Kryeministri Berisha uron Z. Yukio Hatoyama për emërimin e Tij si Kryeministër i Japonisë
Në këtë mesazh thuhet:
I nderuar z. Kryeministër, Hatoyama,
Zgjedhja juaj si Kryeministër i Japonisë më jep kënaqësinë e veçantë, që, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’Ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta e miqësore dhe urimet më të mira, për suksese në misionin e lartë dhe detyrat e rëndësishme, që keni përpara. Më lejoni, t’Ju uroj, gjithashtu, edhe për fitoren e thellë të Partisë Demokratike, që ju drejtoni, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të muajit gushtit.
Jam i bindur se me vizionin dhe platformën Tuaj politike, qeveria, që Ju do të kryesoni, do t’i ofrojë vendit Tuaj alternativën më të frytshme, për zhvillim e modernizim të mëtejshëm, në të mirë të jetës e të mirëqenies së qytetarëve të vendit Tuaj.
Me këtë rast, dua edhe njëherë, t’Ju shpreh mirënjohjen e thellë qeverisë dhe kombit tuaj për ndihmën tejet të çmuar dhe bujare që i keni dhënë Shqipërisë në ndërtimin e sistemit demokratik. Gjithashtu dëshiroj t’Ju ripohoj gatishmërinë, përkushtimin dhe vullnetin e qeverisë shqiptare, për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira, që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, si edhe dëshirën për ta rritur e zgjeruar bashkëpunimin, në interes të ndërsjellë të të dy popujve tanë.
Duke Ju uruar edhe një herë sukses të plotë dhe duke shpresuar t’Ju pres së shpejti në Tiranë, pranoni, z. Kryeministër, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Juaji
Sali BERISHA
16/09/2009