E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë në Elbasan

Në 25 nëntor 1912 Elbasani shpalli i pari pavarësinë, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e Pavarësisë Kombëtare. Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha, vizitoi sot Elbasanin ku mori pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit.  

Të pranishëm ishin edhe deputetë të qarkut, përfaqësues të pushtetit vendor si dhe familjarë të patriotëve dhe firmëtarëve  të Deklaratës së Pavarësisë së Elbasanit.

Aktivitetet nisën me ceremoninë përkujtimore për patriotin e shquar Aqif Pashë Elbasanin dhe firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së Elbasanit. Nën tingujt e himnit kombëtar, kryeministri Berisha sëbashku me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit z.Qazim Sejdiu dhe prefektin e qarkut, zbuluan pllakën në nderim të 37 firmëtarëve të Pavarësisë së Elbasanit dhe të përfaqësuesve të Elbasanit, në Vlorë më 28 nëntor 1912, si Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit'hat Frashëri, Qemal Karaosmani.  Pllaka, sëbashku me shtatoren e Aqif Pashë Elbasanit (1860 - 1926) janë vendosur në bulevardin e qytetit që mban emrin e tij. 

Më pas Kryeministri Berisha dhe të pranishmit e tjerë inauguruan dhe shtatoren e Lef Nosit, atdhetarit, politikanit dhe studiuesit nga Elbasani, i cili ka qenë dhe ruajtësi i Dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë 100 vjet më parë.  Lef Nosi, për të bërë të pamundur falsifikimin dhe manipulimin e tij, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë, e fotografoi dhe e botoi duke ju dhuruar një kopje familjeve të të gjithë nënshkruesve dhe duke e shpërndarë botërisht.

Në përshëndetjet e tij para qytetarëve të Elbasanit kryeministri u shpreh:

“I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.

 I nderuar zoti Prefekt i Elbasanit, Shefqet  Deliallisi,

 Zotërinj deputetë dhe ministra,

 Të dashur qytetarë dhe qytetare të Elbasanit,

 Elbasanase dhe elbasanas në këtë shesh, në shtëpitë tuaja dhe kudo që ndodheni dhe festoni sot.

 Gëzuar ditën e pavarësisë së qytetit, gëzuar 100 vjetorin e Pavarësisë, aktit më madhor në historinë  e kombit shqiptar.

 Sot sëbashku ne nderojmë këtu në Elbasan, por në mbarë trojet shqiptare Ismail Qemal Vlorën, burrin e madh dhe vizionarë të kombit shqiptar, që me një udhëtim biblik do të vraponte nga Stambolli drejt trojeve shqiptare, për të ngritur në Vlorë sëbashku me burrat e shquar  të kombit  tonë, flamurin e pavdekshëm, flamurin krenar të princit tonë të të  gjitha kohërave, flamurin e Skënderbeut.

 Sot sëbashku, këtu me ju dhe shqiptarët kudo që ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë  përulemi me nderimin më të madh, para këtij burri vigan të Elbasanit dhe të kombit shqiptar. Para udhëheqësve të tjerë të këtij qyteti, që në kushtet e një pushtimi të egër barbar do të ngriheshin mbi çdo vështirësi ,me një kurajo  mbinjerëzore do të shpallnin këtu në qytetin tuaj Aktin e Pavarësisë së vendit. Deklarata e pavarësisë e shpallur këtu në qytetin e Elbasanit, të dashur qytetarë dhe qytetare të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë, i bën nder çdo qytetari shqiptar, çdo qytetari ballkanik, çdo qytetari europian.

 100 vjet më parë burrat e mençur të këtij qyteti, sanksionuan në deklaratën e tyre se, në Shqipërinë  e lirë dhe të pavarur do të mund të jetojnë të lirë, shqiptarë dhe të huaj në respekt të plotë të lirive njerëzore, çka përbën këtë akt  frymëzues për shqiptarë ,sot dhe të gjitha kohërat. Nuk është aspak e rastit, që këtu 100 vjet më parë burrat dhe gratë e këtij qyteti u zotuan për të bërë Shqipërinë, vendin e respektimit të të drejtave dhe lirive njerëzore.

