Kryeministri Berisha merr pjesë në analizën vjetore të veprimtarisë së Policisë së Shtetit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në analizën e veprimtarisë së punës së Policisë së Shtetit për vitin 2010.
Kryeministri Berisha përgëzoi Policinë e Shtetit për përkushtimin dhe arritjet e saj gjatë këtij viti, në përmbushjen e standardeve të kërkuara në realizimin e objektivit madhor, lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptare në Bashkimin Europian dhe në luftën kundër krimit të të gjitha llojeve. Në fjalën e tij, Kryeministri evidentoi arritjet në punën e policisë së Shtetit gjatë këtij viti dhe u fokusua në disa çështje, për të cilat Kryeministri kërkoi angazhim maksimal dhe përparësimin e tyre në punën e Policisë së Shtetit.
“Zoti Ministër i Brendshëm,
Zonja Prokurore e Përgjithshme,
Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë,
Të nderuar drejtues të policisë në këtë ditë të analizës së punës suaj, shfrytëzoj rastin t’ju përshëndes ju dhe të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, t’i falënderoj ata për punën me përkushtim që kanë bërë gjatë këtij viti, rezultatet e prekshme në jetën e çdo qytetari shqiptar.
Unë duhet t’ju falënderoj dhe t’ju përgëzoj për standardet që ju keni arritur në punën tuaj. Standarde këto, të cilat qëndrojnë në themel të një akti më madhor për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, pas shembjes së perdes së hekurt, heqjes së vizave për shqiptarët dhe të lëvizjes së tyre të lirë në Europë. Ky akt është i një rëndësie kapitale për liritë të drejtat e çdo qytetari, i cili, nga nesër e tutje, e ndien hapësirën Europiane si hapësirën e tij, lëviz i lirë dhe në dinjitet të plotë. Ky vendim nuk mund të vinte dhe nuk do të vinte pa punën e madhe dhe serioze që ju keni bërë. Ju, me trimëri e sakrifica të mëdha, profesionalizëm të lartë ia dolët që këtë vend, të cilin e kishte gjunjëzuar krimi, të cilin në sektorë të tërë e kontrollonin bandat kriminale, ku mafia e krimi i të cilit ishte bërë rrezik për Europën, ta shndërronit në një nga vendet e sigurta të rajonit dhe të kontinentit. Ju u përballët me bandat më mizore, më të rrezikshme e më të fuqishme dhe me gjakftohtësi i çmontuat ato, mbi një mijë anëtarë dhe bosët e tyre i vendosët para ligjit. Ndërkohë ju ndoqët me përkushtim të madh, dinamikën e krimit, format e reja të tij.
Gjatë gjithë kësaj përpjekjeje kanë rënë në krye të detyrës më të mirët e efektivave të policisë. Gjatë këtyre përpjekjeve, ju keni pësuar lëndime, keni bërë sakrifica, por, nga ana tjetër, i keni bërë një shërbim të pakrahasueshëm vendit dhe kombit tuaj.
Ju u angazhuat për modernizimin e të gjitha sistemeve tuaja të kontrollit. Krijuat një besim të madh, në bashkëpunimin me partnerët tuaj në rajon dhe në Europë. Të gjitha këto ishin një nga faktorët më kryesore që bënë që qeveritë e vendeve anëtare të zonës së Shengenit të vendosnin heqjen e vizave. Ky është një akt madhor që u bë ndaj shqiptarëve, kryekëput i merituar, por, sërish, ky është një akt i madh besimi, është një vendim fisnik. Ajo çka ju fton juve të intensifikoni edhe më shumë bashkëpunimin me partnerët tuaj. Qeveria është e vendosur të mos tolerojë dhe të mos pranojë qoftë edhe abuzimin më të vogël të ndokujt, me këtë vendim të Bashkimit Europian. Vendimi është vendim, duhet një punë e madhe dhe ne do të bëjmë çdo gjë që vendeve mike, që krimi të mos mund të përdorë këtë vendim në dëm të interesave të qytetarëve të vendeve të tjera.
