Kryeministri Berisha pret në takim kryetarin e BDI Ali Ahmeti
Kryeministri Berisha prit sot në takim kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të Maqedonisë (BDI), zotin Ali Ahmeti. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Ahmeti folën mbi diskutimet që patën mes tyre.
Kryeministri Berisha: Me kryetarin e BDI-së, zotin Ali Ahmeti ne patëm një diskutim të zgjeruar mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe Maqedoni. Ne diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve tona, ramë dakord që kontaktet, sikundër deri tani, të jenë të vazhdueshme për të gjitha problemet. Qëndrimi i Shqipërisë, qeverisë shqiptare, autoriteteve shqiptare është dhe mbetet i pandryshuar, paqja, stabiliteti i Maqedonisë, integriteti i saj janë jetikë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Sikundër konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishëm zbatimin e plotë dhe konsolidimin e marrëveshjes së Ohrit dhe kur them këtë, dua të shpreh vlerësimin tim të palëkundur me të gjithë progresin thelbësor që është arritur në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Unë kam bindje se zbatimi i saj do të eci e pandërprerë, sikundër ka ecur gjer sot, në interesin më të mirë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe në interesin më të mirë të mbarë shoqërisë maqedonase e të Maqedonisë në tërësi.
Z. Ali Ahmeti: Unë me këtë rast, dëshiroj në radhë të parë, shëndet dhe suksese në rrugën, të cilën, me shumë angazhime, zoti Kryeministër po e bën në drejtim të implementimit të standardeve që na afrojnë drejt Bashkimit Europian, standardeve që na afrojmë si fqinj, bashkëpunimin e Shqipërisë, Maqedonisë, por edhe kontributin e zotit Kryeministër në drejtim të bashkëpunimit brenda rajonit. Ne kemi konsideruar dhe konsiderojmë se Shqipëria është një lobiste e vërtetë që Maqedonia sa më më parë të jetë anëtare e NATO-s, të mos jetë akoma më larg e shkëputur nga Karta e Adriatikut, sepse nga Karta e Adriatikut, Shqipëria dhe Kroacia janë në NATO dhe të gjitha angazhimet ne i bëjmë në këtë drejtim, që sa më parë Maqedonia të zërë vendin e merituar, sepse duke qenë në NATO kemi më shumë siguri, më shumë stabilitet, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin si tërësi. Edhe një herë suksese, zoti Kryeministër.
02/05/2010