimi nga Kryeministri i Republikës së Sllovakisë, z. Robert Fico, me rastin e riemërimit të tij në postin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë.

Në këtë mesazh, Kryeministri sllovak Fico shkruan:

“Më lejoni t’Ju dërgoj urimet e mia të përzemërta për riemërimin Tuaj në postin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Republika e Sllovakisë gjithmonë ka mbështetur  përpjekjet e Shqipërisë për një pozitë të qëndrueshme në bashkësi vlerash euroatlantike. Me kënaqësi dua të konstatoj, që vendimi i NATO-s për të pranuar Shqipërinë në radhët e Aleancës u bë edhe me kontributin e Republikës së Sllovakisë.

Më lejoni të përfitoj nga ky rast që të inkurajoj personalisht Ju dhe kabinetin Tuaj qeveritar në ruajtjen e dinamizmit të drejtimit të vendit drejt reformave, të cilat janë parakusht për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jam thellësisht i bindur që të gjitha përpjekjet tuaja dhe përvoja e politikanit dhe zyrtarit të shtetit në këtë periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme në miratimin e vendimit historik, fokusohen në përmbushjen e objektivave të synuar – në forcimin e stabilitetit politik dhe të sundimit të ligjit, në sigurimin e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së shtetasve të vendit Tuaj.

Mund t’Ju siguroj, z. Kryeministër, që Republika e Sllovakisë ka interes të sinqertë për zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve me Republikën e Shqipërisë, në nivelin dypalësh dhe gjithashtu ndërkombëtar, përfshirë edhe bashkëpunimin e ngushtë në çështjet e integrimit evropian.

Ju uroj shumë suksese në punën Tuaj dhe në jetën personale.”   


23/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›