Ndaj zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, zoti ministër mendoj se ky vendim kërkon dhe ju fton të hartoni një plan të ri konkret masash, për t’ju përgjigjur me efiçensën më të madhe këtij bashkëpunimi. Në çdo vend ka kriminalitet. Por asnjë vend, asnjë qeveri nuk ka autoritet të marrë kriminalitet shtesë për qytetarët e vendit të tij, ndaj ju takon juve të jepni garanci të plotë, në një bashkëpunim transparent me partnerët tuaj, në mënyrë që ky akt madhor të mos krijojë as edhe shqetësimin më të vogël, në vendet e zonës Shengen. Unë jam i bindur se ju do e realizoni këtë, se ju tani keni në dorë të gjitha të mjetet, përkushtimin për një kontroll të plotë të kufijve tanë detar, ajrorë dhe tokësor, keni vendosur ura besimi të plotë me policisë e vendeve mike dhe partnere dhe agjencitë e tjera dhe kjo kërkon një nivel të ri pune, planifikimi, përkushtimi.
Ju e keni bërë Shqipërinë një vend të sigurt dhe kjo është një meritë e madhe e juaja. Këtë vit, ne numërojmë rreth 3.5 milion vizitore dhe ky është një zhvillim pozitiv si për vendin, por, para së gjithash, edhe për faktin se çdokush që ka ardhur shëndoshë e mirë në këtë vend, është larguar shëndoshe e mirë prej tij. Shqipëria turistike është realiteti më i bujshëm i këtyre viteve. Këtu, ju keni kontributin tuaj të madh. Unë kam biseduar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe ministrin dhe kërkoj nga ju programe të detajuara, për të garantuar se ata miliona e miliona vizitorë që vijnë në këtë vend, të vijnë të pushojnë, ta vizitojnë dhe të kthehen të sigurt në vendet e tyre.
Në luftën kudër kriminalitetit, asnjëherë nuk mund të ketë vetëkënaqësi. Kjo është një betejë e egër dhe ndër më të vështirat dhe në këtë beteje, asgjë nuk të dëmton më shumë, sesa besimi i tepruar dhe vetëkënaqësia. E vërteta është se krimi, fatkeqësisht, disponon burime të pallogaritshme në Shqipëri, Europë dhe në botë dhe në rrafshin ndërkombëtar, asgjë nuk ka më ndërkombëtar se krimi.
Këto sigurisht e vështirësojnë punën tuaj, por unë ju garantoj se do të keni gjithë mbështetjen dhe burimet e nevojshme, për t’u përballur në mënyrën me efiçente me të.
Ju keni dhënë dhe po jepni një kontribut të shkëlqyer në zonat e përmbytura. Ne patëm kësaj radhe, katastrofën më të madhe natyrore në memorien e vendit. U përmbytën mbi 14 mijë hektarë, ndër të cilat pjesa më e vështirë ishin 40 përqind e lagjeve të qytetit të Shkodrës. Puna dhe përkushtimi juaj, angazhimi i forcave të rendit, i qeverisjes vendore kanë bërë që deri më tani të mos kemi asnjë jetë të humbur, por të mos regjistrohet as dhe krimi më i vogël. Ju keni realizuar operacione shpëtimi të shkëlqyera, por keni bërë edhe një kontroll të rendit dhe krimit të shkallës më të lartë.
Ju keni arritje të prekshme, të cilat prekin jetën e çdo qytetari. Natyrisht, problematikat nuk vijnë në zvogëlim. E domosdoshme është që ju të përparësoni me forcën më të madhe në luftën kundër krimit ekonomik, në luftën kundër krimit financiar. Krimi financiarë, që vetëm pak vite më parë nuk kishte të qartë as edhe përcaktimin, sot është i faktuar si shtrati i ngrohtë i terrorizmit, i formës më agresive të krimit. Sot është e qartë se larja e parave është edhe kushti i të gjitha kushteve për veprimtarinë terroriste. Ju keni bërë progres në drejtim të kësaj vepre, por duhet të ndërmerrni përpjekje shumë më të mëdha, kualifikime të vazhdueshme, bashkëpunim të ngushtë me institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare, në mënyrë që ky krim, i cili dëshmohet si mekanizmi kryesor financiar i akteve terroriste, të jetë në mënyrë të pandërprerë nën goditjet tuaja. Duhet të zhvilloni të gjitha kapacitetet për ndjekjen, zbulimin, denoncimin e tij. Krimi ekonomik është i dukshëm, i prekshëm, kërkon vëmendje, kërkon kurajë nga ana juaj. Nga të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, ju jeni më numerikë, ndaj ju takon juve të jeni në krye të luftës kundër krimit ekonomik.
