Vendime të miratuara në mbledhjen e qeverisë
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u morën në shqyrtim dhe u miratuan disa projektligje dhe vendime:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.9179, DATË 29.1.2004, "PËR NJË TRAJTIM TË VEÇANTË TË PUNONJËSVE, QË KANË PUNUAR NË DISA NDËRMARRJE TË INDUSTRISË USHTARAKE""
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për një shtesë në ligjin nr.9179, datë 29.1.2004, "Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake"", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.9179, DATË 29.1.2004, "PËR NJË TRAJTIM TË VEÇANTË TË PUNONJËSVE, QË KANË PUNUAR NË DISA NDËRMARRJE TË INDUSTRISË USHTARAKE"
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Neni 1
Në nenin 7, të ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, "Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake", të shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje :
"Në rast punësimi të përkohshëm me kontratë pranë ndërmarrjes, ku kanë aplikuar për trajtim, sipas ligjit, personave përfitues sipas ligjit në fuqi u ndërpritet trajtimi i veçantë për kohën, që janë të punësuar. Personat përfitues rifitojnë të drejtën për t'u rikthyer në skemën e trajtimit të veçantë, me përfundimin e punësimit të përkohshëm.".
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMUNITETIT TË SANT'EGIDIO-S, PËR SELINË DHE VEPRIMTARINË E KËTIJ KOMUNITETI NË SHQIPËRI"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit të Sant'Egidio-s, për selinë dhe veprimtarinë e këtij komuniteti në Shqipëri", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMUNITETIT TË SANT'EGIDIO-S, PËR SELINË DHE VEPRIMTARINË E KËTIJ KOMUNITETI NË SHQIPËRI
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit të Sant'Egidio-s, për selinë dhe veprimtarinë e këtij komuniteti në Shqipëri.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN E SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE, JOPUBLIKE, "UNIVERSITETI EUROPIAN I TIRANËS"
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1, 12 e 13, të ligjit nr.8461, datë 25.2.1999, "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e lejes për hapjen e shkollës së lartë universitare, jopublike, "Universiteti Europian i Tiranës", në emër të shoqërisë "UET", shpk, e cila do të ushtrojë këtë veprimtari në qytetin e Tiranës.
2. "Universiteti Europian i Tiranës" përbëhet nga këto dy fakultete:
a) Fakulteti i Shkencave Sociale, me degët e mëposhtme:
- Gazetari 3 vite);
- Komunikim-marrëdhënie publike(3 vite);
- Shkenca politike (3 vite);
- Marrëdhënie ndërkombëtare(3 vite).
b)Fakulteti Juridik me degën:
- Jurist i përgjithshëm.
Kjo degë profilizohet në juridik biznes, juridik e drejta publike e kushtetuese dhe juridik e drejta, europiane dhe ndërkombëtare.
3."Universiteti Europian i Tiranës" do të ofrojë studime universitare të ciklit të parë, të cilat do të zgjasin 3 vite akademike. Në mbarim të studimeve ky universitet do të japë diplomë universitare "Bachelor" në titujt e mëposhtëm:
- Gazetari;
- Komunikim-marrëdhënie publike;
- Shkenca politike;
- Marrëdhënie ndërkombëtare;
- Jurist i përgjithshëm, ose i shoqëruar me profilizimin përkatës: juridik biznes, juridik e drejta publike e kushtetuese dhe juridik e drejta, europiane dhe ndërkombëtare.
4."Universiteti Europian i Tiranës" do të fillojë veprimtarinë në vitin akademik 2006-2007 dhe do të ketë sistemin e studimeve me kohë të plotë.
