Kryeministri Berisha merr pjesë në Konferencën mbi Prosperitetin Ekonomik

“Qeveria do të heqë pengesat, për sipërmarrësit e huaj që duan të investojnë në Shqipëri”
Kryeministri Sali Berisha siguroi dje se qeveria që ai drejton, është duke punuar për të hequr çdo lloj pengese për sipërmarrësit që duan të investojnë në Shqipëri. Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën mbi Prosperitetin Ekonomik, e cila zhvilloi punimet në Hotel “Tirana International”, nën kujdesin e Qendrës “Linkoln” dhe kompanisë amerikane të investimeve “Marketplace One”, kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi se “nuk ka asgjë më themeltare se sa prosperiteti për të konsoliduar vlerat e lirisë dhe demokracisë”, dhe se “historia ka vërtetuar në mënyrë të përsëritshme se pa prosperitet nuk ka demokraci”.
Kryeministri Berisha informoi të pranishmit mbi masat e marra nga qeveria shqiptare për ta vendosur këtë vend në orbitën e vendeve me zhvillim të shpejtë ekonomik, për të bërë që Shqipëria të ecë drejt prosperitetit ekonomik.
“Kemi këtë krizë financiare, e cila duket si ‘shpata e Demokleut’ mbi ekonomitë tona. Si kryeministër i këtij vendi, çdo ditë unë nuk mendoj për asgjë tjetër, vetëm se si ta përgatis në mënyrën më të mirë të mundshme këtë vend, që të përballojë në të ardhmen pasojat e rritjes së ngadalshme ekonomike në gjithë botën”, tha kryeministri Berisha.
Lidhur me nxitjen e investimeve në Shqipëri dhe klimën e biznesit në vend, kreu i qeverisë renditi disa nga masat e ndërmarra deri tani nga qeveria shqiptare.
“Ne jemi një vend me taksë të sheshtë dhe që nga 1 maji 2009 do të ulen edhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Ne kemi hequr 2/3 e licencave dhe ato që mbeten do t’i grupojmë në One Stop Shop. Këto ndërmerren për të inkurajuar investimin në këtë vend”, tha kryeministri, duke theksuar faktin se “për Shqipërinë askush nuk ka parashikuar një ulje ekonomike më të ulët se 6 për qind”.
Duke e konsideruar këtë si një lloj stimuli dhe nxitje për çdo investitor të huaj, kryeministri solli në vëmendje edhe vendimin e qeverisë shqiptare për ngritjen e disa parqeve industriale.
...