Ju keni shënuar arritje të mëdha në luftën kundër drogës dhe unë ju përgëzoj. Këtë vit keni lëvizur drejt penalizmit të punonjësve të pushtetit vendor, të inspektorëve të pyjeve, por duhet ta forconi këtë betejë. Ka një ulje të padiskutueshme të mbjelljeve, por duhet të vendosim objektivin sa do të ulim për vitin e ardhshëm dhe puna për këtë objektiv, puna fillon që tani. Nuk është në lartësinë e duhur. Kjo luftë duhet të konsolidohet më tej. Unë dua të jem i hapur. Komunikatat tuaja se u kap një kamion me kanabis, por shoferi iku, ju akuzon juve. Si mund t’ju ikë shoferi? Më mirë thoni se na e dorëzoi kamionin shoferi. Kur unë dëgjoj komunikatën e policisë se kamioni u kap, por shoferi iku, qytetarët kanë të drejtë të thonë se kamionin e dorëzoi shoferi. Këto raste janë pakësuar, por nuk duhet të ndodhin. Kjo mund t’i ndodhë doganierit, i cili hap kamionin dhe duke kontrolluar mallin, gjen edhe drogën. Doganierit mund t’i ikë shoferi, pasi ai nuk është me armë, nuk është në grup etj., por nuk mund t’i ikë dot policisë. Në asnjë rrethanë. Ju keni suksese të pamohueshme, por duhet të studioni ku i keni dobësitë, pasi kjo është një betejë e pandërprerë.
Është e vërtetë se ka përmirësim në trafikun rrugor, por jo në shkallën që do të donim. Unë nuk mund të bëj përgjegjëse policinë për të gjithë problematikën e trafikut, por, absolutisht, edhe ju, zotërinj, nuk jeni në lartësinë e tij, në rreptësinë e ligjit që duhet të ishte. Është e domosdoshme të shqyrtojmë ligjet që kanë të bëjnë me trafikun dhe në qoftë se është e nevojshme të amendohen. Çështja e aksidenteve rrugore është një çështje madhore për çdo vend të lirë, por, në qoftë se studioni dhe ndiqni statistikën, do ta gjeni në nivelet më të larta në vendin tonë. Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ne si objektiv kemi e do të kemi mesataren e Bashkimit Europian. Unë kërkoj nga policia që të programojë punën në këtë fushë, në mënyrë që të ketë një rënie tjetër më drastike e të vazhdueshme të aksidenteve. Po të shohësh këtë tregues, vendet që kanë tre-katër herë më shumë makina për frymë, se ne, i kanë aksidentet tre herë më të ulëta se ne. Ne kemi edhe një specifikë. Ne jemi vendi i vetëm që nuk kemi kulturën e guidimit. Kultura e trafikut dhe guidimit në Shqipëri është vetëm 15-17 vjeçare. Kjo është e vërtetë, ndaj do të thotë se ne duhet të bëjmë përpjekje shumë të mëdha të gjithanshme. Ne po krijojmë edhe agjencinë tek Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Ne duhet ta marrim këtë me seriozitetin më absolut, sepse janë jetë njerëzish. Quhet aksident, por është vdekje, edhe e parandalueshme dhe ky është problemi. Ndaj unë kërkoj nga ju si objektiv kryesor, parandalimin aksidenteve.