5.Ministria e Arsimit dhe Shkencës të verifikojë objektin, jo më vonë se tri javë para fillimit të procesit mësimor.Çdo ndryshim në përcaktimin e vendndodhjes, të stafit pedagogjik, planeve dhe programeve, si dhe të elementeve të tjera, të miratuara, të bëhet me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
6. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kryerjen e procesit të vlerësimit dhe akreditimit të kurseve të studimit, si dhe të zbatimit të ligjshmërisë në institucion.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.198, DATË 5.4.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, "PËR PRANIMET NË UNIVERSITETET DHE SHKOLLAT E LARTA, PËR VITIN AKADEMIK 2006-2007, NË SISTEMIN ME KOHË TË PLOTË, SI DHE PËR PËRCAKTIMIN E TARIFËS SË SHKOLLIMIT", TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 24, 31 e 42, të ligjit nr.8461, datë 25.2.1999, "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Në vendimin nr.198, datë 5.4.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"2. Kuotat e pranimeve të reja përbëhen nga:
a) Kuota kryesore 7 451;
b) Kuota për shqiptarët nga trojet jashtë vendit 343.".
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"3. Kuotat e pranimeve të reja ndahen sipas shkollave të larta dhe universiteteve. Kuotat kryesore janë sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për degët, për të cilat nuk janë parashikuar kuota, pranimi është i lirë dhe ato janë pasqyruar në tabelën, me shkronjën "H". Këtu nuk janë parashikuar kuotat për vite të ndërmjetme, për degë të dytë dhe për studentët e huaj.".
3. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"4. Kuotat e pranimeve për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë janë sipas tabelës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Pranimi i tyre në shkollat e larta të Republikës së Shqipërisë bëhet mbi baza përzgjedhjeje, sipas marrëveshjes me autoritetet përkatëse të Kosovës, Maqedonisë e Luginës së Preshevës dhe/ose udhëzimit të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Pranimi i kandidatëve nga Mali i Zi do të bëhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Shqipërisë. Kandidatët nga Mali i Zi do të konkurrojnë ndërmjet tyre, në bazë të kriterit të notës mesatare, të fituar në të gjitha vitet e shkollimit të arsimit të mesëm. Në rast se numri i kandidatëve të regjistruar në degë të ndryshme të shkollave tona të larta është më i vogël se numri i kuotave të miratuara, atëherë pranimi i tyre është pa konkurrim.".
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I RRJETIT TË RI TË UJËSJELLËS-KANALIZIMEVE, NË FUSHË-KRUJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, "Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik", dhe të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006", me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i rrjetit të ri të ujësjellës-kanalizimeve, në Fushë-Krujë.
2.Shpronësimi të bëhet në favor të bashkisë së Fushë-Krujës.
3.Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 1353 m2 tokë arë, me vlerë të përgjithshme prej 1 983 903 (një milion e nëntëqind e tetëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e tre) lekësh.
4.Shpenzimet procedurale, në shumën 112 500 (njëqind e dymbëdhjetë mijë e pesëqind) lekë, të përballohen nga bashkia e Fushë-Krujës.
5.Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 983 903 (një milion e nëntëqind e tetëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e tre) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2006, zëri "Shpronësime", miratuar për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
6.Shpronësimi të përfundojë brenda datës 20.10.2006.
7.Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe bashkia e Fushë-Krujës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren zyrtare".
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.445, DATË 26.6.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, "PËR INSPEKTIMIN E PUNËS SË DETARËVE"
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 28, të ligjit nr.7986, datë 13.9.1995, "Për Inspektoratin Shtetëror të Punës", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Në vendimin nr.445, datë 26.6.2003, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto ndryshime:
1. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"6. Personat, juridikë a fizikë, të përcaktuar sipas pikës 2, të këtij vendimi, në dokumentacionin që depozitojnë në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, për t'u licencuar apo rilicencuar duhet të kenë edhe dokumentin e regjistrimit në Inspektoratin Shtetëror të Punës të rrethit përkatës.".
2. Pika 7 ndryshohet si më poshtë vijon:
"7. Ngarkohen ministri i Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe ministri i Brendshëm për nxjerrjen e udhëzimit përkatës për zbatimin e këtij vendimi.".
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES FINANCIARE NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË KOMUNITETEVE EUROPIANE « PËR PROGRAMIN VJETOR TË VEPRIMIT CARDS 2006 PËR SHQIPËRINË »
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, « Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare », me propozimin e ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Europiane « Për programin vjetor të veprimit CARDS 2006, për Shqipërinë ».
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA