Qeveria miraton dizenjon përfundimtare të dokumenteve të identitetit
Dokumentet e reja të identitetit, të stampuara me figurën e Skënderbeut
Qeveria miratoi dje në mbledhjen e radhës vendimin “Për miratimin e dizenjos përfundimtare të dokumenteve të identitetit: letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës elektronike. Kreu i qeverisë Sali Berisha, informoi se kjo dizenjo do të ketë figurën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Duke e vlerësuar këtë figurë si përfaqësuesen më dinjitoze të kombit shqiptar, kryeministri theksoi se ky simbol është gjetja e duhur, për t’u vendosur në dokumentet e reja, sipas standardeve evropiane, të shqiptarëve. “Dua të veçoj sot vendimin për miratimin e dizenjos së dokumenteve të identitetit, letërnjoftimeve dhe pasaportave. Skënderbeu është ai që i ka frymëzuar dhe frymëzon më shumë se kushdo tjetër shqiptarët drejt Evropës. Nuk mund të ketë personalitet tjetër që të ketë mbajtur shpirtin e një kombi, siç ka mbajtur ai gjallë shpirtin e kombit shqiptar. Në tërësinë e tij ai përbën sipas të gjithë historianëve rastin më të pashembullt. Ai pati shtet, kur të tjerët nuk kishin shtet, kur shtetet e rajonit kishin rënë njëri pas tjetrit. Bizanti vetë ishte shembur. Kështu që kam shumë kënaqësi të vendosim sot, të kemi në dokumentet e reja, dokumentet që na bashkojnë, të standardeve evropiane, Skënderbeun në çdo faqe të tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha.
...