Krimet janë të shëmtuara, po më i shëmtuari i të gjitha krimeve është ai që ndodh në familje. Më krijohet përshtypja se kjo çështja në familje, po i bëhet si mburojë këtij lloj krimi. Dhe mendoj se nuk e kam shumë të gabuar këtë përshtypje. Po të kthehemi 7-8 vjet më parë, ka pasur një indiferencë ndaj këtij krimi dhe më e keqja, konsiderohej si rrethanë lehtësuese në sistemin tonë të drejtësisë. Ata që kryenin një krim në familje dënoheshin në nivelet më minimale. Unë ju ftoj ta përparësojmë në mënyrë absolute këtë krim. Nuk duhet të ketë asnjë iluzion. Ai që kryen krim në familje është krimineli më i shëmtuar. Ai që vret bashkëshorten apo fëmijën është monstër. Por, në qoftë se ka një krim që mund të parandalohet më shumë sesa format e tjera të krimit, është ky krim. Ky krim nuk vjen tërësisht si aksident, si papritshmëri, por në masën mbi 90 përqind ka ecurinë, historinë e tij në atë familje. Po të marrim këto vrasje vitin të kaluar, vrasja në familje është në përqindje jashtëzakonisht tronditëse. Nuk mund të ngushëllohemi se ky krim ka rritje edhe në vendet e tjera. Kjo është gjëja më e gabuar. Në luftën kundër krimit, ne shohim çdo gjë në shtëpinë tonë. Ne kemi nevojë për një kthesë rrënjësore ndaj këtij krimi, që është edhe forma më e shëmtuar e krimit. Ai që vret familjarët e vet, në qoftë se i cenohen të gjithë interesat, është i gatshëm të bëjë e vrasë çdo gjë. Ai nuk njeh më kufi, se kufiri i fundit do të ishte familja dhe po u shkel edhe ky kufi, nuk ka gjë tjetër përtej. Ndaj ju bëj thirrje ta vlerësoni me seriozitetin më të madh, me rreptësinë më të madhe të ligjit, të bëni ço gjë për ta parandaluar. Ka një fakt pozitiv që unë e vlerësoj, ka një tendencë në rritje për ta denoncuar atë. Unë i ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë të bashkëpunojnë ngushtë me ju, me Prokurorinë e Përgjithshëm dhe të qëndrojmë ndaj këtij krimi, të shënojmë një kthesë të re të në luftën kundër formës më të shëmtuar të krimeve të njeriut, që është krimi në familje.
Ju keni arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit. Ajo që është qartësisht pozitive është se ju jeni një nga ato institucione me kontribut madhor në luftën kundër korrupsionit në tërësi, por edhe në luftën kundër korrupsionit brenda radhëve tuaja. Ju siguroj se nuk do të mund ta bënit kurrë, nuk do të mund të rendit dot mbas krimit të korrupsionit, në qoftë se nuk e luftoni brenda radhëve tuaja. Kam kënaqësi të konstatoj, sipas studimeve të besueshme, një rënie të ndjeshme të mitmarrjes brenda radhëve tuaja. Por, zoti ministër, zoti Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, në rast se ka zbritur në këto nivele, ne duhet të synojmë çrrënjosjen përfundimtare të tij. Ju i dini se ku janë pikat e kontaktit, se ku është i mundshëm, atëherë aty të vendosim transparencën. Oficerët, punonjësit dhe inspektorët e policisë nuk mund të jenë në shërbim pa pasur numrin në uniformën e tyre. Detyrimisht ato duhet të kenë numrin në uniformën e tyre, pasi numri është më i lehti për t’u fotografuar e memorizuar. Ndaj është e domosdoshme zoti ministër që uniforma të ketë numrin. Ju keni bërë përpjekje të shkëlqyera për dixhitalizimin dhe unë ju përgëzoj. Do të aplikoni çdo metodë e procedurë dixhitale dhe unë ju garantoj se do ju mbështesim plotësisht, për të realizuar transparencën e plotë. Ju jeni shumë afër një luftë vendimtare të korrupsionit në radhët tuaja. Por tani, ju duhet të bëni një plan të veçantë. Çdo drejtor i policisë së qarkut mund dhe duhet ta ketë si objektiv kryesor këtë. Ju keni të drejtë të dyshoni apo ta merrni si provë që inspektori juaj është ‘shurdhuar’ apo i ‘ka zënë sytë’ me ndonjë gjë, - në tërësi kështu është, mund të ketë ndonjë përjashtim - por problemi është se ju duhet ta verifikoni.
Unë shtrova disa probleme, por do ta mbyll fjalën time me urimet e mia më të përzemërta për ju, për festat e këtij fundviti. Ju keni firmosur me punën e përkushtimin tuaj në një prej arritjeve më madhore të shqiptarëve në të gjitha kohërat, lëvizjen e lirë të tyre, ju e keni bërë vendin ndër vendet më të sigurta në rajon e në Europë, ju keni qenë në krye të detyrës dhe për këtë meritoni përgëzime. Dëshiroj që çështjet e ngritura të trajtohen me seriozitetin më të madh. Ju uroj ju dhe familjeve tuaja festat e fundvitit. Gzuar Krishtlindjet dhe vitin e ri!”
14/12/2010