E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha mori pjesë sot në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë me temë "Monetary&Financial Stability (Lessons from the crisis)". Në këtë takim merrnin pjesë edhe ministri i Financave Ritvan Bode, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, si dhe guvernatorët dhe zv/guvernatorët e bankave të Kosovës, Bosnjë&Hercegovinës, Malit të Zi, Republikës së Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Sali Berisha u shpreh:

Zoti guvernator, zoti ministër, zotërinj ambasadorë, të nderuar guvernatorë, miq të ftuar.

Së pari ju përshëndes, shpreh kënaqësinë time të nis ditën e parë të mandatit tim të dytë me një takim, me një konferencë të bankierëve të rajonit. Dua të shpreh edhe nderimin tim të madh sepse kjo ka qenë një periudhë shumë e vështirë për bankat. Në të vërtetë, kriza më shumë se çdo gjë tjetër, ishte një krizë e moralit njerëzor, i cili në sektorin bankar apo postbankar, krijoi me defektet e tij, një cunami të vërtetë. Por ajo që ishte jashtëzakonisht e gabuar, ishte diabolizimi i bankave nga qarqe të shumta, në një kohë kur janë bankat, çelësi i vërtetë i daljes nga kjo krizë. Sot, recensioni intensiv po kalon, po rikthehet besimi në sistemin bankar, ekonomia reale dëshmoi se ishte shumë më e fuqishme nga sa u mendua në kulmin e krizës, apo disa muaj më parë.

Shqipëria është një vend i vogël, por vend me një ekonomi të hapur. Una dua t’u shpreh nderimin më të madh Bankës së Shqipërisë dhe të gjithë sistemit bankar në Shqipëri, të cilët në situata mjaft delikate ia dolën të ruajnë stabilitetin, në një paskuintë, në një simbiozë me të gjithë faktorët e rëndësishëm. Sistemi bankar në Shqipëri, pas tronditjeve të para, jo të mëdha, u rivendos në kursin e besimit të plotë të investitorëve. Ekonomia shqiptare gjithashtu mbetet nga të paktat ekonomi që shënon edhe këtë vit një rritje prej rreth 10 përqind të të ardhurave; shënon një rritje ekonomike që luhatet midis 4-6 përqind sipas trimestrave. Investimet e huaja në Shqipëri, sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, 6-mujorin e parë u rritën me 59 përqind, krahasuar me një vit më parë. Asnjë nga investitorët e mëdhenj nuk u tërhoq nga projektet e tij për të investuar në Shqipëri. Qeveria ka ndjekur politikën e investimeve të mëdha dhe intensive, duke trashëguar një infrastrukturë të papranueshme. Ne investojmë 10 përqind të prodhimit të brendshëm në infrastrukturën rrugore, ujësjellësa, kanalizime dhe vepra të tjera publike. Ndërkohë, kriza gjeti Shqipërinë, vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë dhe në kulmin e saj, jo të paktë ishin ata, që bënin thirrje për masa të ndryshme. Ne në fakt, kishim aplikuar të gjithë stimujt fiskal. Natyrisht, edhe atëherë edhe sot, kam theksuar se ekonomia nuk mund të bëjë “le malade imaginaire”. Nuk është se nuk u prek eksporti, ka një rënie të lehtë të eksporteve në Shqipëri; ka një rënie të kreditimit të ekonomisë; ka një luhatje të kursit të këmbimit. Euro, duhet të jemi realist, po bëhet një problem madhor për ekonomitë tona, në mënyrë të përsëritur mendoj, jo për shkak të kursit, se ky kurs është plotësisht i pranueshëm, por fakti që kjo monedhë e mbështetur në ekonomoninë më të madhe të botës, siç është ekonomia e Bashkimit Evropian, bën presion mbi monedhat tona, unë mendoj se e shpejtë do të jetë dita, kur ne duhet të dorëzohemi, nuk do të vazhdojmë betejën me euron, por duhet të përfshihemi në euro, nuk na mbetet rrugë tjetër. Vendet tona, që jemi jashtë anëtarësisë të Bashkimit Euopian, jemi gjithsej 1 përqind e prodhimit të brendshëm të Bashkimit Europian. Atëherë është e domosdoshme që disa marrëdhënie financiare, me Bankën Qëndrore Europiane, duhet të negociohen. Ekonomitë tona po eurizohen, normal. Kjo nuk mund të them që është një gjë e keqpritur, se ky është destinacioni ynë, por kur shoh që edhe skepktikët britanikë kanë filluar të mendojnë ndryshe për euron, imagjinoni ju se ç’mund të mendojmë ne për presionet që na bën ajo.

Edhe një herë dua t’ju përshëndes, të shpreh respektin tim të madh për performancën e shkëlqyer që keni dëshmuar në një vit të vështirë, në një vit të rëndë për sistemin bankar dhe ju bëj thirrje: Të kreditoni sa më shumë! Asnjë betejë nuk fitohet pa guxim. Alfa e çdo fitoreje  është guximi. Në guximin tuaj për të kredituar qëndron antidoti absolut i kësaj krize.

Faleminderit!


17/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›