Kryeministri Berisha uron Zotin Barrozo për riemërimin e tij në krye të Komisionit Evropian
Në këtë mesazh thuhet:
I nderuar Z.President!
Kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin rizgjedhjes Suaj si President i Komisionit Evropian, t’Ju dërgoj, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, përshëndetjet më të përzemërta e miqësore dhe urimet më të mira, për suksese të mëtejshme në misionin Tuaj fisnik dhe në detyrat e rëndësishme, që keni përpara.
Rizgjedhja në krye të Komisionit Evropian është ripohimi më i shkëlqyer i përkushtimit, rolit dhe kontributit Tuaj në konsolidimin e mëtejshëm të reformave, për një Bashkim gjithnjë e më të fortë e efikas, mbështetur në lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës e në respektimin e të drejtave të njeriut, gjithnjë e më pranë qytetarëve europianë, që do të jetë burim frymëzimi për të gjitha vendet tona, që dëshirojnë anëtarësim sa më të shpejtë. Jam i bindur se përkushtimi dhe vizioni Juaj do të shërbejnë si shtysa të fuqishme për kapërcimin e sfidave të mëdha, që qendrojnë përpara Bashkimit Evropian, për çuarjen përpara të axhendës së tij reformuese, si edhe për vazhdimin e procesit jetik të zgjerimit.
Dëshiroj, me këtë rast, t’Ju ripohoj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht kemi gjetur te personi Juaj një mik të madh e të shquar të Shqipërisë e të popullit shqiptar dhe një mbështetës të çmuar për realizimin e ëndrrës shekullore, për rikthim e ribashkim në familjen e vlerave të përbashkëta evropiane. Vizita juaj, në shkurtin e vitit 2006, qe një shprehje e qartë e kësaj mbështetjeje dhe e ndjenjave të fuqishme të miqësisë.
Mbetem me bindjen e thellë se edhe gjatë këtij mandati të ri do ta vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë e të shkëlqyer, që kemi ndërtuar gjatë këtyre viteve, në interes të së mirës së ndërsjellë të qytetarëve shqiptarë dhe atyre të BE-së.
Qeveria e sapokrijuar shqiptare është shpallur si qeveri e integrimit evropian, pasi në themel të vizionit, programit dhe punës së vet, gjatë katër viteve të ardhshme, qëndron projekti madhor kombëtar i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE. Tashmë Shqipëria ka paraqitur kërkesën zyrtare për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe po pret shqyrtimin e saj, me synim marrjen e statusit të kandidatit. Ajo po punon për përmbushjen jo vetëm të kërkesave të udhërrëfyesit, por edhe për ndërmarrjen e hapave të mëtejshme për liberalizimin e vizave. Unë ruaj besim të thellë se Ju, si President, dhe Komisioni i ri, që do të drejtoni, do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet tona për realizimin sa më të shpejtë të të dyja këtyre objektivave jashtëzakonisht të rëndësishme.
Nga ana tjetër Ju garantoj përkushtimin dhe angazhimin tim të plotë e të qeverisë shqiptare për të realizuar, me hapa të shpejta, çdo reformë, e për të përmbushur çdo kriter e standard, për t’ua plotësuar shqiptarëve ëndrrën për lëvizje të lirë në hapësirat evropiane dhe për ta parë vendin e tyre sa më shpejt anëtar të Evropës së lirë e të bashkuar.
Duke shpresuar t’Ju pres sërish në Tiranë, në një kohë sa më të përshtatshme për Ju, shfrytëzoj rastin t’Ju ripohoj, i dashur mik, sigurimet e konsideratës më të lartë!
Juaji
Sali Berisha
16/09/2009