Elbasani erdhi në pavarësinë e Shqipërisë si qyteti i dritës dhe i iluminizmit të shqiptarëve, si qyteti i universitetit të parë të tyre, si qyteti që shpërndau dritë e dije, gjuhën tonë të bukur, që e mësojnë në të gjitha trevat e tjera shqiptare.

Elbasani në tërë historinë e kombit ishte dhe mbeti kështjellë e pamposhtur e shqiptarëve, e dinjitetit të tyre kombëtar. I vendosur në një nga udhët, rrugët më të rëndësishme të kohërave, në të cilën kaluan ushtri dhe hordhi të shumë e shumë perandorive, qyteti mbeti gjithmonë shqiptarë, qyteti mbeti gjithmonë burim drite, frymëzimi për mbarë kombin shqiptarë.

Sot ne nderojmë burrat e mëdhenj të Elbasanit, nderojmë  Aqif Pashë Elbasanin, burrin që në tërë jetën e tij jetoi, punoi si një ikonë e ndritur e atdhetarisë  e ndershmërisë, e përkushtimit, e diturisë shqiptare.

Aqif Pasha pas shpalljes së pavarësisë dhe në vazhdim do të luante një rol qendror në historinë tonë kombëtare. Ai do të kryesonte Kongresin e Lushnjës, njërin nga mrekullitë më të mëdha në historinë tonë kombëtare. Kongresin që jetësoi për shqiptarët, pavarësinë e shpallur me 1912, kongresin që vendosi integritetin dhe sovranitetin e Shqipërisë.

Kongresin që u shndërrua në burimin ndërtimit të shtetit shqiptar modern. Kongresin, i cili do tu thoshte traktateve ogurzeza të Versajës, të Londrës dhe me radhë se ne shqiptarët do jemi zotët e trojeve tona dhe hodhi mënjanë traktatet, të cilat copëtonin  Shqipërinë dhe kërkonin të shuanin njëherë e përgjithmonë  nga harta e Europës shtetin shqiptar.

Vëllezër dhe motra

Unë jam sot këtu për të shprehur nderimin tim më të madh ndaj të gjithë atyre grave dhe burrave, të cilët që nga Lidhja e Prizrenit deri më sot, u flijuan për lirinë dhe dinjitetin tonë. Të nderojmë me nderimin më të madh të gjithë luftërat e Pavarësisë, ata që ranë nga vitet  ‘12 deri në vitet ‘20 , për mbrojtjen e Pavarësisë së Shqipërisë.  Ata që ranë në Luftën e Dytë Botërore, për të renditur Shqipërinë në koalicionin e madh antifashist. Ata që ranë në vuajtjet e diktaturës, për të mbrojtur  vlerat themelore të njeriut dhe të qytetërimit.  Ata që ranë në fushat, malet e trojeve shqiptare vetëm pak vite më parë, në Kosovë, Maqedoni dhe kudo për liri dhe dinjitet kombëtarë.

Ky 100 vjetor  po festohet nga shqiptarët me një vetëdije kombëtare me një dashuri dhe respekt për veten e tyre, për njëri- tjetrin, për trojet shqiptare me shumë se kurrë në histori. Është në detyrën tonë ta zhveshim historinë nga çdo ideologjizëm.

Ne nuk mund të themi se në historinë tonë kemi vetëm lavdira. Jo dhe jo. Ne jemi një komb që jemi rrëzuar jo pak përtokë, por jemi ngritur përsëri. Ne jemi një komb që kemi bërë gabime, por jemi ngritur mbi to.  Le ta shohim ne, si burra dhe gra të qytetëruar drejt në sy historinë tonë, të mbajmë çdo vlerë të saj, të nxjerrim çdo mësim që duhet nxjerrë nga gabimet, në mënyrë që së bashku të ndërtojmë të ardhmen e ndritur të bëjë realitet të plotë ëndrrën  fisnike të atyre burrave dhe grave, që shpallën këtu në Elbasan, në Durrës, në Tiranë në Vlorë, në mbajë trojet shqiptare, 100 vjet më parë  Pavarësinë e Shqipërisë.

Rroftë Elbasani.

Nder burrave  dhe grave të këtij qyteti.

Nder Aqif Pashës, Lef Nosit, Qemal Stafës  dhe të gjithë heronjve të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë”.


25/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›